Rrëfimet e pelegrinëve që ishin brenda Manastirit të Banjskës, terroristët iu vodhën gjëra: Ishte nata më e tmerrshme e jetës - Gazeta Express
string(123) "rrefimet-e-pelegrineve-qe-ishin-brenda-manastirit-te-banjskes-terroristet-iu-vodhen-gjera-ishte-nata-me-e-tmerrshme-e-jetes"

Rrëfimet e pelegrinëve që ishin brenda Manastirit të Banjskës, terroristët iu vodhën gjëra: Ishte nata më e tmerrshme e jetës

Lajme

Gazeta Express

27/09/2023 10:44

Pelegrinët që ishin brenda Manastirit të Banjskës kur kishte shkëmbime zjarri mes policisë së Kosovës dhe sulmuesve të armatosur kanë rrëfyer momentet, që siç i kanë përshkruar ata, të tmerrshme.

Madje, ata tregojnë se kur sulmuesit e armatosur hynë në Manastir, ata grabitën gjësende të ndryshme nga pelegrinët.

Lexo Edhe:

Në një bisedë me Danasin, një nga pelegrinët ka thënë se të gjithë ishin të shqetësuar kur filloi konflikti.

Një pelegrin nga Novi Sadi ka treguar se kulmi i tensionit ishte kur sulmuesit e armatosur hynë dhe u vendosën për qëndrim në ambientet e Manastirit.

“Njerëzit tanë u trembën. Ata ishin duke ngrënë pas lutjes, kur KFOR-i dhe forcat policore shqiptare rrethuan manastirin. Kishin frikë se mos përfundonin peng ose vdisnin në shkëmbim zjarri”, ka thënë pelegrini nga Novi Sadi.

Ai tregon se si iu vodhën gjërat e ndryshme nga terroristët e armatosur deri në dhëmbë.

“Gruas sime iu zhduk celulari, u zhdukën edhe disa sende të tjera të pelegrinëve, i grabitën ata persona të armatosur që normalisht nuk komunikonin fare me besimtarët tanë. Në një moment erdhi KFOR-i, por nuk e kuptoj pse ata [KFOR-i] e injoruan plotësisht grupin e armatosur që ishte ende aty me armë të gjata, por pasi i legjitimuan ata vetëm dolën jashtë”, ka rrëfyer tutje ky pelegrin.

Pelegrinët ishin për një udhëtim në manastirin e Rashkës kur vendosën të shkonin deri në Banjskë. Ata kishin planifikuar ta kalonin natën në Manastirin e Banjskës, por u doli të jetë, siç thonë ata, nata më e gjatë në jetën e tyre.

Të dielën, si pasojë e një sulmi të armatosur në Banjskë të Zveçanit u vra polici Afrim Bunjaku. Në aksionin e Policisë, dhjetëra sulmues të armatosur e uniformuar serbë u rrethuan në fshatin Banjskë. Policia u sulmua në vazhdimësi nga terroristët.

Nga aksioni deri tash janë konfirmuar tre sulmues të vrarë e tetë të arrestuar. Është kapur edhe arsenal armësh, ndërsa disa sulmues të tjerë tashmë është thënë se kanë ikur e po trajtohen në spitalet e Serbisë.