Duke e cilësuar veten si “një prej mbrojtësve më të mëdhenj” të Lumir Abdixhikut prej vitesh, Gazmend Muhaxheri shpjegoi mbrëmë në Pressing në T7 arsyet e tij për të kërkuar largimin e kryetarit të LDK-së tash. Muhaxheri foli për bisedat me Abdixhikun, të cilit tha se ia ka kërkuar dorëheqjen personalisht në zyrë. Vetë tha se nuk do të kandidojë për kryetar të partisë nëse Abdixhiku shkarkohet të enjten, por tregoi se pretendime për ta marrë drejtimin e partisë mund të kenë disa të tjerë.
Gazeta Express
Gazmend Muhaxheri, një prej zyrtarëve më të rëndësishëm të Lidhjes Demokratike të Kosovës, kishte shtyrë fort që Lumir Abdixhiku të bëhej kryetar i partisë më të vjetër në vend në mars të vitit 2021.
Tash, ai kërkon largimin e tij nga drejtimi i LDK-së dhe e konsideron të “gabueshme” mbështetjen që ia kishte dhënë. Për këtë “gabim”, tha se edhe ai vetë ka dhënë dorëheqje nga pozita e nënkryetarit.
Muhaxheri ishte mbrëmë në Pressing në T7, ku foli edhe për kohën kur Abdixhiku u ngjit në krye të partisë.
“Në atë proces, ne që kemi besuar që duhet të bëhen ndryshime, e kemi mbështetë një opsion, në të cilin është menduar se duhet ta zgjedhim një djalë të ri, të dijshëm, të pashëm, i cili do t’i prijë Lidhjes Demokratike në proceset e ardhshme. Dhe unë vetë kam qenë përkrahësi më i madh i kësaj iniciative dhe në një studio televizive diku kam deklaruar që ne e kemi zgjidhë problemin e kryetarit për 20 vitet e ardhshme”, tha ai.
Mbështetjen që Abdixhiku e kishte prej tij, Muhaxheri tha se “s’do ta kishte ndoshta as djali im”.
Por, “nuk ka pasur sukses”, tha Muhaxheri.
“Në tri palë zgjedhje kemi shku duke ra, jo duke u rritë. Edhe përkrahja për kryetarin ka shkuar duke rënë”, tha ai.
Mbi 135 mijë votat që i mori LDK-ja në zgjedhjet fundit parlamentare më 7 qershor nuk e kënaqin Muhaxherin. Ajo mori 16.69% të votave dhe sërish u rendit e treta – për herë të katërt radhazi.
“Unë do t’i them edhe kryetarit Lumir, që, tash s’ta ka dashtë. Ndoshta në rrethana të tjera kthehesh e bëhesh prapë kryetar i partisë, ndoshta bëhesh edhe kryeministër, por në këto rrethana që janë tash nuk po ‘dhezë'”, tha ai.
“Vendosi vetë ‘as me pozitën, as me opozitën’, s’e lexoi si duhet votëbesimin e janarit”
Në janar, kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku i mbijetoi një votëbesimi brendapartiak, pasi paraprakisht kishte ofruar dorëheqjen. Arsyeja ishte rezultati i dobët në zgjedhjet parlamentare të dhjetorit të vitit të kaluar, kur partia mori 13.24%.
Muhaxheri tha se pas zgjedhjeve të shkurtit të vitit të kaluar, ku LDK-ja kishte marrë 18,27% të votave, Abdixhiku kishte vendosur vetë që të mos hynin në qeveri as me Lëvizjen Vetëvendosje, as me partitë e tjera.
“Kryetari Abdixhiku pas zgjedhjeve të shkurtit ka marrë një qëndrim i cili ka qenë një qëndrim i tij dhe i kurrkujt tjetër. Do me thënë, ka thënë ‘as me pozitën, as me opozitën’ po diqysh si ‘fetah'”, tha ai.
Pas zgjedhjeve të radhës të fundvitit 2025, Muhaxheri tha se Abdixhiku i kishte dhënë se dëshironte të jepte dorëheqje që atë natë të 28 dhjetorit.
