UEFA ka vendosur një rregull të rreptë përpara finales së Ligës së Kampionëve mes Paris Saint-Germain dhe Inter Milanit.
PSG dhe Inter do të përballen në ndeshjen më të rëndësishme të futbollit evropian të shtunën në mbrëmje në Mynih.
Interi synon të fitojë titullin e parë të Ligës së Kampionëve që nga viti 2010, kur ishin nën drejtimin e José Mourinhos, mes dyshimeve për të ardhmen e trajnerit aktual Simone Inzaghi.
Nga ana tjetër, PSG nuk e ka fituar kurrë këtë kompeticion, ndonëse trajneri i tyre, Luis Enrique, e ka fituar me Barcelonën në vitin 2015.
Për të arritur në finale, PSG ka eliminuar tre skuadra angleze – Liverpool, Aston Villa dhe Arsenal – ndërsa Interi ka mposhtur Feyenoordin, Bayern Munichun dhe Barcelonën.
Ndeshja pritet të jetë një spektakël i madh në Gjermani dhe përfaqëson përmbylljen e sezonit 2024/25 për futbollin evropian në nivel klubesh.
Finalja do të luhet në “Allianz Arena”, stadiumi i Bayern Munichut.
Megjithatë, për shkak të një rregulli të rreptë nga UEFA, stadiumi do të përdorë një emër të ndryshëm ditën e ndeshjes.
UEFA nuk njeh sponsorimet e stadiumeve në dokumentacionin apo komunikimet e saj zyrtare, që do të thotë se emri “Allianz” – një kompani gjermane e shërbimeve financiare me bazë në Mynih – duhet të hiqet përkohësisht.
Për Euro 2024, stadiumi u riemërua si “Munich Football Arena”, dhe pritet që sot të rikthehet zyrtarisht në atë emër për finalen. Allianz ka sponsorizuar stadiumin që nga hapja në vitin 2005 dhe kontrata e tyre zgjat deri në vitin 2033.
Ky rregull ka ndikuar edhe në ndeshjet e Arsenalit në Evropë, ku stadiumi “Emirates” quhet thjesht “Arsenal Stadium” – që përkon edhe me emrin zyrtar të përdorur në kohën kur klubi luante në ish-stadiumin e Highbury.
Rregulli i UEFA-s është aq i rreptë sa emri i sponsorit mund të përmendet vetëm në rast se përdoret nga sistemi i altoparlantëve për arsye sigurie/emergjence, në materiale të paraprintuar si biletat, ose si pjesë e sinjalistikës së përhershme jashtë strukturës së stadiumit./GazetaExpress/