Rrëfimi për vajzat që familja u ndau hise sikur djemve - vazhdojnë përpjekjet për barazi në trashëgiminë e pronës - Gazeta Express
string(111) "rrefimi-per-vajzat-qe-familja-u-ndau-hise-sikur-djemve-vazhdojne-perpjekjet-per-barazi-ne-trashegimine-e-prones"

Lajme

Merita Miftari

04/02/2025 18:07

Rrëfimi për vajzat që familja u ndau hise sikur djemve – vazhdojnë përpjekjet për barazi në trashëgiminë e pronës

Lajme

Merita Miftari

04/02/2025 18:07

Përkrahja që kanë marrë tri vajza dhe një djalë në ndarjen e pronave në një familje të Kosovës, është një shembull i fuqishëm i ndryshimit të mentalitetit dhe trajtimit të barabartë të grave në procesin e trashëgimisë, ashtu siç e përcakton ligji. Procesi i ndarjes së pronës i shoqëruar me mbështetje nga familja, përfaqëson një hap të rëndësishëm për fuqizimin e gruas dhe ndihmon në shkatërrimin e barrierave tradicionale të shoqërisë sonë. Vajza e re me inicialet A.B., në një intervistë për Gazetën Express, ndan me ne historinë e familjes së saj, duke theksuar se iniciatori i këtij vendimi ishte babai, i cili trashëgimtarë të pronave i bëri vajzat dhe djalin e tij.

Këto vajza, të suksesshme në profesionet e tyre, me mbështetjen e babait dhe vëllait, janë trashëgimtare, pavarësisht traditave që përceptojnë pronën si “një të drejtë ekskluzive të burrave”.

Në vendin ku Kushtetuta ua garanton të drejtën për pronë të gjithëve, sipas disa të dhënave të prezantuara më parë, më pak se 20 për qind e pronave të paluajtshme janë të regjistruara në emër të grave.

Sipas të dhënave të Agjencisë Kadastrale të Kosovës, janë 1,927,732 prona të regjistruara në emër të burrave dhe 410,927 prona të regjistruara në emër të grave.

Vajza, A.B. ndjehet tejet e vlerësuar me përkrahjen e familjes në këtë proces.

 “Para se babai im ta përmendte këtë çështje, të them të drejtën mua nuk më ka shkuar mendja që të diskutojë për të, mirëpo në momentin që ai ka thënë që dëshiron që gjithë tokën që e ka në pronësi të tij ta ndaj në pjesë të barabartë mes tri vajzave dhe një djali unë jam ndjerë shumë mirë, jam ndjerë e vlerësuar. Mirëpo ne motrat kemi refuzuar të marrim shumë tokë për shkak se konsiderojmë që nuk na duhet, andaj unë dhe njëra motër kemi marr nga 10 ari, ndërsa motra tjetër asnjë. Pra kjo ka qenë diçka që na është lënë në dorën tonë të vendosim pavarësisht insistimit të babait që toka të ndahet në mënyrë të barabartë. Për mua ka qenë ndjenjë akoma më e mirë kur përveç babait, në këtë çështje shumë përkrahës është treguar edhe vëllai. Procedurat për ndarjen e tokës nuk i kemi filluar akoma, por besoj që kjo çështje do të përfundojë brenda këtij viti”, tha vajza A.B., për Gazetën Express.

Ajo vlerëson se kur vajzat trashëgojnë pronën, bindja e shoqërisë sonë i çon drejt paragjykimeve se “pronat u shkojnë dhëndurëve”.

“Konsideroj që akoma nuk është arritur një shkallë e vetëdijesimit ku gratë i gëzojnë të drejtat pronësore pa i kërkuar dhe pa qenë diskutim nëse duhet t’i marrin ose jo. Akoma nuk është bërë traditë që gratë t’i marrin pronat që ju takojnë, njëjtë siç ndodh tradicionalisht me burrat. Besoj që këtu ndikon paragjykimi që nëse pronat i lihen vajzave, atëherë ato u shkojnë dhëndurëve”, tha ajo.

E pyetur nëse ndjehet më e fuqishme në aspektin financiar dhe më e sigurtë për të ardhmen, ajo përmend përparësitë që ka kur ke pronë mbi vete.