“Pas atij rezultati, më ka thirrë dhe më ka thënë po do me dhënë dorëheqje, menjëherë natën e zgjedhjeve, pa dalë me folë me publikun. I kam thënë ‘kryetar nuk është mirë, për Lidhjen Demokratike s’është mirë’. E mendon nesër këtë punë. Ka dalë dhe e ka ofruar dorëheqjen. Mandej, si përgjegjësi – sepse unë edhe Imriu kemi pasur përgjegjësi sepse kemi qenë mbështetësit më të mëdhenj të kryetarit – i kemi thënë ‘kryetar, u bë çka u bë, hajde po shkojmë bashkë. S’po të lëmë ty me shku vetëm, por po japim dorëheqje bashkë”, tha Muhaxheri.
Votëbesimi brendapartiak në janar, ai tha se s’u lexua “qysh duhet” nga kryetari i partisë,
“Hyri në një proces të votëbesimit të cilin nuk e ka lexuar qysh duhet – 46% e delegatëve nuk ia kanë dhënë besimin”, tha ai.
“Ishte i bindur që s’shkojmë në zgjedhje në qershor”
Duke folur për “keqleximin” e kryetarit të partisë, Muhaxheri tha se Abdixhiku “ka qenë i bindur që nuk shkojmë në zgjedhje të reja në qershor”.
“I kam thënë, kryetar, me kënd shkojmë? Me ty më s’mundemi me shku se e ke rezultatin e keq. Me kënd shkojmë në zgjedhje. Në atë kohë kur kemi diskutuar për këtë punë, ka qenë i bindur që ne nuk shkojmë në zgjedhje. Jo, tha, e qesim Hykmeten kandidate për kryeministre”, tha ai.
Më pas, Muhaxheri tha se Vjosa Osmani u kthye në parti dhe Abdixhiku i njoftoi se do ta vendoste atë në krye të listës zgjedhore si “kandidate për presidente”.
“I kam thënë në zyrë: duhet me shku, kryetar”
Para se dega e LDK-së në Pejë – që udhëhiqet nga Muhexheri – të kërkonte publikisht dorëheqjen e Abdixhikut në fund të qershorit, ai tha se këtë ia kishte kërkuar personalisht kryetarit të partisë.
“Unë kam hy në zyrë dhe i kam thënë në katër sy: Duhet me shku kryetar, duhet me shku edhe unë me ty. Edhe unë e mbaj një përgjegjësi të madhe që kam besu në ty dhe kemi mendu që mundet me u bë kjo punë. Po shihet që qytetarët nuk po të besojnë dhe duhet me lëshu rrugë”, tha Muhaxheri.
Ai tha se thjesht po kërkojnë që “kryetari të reflektojë dhe të lëshojë udhë”, dhe më pas të hapet gara për kryetarin e ri.
“Ne nuk po kërkojmë të heqim koka. Ne po kërkojmë një proces transparent, në të cilin lëshon rrugë. Ky është dashur kur janë dorëzu nënshkrimet ta shohë se duhet të japë dorëheqje”, tha Muhaxheri.
“Po lufton me çdo mënyrë për të mbetur kryetar, po shpik armiq”
Për “ta ruajtur karrigen” e kryetarit, Muhaxheri tha se Abdixhiku është duke shpikur “kundërshtarë, armiq, komplotistë”.
“Njerëzit që më së shumti e kanë përkrahë, tash u bënë njerëz të PDK-së”, tha ai, duke iu referuar disa prej akuzave nga njerëz të afërt me Abdixhikun.
Ai tha se nuk po kërkojnë “të heqin koka”, por lëshim rruge. Tha se Abdixhiku “është dashur kur janë dorëzu nënshkrimet ta shohë se duhet të japë dorëheqje”.
“Dallimi është konceptual: një njeri që po dëshiron ta ruajë karrigen dhe ne të tjerëve që s’kemi asnjë pretendim për të qenë kryetarë”, tha ai.
“Po shpërndan poste qeveritare për të mbetur kryetar”
Muhaxheri e akuzoi Abdixhikun se është involvuar në ofrimin e posteve qeveritare për delegatë të LDK-së, në mënyrë që ata të votojnë kundër shkarkimit të tij.
“Unë po shoh që tash ka involvime edhe të akterëve të tjerë për ta ndryshuar rezultatin. Involvime të ndryshme, shpërndarje të posteve ministrore, zëvendësministrore prej kryetarit të partisë”, tha ai.
Muhaxheri tha se nuk do të hyjë “më thellë”.
Tha se Abdixhiku “s’po mund të reflektojë dhe të lëshojë rrugë”.
Kush mund ta pasojë Abdixhikun në krye të partisë?
