Rreth 260 infermierë janë infektuar me COVID-19 që prej shpërthimit të pandemisë në Kosovë - Gazeta Express

Lajme

Gazeta Express

07/07/2020 10:53

Rreth 260 infermierë janë infektuar me COVID-19 që prej shpërthimit të pandemisë në Kosovë

Lajme

Gazeta Express

07/07/2020 10:53

Fotografia e një infermiereje, e cila ishte ulur në dysheme për të pushuar, u shpërnda me të madhe në rrjete sociale javën e kaluar. Në atë foto, shihej lodhja e madhe që po përjetojnë infermierët këto ditë. Atyre po u bie të punojnë deri në 12 orë dhe të kujdesen të vetëm për 22 pacientë të infektuar, raporton Express.

Disa prej tyre e kanë rrezikuar edhe jetën duke u kujdesur për pacientët e infektuar me koronavirus. Një numër i tyre kanë rezultuar pozitivë tashmë për COVID-19.

Kryetari i Odës së Infermierëve, Naser Rrustemaj, ka thënë se deri të dielën kanë rezultuar pozitivë ndaj koronavirusit mbi 250 infermierë, mami e profesionistë të tjerë shëndetësorë.

“Deri të dielën, numri i të gjithë atyre që janë infektuar ka qenë 257. Në këtë numër janë të përfshirë infermerë, mami dhe profesionistë të tjerë shëndetësorë”, ka deklaruar Rrustemaj për Express.

Gazeta Express ka dërguar pyetje edhe në Odën e Mjekëve për të marrë informacione se sa është numri i atyre që kanë rezultuar pozitivë, por në këtë institucion kanë mungesë të informatave.

Kryetari i kësaj Ode, Pleurat Sejdiu, i ka thënë Gazetës Express se po presin që deri në fund të javës t’i sigurojnë këto të dhëna nga delegatët e Odës nëpër komuna.

“Të dhëna të sakta nuk kemi pasi që SHSKUK nuk ka raportuar asnjëherë. Neve jemi duke mbledhur të dhënat nga delegatët e kuvendit të OMK që do jetë i raportuar në fundin e kësaj jave”, ka thënë Sejdiu për Express.

Ndryshe, numri i të prekurve me COVID-19 që po trajtohen në QKUK ka shkuar në mbi 100. Sipas raportit të djeshëm nga Klinika Infektive, Klinika e Pulmologjisë dhe njësia intensive në Mjekësi Sportive, në trajtim janë gjithsej janë 144 pacientë të konfirmuar me Covid-19 pozitiv.

“Në Klinikën Infektive ka 111 raste, në intensive të Mjekësisë Sportive 9 raste, prej tyre, dy të intubuar, kurse në Klinikën e Pulmologjisë janë të shtrirë 24 raste të konfirmuara me Covid-19 pozitiv”, njoftoi dje SHSKUK-ja.

Nga konfirmimi i rasteve të para më 13 mars e deri sot janë regjistruar 3 mijë e 703 raste pozitive me këtë sëmundje, me gjithsej 79 raste të vdekjes të cilët kanë pasur sëmundje të tjera shoqëruese. /Gazeta Express