“Të pasurit pronë sigurisht që të bën të fuqishme dhe jo vetëm në aspektin financiar. Në momentin që t’i merr diçka që aktualisht të takon atëherë kjo do të thotë shumë mbi rolin tënd si person në familje dhe në shoqëri. Po ashtu nëse rrezikon të mbetesh pa asgjë, të pasurit një pronë të jep më shumë garanci, thënë shkurt ke nga t’ia fillosh përsëri”, shprehet e reja.

A.B., konsideron se burrat duhet të vetëdijësohen që pronën e prindërve ta ndajnë me motrat e tyre.

“Përveç që gratë duhet t’i kërkojnë të drejtat e tyre mbi trashëgimin e pronës së prindërve, gjithashtu burrat duhet të vetëdijesohen që pronën e prindërve ta ndajnë me motrat e tyre. Kështu do të arrihet një praktikë që më pas bëhet edhe mënyrë e të menduarit dhe të vepruarit”, përfundoi A.B.,.

Intervistë me Bleta Gashi, thirrje për ndryshim të thellë në shoqëri 

Bleta Gashi, redaktore e Lajmeve Qëndrore në ATV, e cila është nënë e dy fëmijëve, pohon se të drejtën pronësore do ta gëzojnë njësoj si djali ashtu edhe vajza e saj.

“Patjetër që fëmijët e mi do të gëzojnë pronën në mënyrë të barabartë. Këtë çështje e kemi diskutuar me bashkëshortin ende pa u bërë prindër, në kohën kur për të drejtën në trashëgimi mësonim bashkë në nivelin Master-drejtimi Marrëdhënie Ndërkombëtare në Fakultetin Juridik të Universitetit të Prishtinës. Mendoj që nga këtu vjen edhe vetëdijesimi ynë për këtë të drejtë, e cila, fatkeqësisht, vazhdon të mos respektohet në shoqërinë tonë.  Kështu që në familjen tonë më nuk diskutohet se a duhet të iu takoj kjo e drejtë të dyve, por diskutojmë për të ardhmen dhe mënyrat se si ata, përmes punës tonë të gëzojnë sa më shumë të mira nga ne, në mënyrë të barabartë”, jep mesazhin e fuqishëm redaktorja Gashi për Gazetën Express.

Redaktorja Gashi ka kursime të përbashkëta për fëmijët e saj dhe nuk krijon ndasi.

“Fëmijët tanë janë ende të vegjël, kështu që ne paratë për ta i kursejmë në një vend të përbashkët. Këtë e bëjmë për të qenë më të qetë dhe më të sigurt për të ardhmen e tyre”, tha Gashi.

Sipas Gashit, kursimet ndihmojnë shumë fëmijët për të ardhmen e tyre, e në veçanti vajzat. Madje përmend “një diskriinim” karshi djalit, shkak i përvojës që grave kosovare u ka lënë e kaluara.

“Në fakt, në këtë situatë në të cilën jemi, ku kjo e drejtë nuk respektohet në nivelin e duhur, sepse referuar statistikave zyrtare, vetëm 20 për qind e pronave të paluajtshme janë të regjistruara në emër të grave, atëherë mendoj se vetëm përmes investimit që nga fëmijëria, do të mund të iu sigurojmë vajzave trajtim të barabartë më vonë. Për të qenë e sinqertë, unë kur mendoj për shkollimin e dy fëmijëve të mi, pavetëdijshëm mendoj më shumë për vajzën. Pra nëse do të duhej të zgjidhja mes të dyve një shkollë më të mirë-pa asnjë dyshim do ta dërgoja vajzën para djalit. Ky, e pranoj se është diskriminim karshi djalit, por mendoj që kjo është pasojë e asaj çfarë neve femrave na ka lënë e kaluara”, theksoi Gashi.

Gashi nuk ndikohet aspak nga opinionet e shoqërisë për mënyrën se si ajo më bashkëshortin i rrisin fëmijët e tyre.

“Fatmirësisht, deri më tani perceptimet e shoqërisë nuk kanë ndikuar në mënyrën se si ne i rrisim fëmijët tanë”, tha Gashi për Gazetën Express.