Gazmend Muhaxheri tha se s’ka preferenca për kryetarin e ri të LDK-së. Tha se beson që “do të ketë kandidatura të ndryshme”.
Duke e përjashtuar veten si kandidat i mundshëm për kryetar të partisë, Muhaxheri tha se karrigen e kryetarit nuk e synojnë as ish-kryeministri Avdullah Hoti dhe as kryetari i Lipjanit, Imri Ahmeti, të cilët gjithashtu duan largimin e Abdixhikut.
“Jo, unë e kam thënë prej fillimit. As unë, as Imri Ahmeti nuk jemi kandidatë. As Avdullah Hoti nuk është kandidat”, tha ai.
I pyetur nëse kryetari i Prishtinës, Përparim Rama qëndron prapa nismës për shkarkimin e Abdixhikut dhe nëse ai synon ta marrë drejtimin e partisë, Muhaxheri mohoi të parën, por tha “ndoshta” për të dytën.
Ai përmendi edhe Hykmete Bajramin, e cila gjithashtu ka kërkuar shkarkimin e Abdixhikut. Edhe ajo, siç tha Muhaxheri, “ka pretendime” për ta marrë drejtimin e partisë, siç ka, sipas tij, edhe “deputetë të tjerë”.
“Jo. Unë mendoj se ndoshta ka pretendime. Por, ka Hykmetja pretendime, ka deputetë të tjerë që nuk i kanë shprehë, por me siguri në momentin kur të hapet procedura kanë me i shprehë pretendimet”, tha ai.
“Përparim Rama i plotëson kriteret me të cilat e kemi zgjedhur Lumir Abdixhikun kryetar”
Muhaxheri tha se Përparim Rama “i plotëson ato kriteret kur e kemi zgjedhë në 2021-ën Abdixhikun”.
“Por tash unë nuk jam më ai determinuesi që e kërkoj një të ri, të mençur, të bukur”, shtoi ai.
Muhaxheri tha se “LDK-ja duhet ta ketë një udhëheqës që ndoshta i bën ballë Albin Kurtit”.
“Për momentin, me deklarata, me sende që po shihen në TV, ndoshta është ky (Përparim Rama). Por, për këtë punë duhet të vendosin 345 delegatë, jo unë”, tha ai.
“LDK-ja duhet të mbetet në opozitë”
Kur më 15 korrik u dorëzuan nënshkrimet e 1/3 e delegatëve që kërkojnë largimin e tij nga drejtimi i partisë, Abdixhiku i pezulloi bisedimet me Lëvizjen Vetëvendosje për formimin e institucioneve të reja. Ai alarmoi se ky proces mund ta dëmtojë partinë “pariparueshëm nga brenda dhe ta lë Kosovën pa institucione dhe potencialisht përballë zgjedhjeve të reja në vjeshtë”.
Muhaxheri thotë se LDK-ja duhet të jetë “pjesë aktive” në procesin për zgjedhjen e Presidentit – një Presidenti “të dinjitetshëm”. Por ai nuk sheh arsye që në këtë situatë partia të hyjë në qeveri me LVV-në.
“Për zgjedhjen e Presidentit ne duhet të jemi pjesë aktive që t’ia japim vendit një President të dinjitetshëm. Mirëpo, për të hyrë në qeveri me këta numra kur ti nuk je determinues, nuk je i nevojshëm për partnerin e koalicionit, pse duhet të të marrë ai ty? Me të bë patericë? Nëse mund ta shpreh mendimin tim, unë jam i mendimit që LDK-ja duhet të mbetet në opozitë, të forcohet dhe të garojë në garën tjetër me kandidatin e ri për kryeministër”, tha ai.
Kuvend i jashtëzakonshëm i Lidhjes Demokratike të Kosovës, që sipas Abdixhikut është “i panevojshëm, i pakohë dhe i pavend”, është caktuar të mbahet të enjten në orën 18:00.
Sipas detyrimeve të përcaktuara me statutin e partisë, Lumir Abdixhikut të hënën pasdite iu desh të merrte vendim për thirrjen e këtij Kuvendit të jashtëzakonshëm, ku do të vendoset nëse ai do të shkarkohet, apo do të konfirmohet në krye të partisë.
Zbuloni si ndërtohet cilësia përmes mbi 1.000 kontrolleve, testimeve të pavarura dhe respektimit të standardeve strikte të Bashkimit Evropian.*...