Rrëfimi special i shqiptarit: "Si u futa në suitën e Maradonës, vinte në Tiranë për 100 mijë euro" - Gazeta Express
string(94) "rrefimi-special-i-shqiptarit-si-u-futa-ne-suiten-e-maradones-vinte-ne-tirane-per-100-mije-euro"

Futboll

Gazeta Express

04/12/2020 10:58

Rrëfimi special i shqiptarit: “Si u futa në suitën e Maradonës, vinte në Tiranë për 100 mijë euro”

Futboll

Gazeta Express

04/12/2020 10:58

Një tifoz që është rritur duke parë Maradonën nga TV se si bënte magji me topin në fushë, natyrisht që ka ëndërruar ta ndjekë minimalisht legjendën në një ndeshje “live” nga stadiumi, e aq më tepër ta takojë për të bërë një foto ose marrë një autograf.

Me shumë fat mund të quhet shqiptari që jeton prej më shumë se dy dekadash në Greqi, Drini Çaushi, i cili nuk është një emër i panjohur për opinionin sportiv. Prej kohësh ai është menaxher futbolli, por njihet shumë për fiksimin që ka në koleksionin e fanellave të skuadrave.

Lexo Edhe:

Drini është një i çmendur pas Maradonës që prej vitit 1980, por mbi të gjitha ka pasur shansin ta takojë dhe bisedojë nga afër me legjendën e futbollit. Një histori shumë e bukur që 47-vjeçari e rrëfen për “Panorama Sport”.

Drini, kur e keni ndjekur për herë të parë Maradonën dhe si u bëtë tifoz i çmendur i tij?

Si çdo fëmijë që ndjek futbollin, e ka një idhull. Për mua ai ishte Diego Armando Maradona. Ka qenë viti 1980, kur unë kam ndjekur një ndeshje miqësore mes Argjentinës dhe Brazilit. Aty jam dashuruar me lojën e Maradonës. Në atë ndeshje fitoi Argjentina me golin e tij. Isha vetëm 7 vjeç dhe u bëra i çmendur pas Diegos.

E kisha idhull në çdo gjë që bënte, por në vitet e komunizmit që po jetonim në Shqipëri, nuk e imagjinoja ndonjëherë se do të vinte dita që do të takoja Diegon. Ishte një ëndërr që nisi të mendohej edhe më shumë kur u hapën kufijtë dhe unë më pas emigrova në Greqi. Që atëherë kam ëndërruar se kjo do të bëhej realitet. Të gjithë në Tiranë në vitet ’80-’90 më njihnin mirë dhe sa i çmendur isha për Maradonën.

Çfarë të thoshnin miqtë?

Është e çuditshme sepse të gjithë në ato vite më thërrisnin: Diego Çaushi dhe jo Drini Çaushi. Si rezultat i çmendurisë sime për Maradonën, tani që ai humbi jetën, ndoshta nuk ju besohet, por në adresën time kanë ardhur me qindra mesazhe ngushëlluese nga miq e shokë ndër vite, duke ditur që unë e kam idhull. Kam luajtur vetë futboll dhe në ato vite mundohesha ta imitoja Maradonën në çdo gjë. Edhe në bankat e shkollës çdo gjë që shkruaja ishte pikërisht rreth tij, formacionit të Argjentinës dhe Napolit.

Thatë që ëndërronit ta takonit një ditë Diegon…

Po, kjo ishte ëndrra ime. Kur jetoja në Shqipëri e shikoja si diçka të parealizueshme, por fati bëri që unë ta realizoja këtë ëndërr.

Cili ka qenë kontakti juaj i parë?

Kontakti im i parë nga afër me Maradonën ka qenë në vitin 2005.

Si ndodhi?

Në nëntor të vitit 2005 ai erdhi në Greqi. Ishte i ftuar nga klubi i Olimpiakosit dhe firma sportive, “Puma”. Erdhi shumë mbipeshë dhe në një gjendje psikologjike të rënduar. Reagonte në mënyrë shumë të çuditshme. Pra, Diego i madh ishte i paparashikueshëm edhe kur e kishe një metër afër…

Pse, çfarë bënte?

Bënte veprime të çuditshme, nuk i duronte dot njerëzit. Siç ishte në lojë, ishte edhe në jetë, i paparashikueshëm. Në ato dy ditë që qëndroi në hotelin “Grand Bretanja” në Athinë, shkatërroi gjithë suitën. I theu të gjitha çfarë ishin në dhomë, pasi nuk kishte rënë dakord me sponsorin për shifrën që duhet të merrte pas ardhjes në Greqi.