E pyetur se çfarë do të ndryshonte në vendin tonë në mënyrë që fëmijët të kenë mundësi të barabarta për të trashëguar pronën pavarësisht se cilës gjini i takojnë, Gashi thekson se në Kosovë “duhet kuptuar një herë e mirë se e drejta në trashëgimi vlen njëlloj si për burrat ashtu edhe për gratë”.

Gjithashtu, u bën thirrje institucioneve që të vetëdijësojnë qytetarët që pasuria të regjistrohet në emër të burrave dhe grave.

“Do të doja të ndryshohej perceptimi i gabuar i shoqërisë sonë së vajza/gruaja duhet ta kërkojë ta drejtën për pronë, sepse nëse nuk e kërkon nuk i takon asgjë. Mendojë që kjo mënyrë e të menduarit është ende prezente dhe më shumë e theksuar në vendet rurale, ku përfshirja e vajzave në trashëgiminë familjare vazhdon të mbetet në suazat e tabusë brenda vetë familjeve, ndonëse kjo çështje formalisht, nuk është tabu në kuadër të trajtimit ligjor dhe institucional. Duhet kuptuar një herë e mirë se e drejta në trashëgimi vlen njëlloj si për burrat ashtu edhe për gratë. Dhe, derisa institucionet nuk angazhohen më shumë në këtë drejtim, konsideroj që duhet të kaloj kohë dhe ndryshim i gjeneratave që ky perceptim të ndryshoj. Megjithatë, unë shoh elemente se situata do të shkoj drejtë përmirësimit me ritme më të shpejta, për vetë faktin se ne sot shohim plotë çifte të reja të cilat rrisin vetëm vajza, pa e ndjerë nevojën që të kenë një djalë, i cili “do të trashëgonte gjithçka”. Poashtu, mendojë që institucionet duhet të bëjnë më shumë në vetëdijesimin e qytetarëve që pasuria e përbashkët duhet regjistruar gjithmonë në emrin e dy bashkëshortëve. Kjo, besoj është pikënisje se si pastaj trajtohet kjo çështje edhe me fëmijët”, tha Gashi.

Breznica: Qasja në prona ju ofron siguri grave që ato të largohen nga ambientet abuzive

Besarta Breznica nga Rrjeti i Grave të Kosovës, në një intervistë për Gazetën Express, përmend rëndësinë që gratë të kenë prona në emrin e tyre, përshembull, në rast se gratë kanë pavarësi financiare nuk do të qëndronin në ambiente dhune.

“Qasja në trashëgimi dhe ndarja e barabartë e pronave si tek burrat ashtu edhe tek gratë është një e drejtë e garantuar me ligjet ekzistuese të Kosovës. Mirëpo ndarja e trashëgimisë vazhdon ende të mbetet një problematikë në Kosovë pasiqë gratë janë të përjashtuara nga kjo e drejtë. Mohimi në ndarje të barabartë të trashëgimisë brenda familjeve mbetet një nga format e dhunës që gratë përjetojnë në Kosovë. Sidoqoftë qasja në prona ju ofron siguri grave që ato të largohen nga ambientet abuzive në çdo kohë kur integriteti dhe siguria e tyre rrezikohet”, tha Breznica për Gazetën Express.

Breznica vë në pah faktin se trashëgimia dhe pavarësia ekonomike ua bëjnë grave jetën më të lehtë.

“Kur gratë kanë të ardhura të qëndrueshme dhe qasje në pronë, ato janë më pak të varura nga partnerët apo familjarët që mund të jenë abuzues. Mirëpo dhuna në familje ndodhë edhe kur një grua është e pavarur financiarisht por në rastet kur gratë kanë siguri financiare apo edhe kanë trashëguar pronë janë më të sigurta për të mos jetuar më në ambiente të tilla. Edhe pse edhe tek gratë të cilat gëzojnë pavarësi ekonomike, puna jonë me raste, na ka treguar se një viktimë e dhunës në familje jeton në ambiente abuzive për vite me radhë deri të arrin tek vendimi i raportimit të dhunës dhe mos tolerimi i sjelljeve abuzive. Sidoqoftë, pavarësia ekonomike dhe trashëgimia padyshim që krijojnë lehtësira për gratë, viktimat e dhunës në familje, që ato të raportojnë dhunën dhe të largohen nga partnerët apo familjarët abuziv”, tha Breznica.

E pyetur se a ka raste kur gratë kthehen tek dhunuesit për shkak s’e s’kanë prona ku të shkojnë, Breznica tha:

“Ka shumë faktorë që ndikojnë që një grua, viktimë e dhunës në famjilje, të kthehet për të jetuar tek partneri dhunues. Këtu përfshihen kërcënimet e ndryshme, mosmbështetja e familjes por patjetër edhe mungesa e pronës dhe pavarësisë ekonomike. Megjithatë duhet të mirret parasysh fakti që Kosova ka strehimore të cilat ofrojnë strehim për gratë viktima të dhunës në familje gjithashtu edhe disa nga komunat mbështesin viktimat e dhunës në familje me strehim derisa ato të bëjnë zgjidhje. Puna jonë me raste gjithmonë na tregon që kur një viktimë e dhunës në familje kthehet për të jetuar në ambiente abuzive dhuna përsëritet. Gjithashtu mostrajtimi i duhur nga ana institucioneve dhe dënimet e ulëta në raste të tilla kanë shkaktuar raste recidive”, u shpreh ajo.

Jetishi-Çollaku: Shoqëritë tradicionale i kanë vendosur gratë në role ku ato nuk kanë qasje të barabartë, duke i bërë të varura nga të ardhurat e burrave

Psikologe Klinike Prof. Ass. Dr. Pranvera Jetishi-Çollaku, e cila udhëheq Qendrën për Mirëqenie Psikologjike, Hulumtim dhe Mbështetje Edukative “MIND CARE”, përmed shumë faktorë që çojnë në varësi ekonomike të grave nga bashkëshortët apo partneret e tyre.

Gjithashtu, ajo vë theksin edhe tek shëndeti mendor dhe emocional i grave “të varura financiarisht”.

“Varësia ekonomike e grave nga bashkëshortët është një fenomen që ndikohet nga faktorë socialë, ekonomikë, ligjorë, kulturorë dhe individual, duke pasur ndikime të thella në shëndetin e tyre mendor dhe mirëqenien personale. Shoqëritë tradicionale shpesh i kanë vendosur gratë në role ku ato nuk kanë qasje të barabartë në arsim dhe punësim, duke i bërë të varura nga të ardhurat e burrave. Kjo varësi jo vetëm që kufizon autonominë e tyre, por gjithashtu mund të çojë në stres, ankth dhe depresion, veçanërisht në rastet kur gratë për një kohë të gjatë ndihen të pafuqishme për të marrë vendime për jetën e tyre”, tha psikologe klinike Jetishi-Çollaku për Gazetën Express.

Psikologia klinike Jetishi-Çollaku, përmend faktin se normat shoqërore shtyejnë gratë drejt kujdesit për familjen, duke ua mohuar liritë fianciare e sociale.

“Një ndër faktorët kryesorë që e përforcon këtë varësi është edhe diskriminimi në tregun e punës, ku gratë shpesh paguhen më pak ose nuk kanë mundësi të avancimit profesional. Për më tepër, mungesa e mbështetjes sociale, siç janë pushimet e shkurtra të lehonisë, mungesa e çerdheve apo kosto e lartë e tyre, si dhe vështirësitë në kujdesin alternativ të fëmijëve e bëjnë shumë të vështirë për gratë që të balancojnë jetën profesionale dhe familjare. Përveç kësaj, normat kulturore dhe pritshmëritë shoqërore shpesh i shtyjnë gratë drejt kujdesit vetëm për familjen, duke u mohuar atyre lirinë financiare dhe sociale”, shprehet ajo..

Fatkeqësisht, në shoqërinë tonë ka gra që qëndrojnë në marrëdhënie të pashëndetshme për të siguruar mbijeteën ekonomike, përmend psikologia klinike.