Gjithë ky acarim u kuptua sapo ai doli nga hoteli, ku me mijëra fansa e prisnin. Ishte një tërbim i jashtëzakonshëm nga Diego, pasi nuk pranonte njëri t’i afrohej. Por, unë i gjeta mënyrën, duke rënë në sy me diçka që mendoja se ai do të qetësohej kur të më shikonte.

Si veprove?

Isha veshur i gjithi me kostumin e Bokës. Sapo Maradona doli nga hoteli, iu afrova dhe e përqafova, por ishte e pamundur të bëja fotografi. Ishin shumë njerëz aty dhe u bë e pamundur.

Dhe çfarë ndodhi më pas?

Mësova që Diego do të largohej nga Athina në orën 4 të mëngjesit. Përmes një mikut tim në kompaninë e sigurimit që shoqëronte Maradonën, mora vesh se ai do të udhëtonte nga Greqia në Zvicër, e më pas direkt në Buenos Aires. Kam shkuar që në orën 2 të mëngjesit dhe e kam pritur bashkë me një shok që më shoqëronte në hollin e hotelit.

Cili ishte reagimi i tij kur iu afruat?

Ka reaguar shumë keq. Sapo iu afrova, iku direkt pa më pranuar të bëja të paktën foto. Në atë moment ëndrra ime për të biseduar me Maradonën, të paktën të qëndroja 2 minuta me të, u zbeh. Megjithatë, jam njeri me fat, sepse duke qenë se Olimpiakosi e bëri Maradonën anëtar nderi të klubit, pas vetëm 7 muajsh, ai erdhi sërish në Athinë. Bëhet fjalë për qershorin e vitit 2006, kur Olmpiakosi festonte titullin dhe me ftesë të presidentit Kokalis, Diego vizitoi sërish Greqinë.

Çfarë kishte ndryshe për herë të dytë?

Këtë herë ishte komplet ndryshe situata. Maradona vjen në Athinë “fit”, siç i themi ne shqiptarët sa i përket shëndetit. Nuk ishte më ai Diego me shumë kile, por ndryshimi i madh ishte se këtë herë dukej më miqësor me njerëzit. Vinte nga një operacion në Paraguai me unazë në stomak. Nga ana psikologjike ishte komplet tjetër njeri. Reagonte shumë mirë dhe këtë herë nuk kishte shans të më ikte si rast. Isha shumë i përgatitur që ta takoja patjetër.

Çfarë kujtoni nga ato që i cilëson si përgatitje?

Kisha marrë të gjitha informacionet se kur Diego do të vinte në Athinë, ku do të qëndronte, me orare të sakta. Fillimisht isha njohur me orën e mbërritjes në aeroport. Mirëpo, sapo shkova në aeroport, aty bëhej nami me gazetarë dhe fansa. Unë kisha bërë një veshje që të bija në sy dhe menjëherë nisën përfaqësuesit e medias të më pyesnin, duke menduar se unë isha nga Argjentina. Sapo erdhi Diego, menjëherë më përshëndeti mua të parin dhe ambienti kujtoi se isha një person që e kisha takuar më parë. Ishte shumë impulsiv dhe direkt më përshëndeti sapo kuptoi se kisha veshur uniformën e Boka Zhuniors. Isha i vetmi person në aeroport që Maradona erdhi dhe m’u afrua. Bëra fotografitë e rastit me Maradonën dhe mbaj mend që ka qenë e shtunë, ndërsa një ditë më pas do të bëhej festa në stadium për titullin e Olimpiakosit. Si vazhduan orët më pas? Edhe unë në çdo hap pas Diegos. Shkova te hoteli, ku ishte izolim total. Prita gjatë, ishte e pamundur të futesha. Megjithatë, shpresa e madhe ishte në stadium të nesërmen.

Çfarë donit të bënit më shumë se sa një foto?

Kisha tri fanellat me vete që doja të m’i firmoste autograf dhe do të ishte peng nëse nuk realizohej.

Në stadium si ia bëtë?