“Kur një grua ndjen se është e varur ekonomikisht nga partneri i saj, kjo mund të shkaktojë shumë pasiguri dhe ndjenja të humbjes së kontrollit mbi jetën e saj. Mund të ndihet e pafuqishme, e pambrojtur, e paaftë për të marrë vendime të pavarura. Kjo mund të shkaktojë stres, ankth, apo edhe depresion, si dhe të ndihmojë në krijimin e një ndjenje të varësisë emocionale, ku gruaja mund të qëndrojë në një marrëdhënie që nuk është e shëndetshme vetëm për të siguruar mbijetesën ekonomike”, tha Jetishi-Çollaku.

Mungesa e pronave u shkakton pasiguri grave dhe ndikon direkt në vetëbesimin e tyre, vlerëson psikologia.

“Kur gratë nuk kanë të drejta pronësore, po ashtu mund të shkaktojë pasiguri dhe pabarazi brenda marrëdhënieve familjare. Mungesa e pronësisë mund të ndikon direkt në vetëbesimin dhe të ndihmojë në mbajtjen e një pozite pasive, ku gratë ndihen të kontrolluara, të varura dhe të kufizuara në mundësitë e tyre për të marrë vendime të pavarura”, thekson ajo.

E pyetur se sa është i rëndësishëm edukimi dhe ndërgjegjësimi i grave në lidhje me të drejtat e tyre pronësore, Jetishi-Maloku tha:

“Edukimi dhe ndërgjegjësimi mbi të drejtat pronësore janë thelbësore për fuqizimin e grave dhe për t’i ndihmuar ato të ndërtojnë një jetë më të sigurt dhe më të pavarur. Kur gratë janë të informuara për të drejtat e tyre ligjore, ato mund të marrin vendime të mëdha për të drejtat e tyre pronësore, të bëhen më të pavarura dhe më të fuqishme në marrëdhëniet e tyre, duke i dhënë mundësinë të luftojnë më mirë për barazinë dhe të drejtat e tyre”.

Psikologia thekson se gratë që qëndrojnë në marrëdhënie abusive për shkak të varfërisë ndjehen të bllokuara e të pashpresa.

“Pasojat psikologjike afatgjata mund të përfshijnë trauma të thella, humbje të vetëbesimit, ankth, depresion dhe çrregullime të tjera mendore. Gratë që qëndrojnë në marrëdhënie abuzive për shkak të varfërisë mund të ndihen të bllokuara, të pa shpresa dhe pa mundësi për të shpëtuar nga situata. Mbështetja për ato duhet të jetë e shumëanshme duke filluar nga mbështetja financiare, shërbimet psikologjike, dhe mbështetja ligjore për të siguruar mbrojtje. Krijimi i një rrjeti të sigurt dhe të besueshëm që ofron ndihmë të vazhdueshme është çelësi për të ndihmuar gratë të dalin nga cikli i dhunës”, tha Jetishi-Çollaku.

Si përfundim, Jetishi-Çollaku, pohon se pabarazia ekonomike ka ndikim të drejtpërdrejtë në shëndetin mendor të grave, i cili përcillet me nivele të larta stresi dhe ankthi.

“Pabarazia ekonomike ka ndikim të drejtpërdrejtë në shëndetin mendor të grave. Gratë që përjetojnë varësi ekonomike, dhunë apo mungesë të mundësive të barabarta mund të zhvillojnë nivele të larta stresi, ankthi dhe depresioni. Stresi për t’u përballur me vështirësitë ekonomike dhe për të siguruar një jetë të mirë për veten dhe për fëmijët mund të jetë tejet i madh. Gjithashtu, ndjenja e paaftësisë për të ndryshuar situatën mund të ndikojë shumë negativisht në shëndetin mendor, duke e bërë shumë të vështirë funksionimin e gruas në familje dhe më gjerë”. 

Ajo përmend mbështetjen ligjore si hap të rëndësishëm që gratë të kenë një mjedis të sigurt.

“Në një shoqëri ku gratë vazhdojnë të përballen me pabarazi ekonomike, fuqizimi i tyre përmes arsimit, ndërgjegjësimit dhe mundësive për pavarësi financiare është thelbësor. Mbështetja ligjore, shërbimet mbrojtëse dhe ndryshimet në normat shoqërore janë hapa të domosdoshëm për të ndërtuar një mjedis më të sigurt dhe të drejtë, ku gratë mund të realizojnë potencialin e tyre dhe të jetojnë me një mirëqenie më të mire”.