Me ndihmën e një mikut tim që punon te stadiumi i Olimpiakosit, hapi i parë ishte të siguroja një vend në tribunën qendrore, pra të isha sa më afër vendit ku do të qëndronte Maradona. Ishte festë e madhe dhe interesim i jashtëzakonshëm prej faktit që Diego do të ishte prezent. Për fat, gjeta pozicionin e duhur në vendin ku do të kalonte Maradona, pikërisht afër tunelit, që këtu në Greqi i thonë “fisuna”. Diego doli në fushë, bëri prezantimin me Rivaldon dhe Kastijon, meqë ata ishin latinë. Pasi u takua me të gjithë lojtarët, u kthye sërish me drejtim nga tuneli. Sapo afrohet, më shikon mua me kostumin e Bokës dhe reagon direkt. Ky është një episod i filmuar nga të gjitha mediat në atë kohë dhe ekziston ende video në “youtube”. Në momentin që po vinte afër tunelit, që të shkonte në një nga suitat e tribunës VIP, më thotë: “hidhe bluzën…”. Menjëherë i hodha fanellën e Napolit, të cilën e firmosi në çast, por duke qenë një rrëmujë e madhe, bashkë me shoqëruesit, harroi të ma kthente dhe e mori me vete.

Nuk ta ktheu më?

Ky ishte hall i madh sepse unë duhet të merrja patjetër bluzën. Mirëpo, struktura e stadiumit të Olimpiakosit është e tillë, që suita ndodhet sipër tifozëve. Të shkoja deri te Diego dukej si mision i pamundur në ato kushte me një siguri të madhe. Mirëpo, nuk e kisha edhe aq larg vendin ku ai u ul dhe gjeta një mundësi për t’i shkuar afër. Sapo ktheu një moment kokën tifozët, i kërkova të më jepte bluzën. Në këtë moment Maradona bën një reagim të mrekullueshëm.

Çfarë reagimi?

Urdhëron forcat e sigurisë që të më shoqëronin të hipja sipër në suitën ku ai ndodhej. Aq doja dhe menjëherë nisa të shkoja, por kontrollet e shumta deri te Diego më bënë që të pengohesha disa herë. Ishte rrëmujë, por megjithatë gjeta një mundësi që të prisja në restorantin që ndodhej ngjitur dhe sërish ia dola për të realizuar ëndrrën. Në momentin e parë përballem me rojet dhe u flas spanjisht. Shoqëruesit ishin pak të paqartë, por një prej tyre e mbante mend që Diego më kishte kërkuar dhe më lejuan të futesha pikërisht aty ku qëndronte Maradona. Duke ecur, përballem me aktorin e famshëm grek, Kosta Shomeri. Më pas direkt Diego. Pasi u përshëndetëm, më firmosi të tria fanellat që kisha më vete. Më pas Maradona më pyet: “Nga cili vend je?”. I tregova që jam shqiptar dhe përtej emocionuese që kisha, ishte momenti i duhur për t’i thënë diçka.

Cila ishte më konkretisht biseda që bëtë?

I thashë që ke shkuar në gjithë Ballkanin dhe vetëm në Shqipëri nuk ke ardhur, duke i treguar se sa shumë fansa ka në vendin tonë. Në këtë moment, siç ishte duke pirë puron e Fidel Kastros, më thotë: “Pse jo, mund të vij. Fol me Erikun dhe nuk ka asnjë problem…”. Në fakt, unë nuk e dija se kush ishte ky person me emrin Erik, por bëhej fjalë për menaxherin e Maradonës, Erik Manas. Aty menjëherë siguroj edhe kartëvizitën e tij.

Si vazhdoi historia?

Gjithçka ndodhi për punë minutash, pasi me menaxherin u takova në atë moment dhe e pyeta direkt: “Sa para duhen që Maradona të vizitojë Shqipërinë për të marrë pjesë në një event…?” Përgjigjja e tij ishte direkte: “Siguroni 100 mijë euro dhe e sjell Diegon në Tiranë”. Ishte diçka magjike, pasi mund të shfrytëzonim një miqësore dhe Maradona të futej në fushë dhe të luante disa minuta në “Qemal Stafa”. Pas kësaj bisede u lumturova shumë sepse kisha një bindje që mund ta realizoja edhe këtë ëndërr të dytë, nëse mund ta quaj kështu. Unë kam punuar në ato vite me një kompani greke menaxhimi që kishte lidhje me të drejtat televizive të Kombëtares shqiptare. Duke pasur shumë miq dhe shok në ekipin Kombëtar, fillimisht kontaktoj Edvin Muratin për t’i dhënë këtë ide.

Çfarë i thatë Muratit?

I kërkova të fliste me presidentin e FSHF-së, Armand Duka, sepse duke u futur ai në këtë mes, bëhej edhe më e besueshme një organizim i tillë. Shifra prej 100 mijë eurosh nuk ishte diçka e madhe, pasi për një event të tillë mund të bëheshin bashkë 10 kompani dhe sikur nga 10 mijë euro secila të shpenzonte, do të bëhej diçka e bukur. Kjo ishte ideja, por që për fat të keq mbeti vetëm në letër për disa arsye.