Ndarja e pasurisë para dhe gjatë martesës

Avokati Arber Jashari shpjegon se ligji është i qartë në lidhje me pasurinë e bashkëshortëve, duke ndarë pasurinë e fituar para martese si pasuri të veçantë dhe atë të fituar gjatë martesës si pasuri të përbashkët. Ai thekson gjithashtu rëndësinë e regjistrimit të pasurisë së paluajtshme në emër të të dy bashkëshortëve.

“Ligji është i qartë sa i përket pasurisë së përbashkët të bashkëshortëve. Ajo që është fituar para se të lidhet martesa nga ana e tyre konsiderohet, pasuri e veçantë, e secilit prej tyre, ndërsa ajo pasuri që fitohet ose shtohet gjatë jetës së përbashkët bashkëshortore, me kontributin e të dyve është pasuri e përbashkët.  Sipas nenit 42 të Ligjit për Familje: “Bashkëshortët në martesë janë të barabartë, në të gjitha marrëdhëniet personale dhe pronësore. Po ashtu sipas Ligjit pasuria e paluajtshme (toka, banesat) duhet të regjistrohet në Regjistrin Publik të Palujtshmerive në emër të dy bashkëshortëve”, tha Jashari për Gazetën Express

Avokati Jashari shpjegon se si duhet vepruar gratë për ndarjen e pasurisë së përbashkët në rast të divorcit.

“Pikë e parë gratë duhet t’i njohin mirë të drejtat e tyre pronësore. Pastaj në rast të divorcit, të kërkojnë që mospajtimet t’i zgjidhin me marrëveshje. Nëse për çfarëdo arsye nuk është e mundshme të realizohet marrëveshje për ndarjen e pasurisë së përbashkët, atëherë duhet të ushtrojnë padi në gjykatë, për pjesëtimin e pasurisë. Zakonisht gjykatat i trajtojnë ndaras kërkesat për shkurorëzim, të cilat konsiderohen lëndë urgjente dhe ato për ndarje të pasurisë, qe mund të marrin vite te tëra’, tha ai.

Avokati Arber Jashari thekson se problemi kryesor në kontestet për ndarjen e pasurisë është vështirësia e grave për të provuar kontributin e tyre, sidomos kur nuk kanë pasur të ardhura financiare. Megjithatë, gjykata duhet të marrë parasysh edhe kontributet jo financiare si kujdesi për fëmijët dhe punët e shtëpisë.

 “Problemi më i madh kontestet për ndarjen e pasurisë është se gratë e kanë më të vështirë ta vërtetojnë kontributin e tyre, në shtimin ose krijimin e pasurisë. Kjo duke qenë se ka gra që gjatë martesës nuk kanë realizuar të ardhura financiare, për shkak se kanë qenë të pa puna. Gjithsesi Gjykata është e obliguar qe ta marr për bazë edhe ndihmën e bashkëshortit e afruar bashkëshortit tjetër, siç është kujdesi për fëmijët, udhëheqja e punëve të shtëpisë, përkujdesja dhe mirëmbajtja e pasurisë, si dhe çfarëdo forme tjetër e punës dhe e bashkëpunimit lidhur me administrimin, mirëmbajtjen dhe shtimin e pasurisë së përbashkët.

Problemi tjetër që kam hasur në praktikë është kur bashkëshortet, nuk i kanë formalisht pronat në emër të vet, por ta zëmë baballarëve te tyre, apo anëtareve tjerë të familjes, çka e vështirëson shume realizimin e te drejtave nga bashkëshorti tjetër”, përfundoi ai.

Gjendja e regjistrimit të pasurisë në Kosovë nuk është e kënaqshme, pasi më pak se 20% e pronave janë të regjistruara në emër të grave. Në Kosovë janë akoma prezente bindjet tradicionale që e shohin pronën si “pasuri të burrave”.

Sipas Ligjit për Trashëgiminë, ndarja e pasurisë bëhet në mënyrë të barabartë, pa përjashtuar njerëzit në baza gjinore. Parashihet edhe opsioni për largimin në mënyrë vullnetare nga trashëgimia./Gazeta Express