Rrëfehet Rrahmani: Situata në Itali, kualifikimi në Evropian e krenaria e të qenët kapiten - Gazeta Express
string(88) "rrefehet-rrahmani-situata-ne-itali-kualifikimi-ne-evropian-e-krenaria-e-te-qenet-kapiten"

Gazeta Express

28/03/2020 22:53

Rrëfehet Rrahmani: Situata në Itali, kualifikimi në Evropian e krenaria e të qenët kapiten

Gazeta Express

28/03/2020 22:53

Kapiteni i Kosovës, Amir Rrahmani, ka rrëfyer për gjendjen aktuale në Verona të Italisë, ku po qëndron  vetizoluar ende, si dhe ka komentuar gjasat e Kosovës për kualifikim në Evropian dhe krenarinë që ia jep mbajtja e shiritit të kapitenit të Kosovës.

Shkaku i krizës së koronavirusit që e goditur botën, Rrahmani ka qenë i vetizoluar në Itali që 18 ditë dhe në një intervistë të fundit ai ka rrëfyer për jetën në karantinë, duke bërë të ditur se nuk ka pasur asnjë simptomë dhe se ndihet i sigurt, transmeton Gazeta Express.

Lexo Edhe:

“Po, shyqyr Zotit, deri tani jemi mirë. Jemi në shtëpi, nuk është që kemi ndonjë rrezik të infektimit. Nga koha kur filloi vetizolimi ynë, ishte shkaku që kishim kontakt me lojtarët e Sampdorias, me të cilët luajtëm në ndeshjen e fundit”, ka thënë Rrahmani, në një intervistë të dhënë për Ich Bin Albaner.

“Pas dy-tre ditësh, pesë nga lojtarët e tyre dolën pozitivë dhe, që nga atëherë, ne ishim të detyruar të vetizolohemi për dy javë. Do të thotë nuk mund të dilnim as për nevojat tonë, në dyqan apo barnatore… apo diçka që na duhej”.

“Teste nuk kemi bërë sepse asnjëri nga ne s’kemi pasur simptoma, vetëm njëri nga ne e kishte një simptomë, ai është Zaccagni. Ai ka pasur simptomë dhe pastaj mjekët shkuan ia bënë testin dhe doli pozitiv. Por, deri më tani, është në rregull dhe duket se po e përballon me shumë sukses”.

“Nuk e di saktësisht se sa ka shkuar numri i të infektuarve vetëm në Verona, por më duket se janë rreth pesë mijë të infektuar. Shpresojmë që të mos ketë më rritje. Në lajme po thuhet që pas dy-tre javësh në vetizolim, ky numër duhet të fillojë të mos rritet më shumë sepse dihet që jemi që rreth 18 ditë në garantim”.

“Edhe Marash Kumbulla është mirë. Kam folur edhe me Samir Ujkanin në Torino, ai është me familjen e tij aty dhe edhe ai është mirë edhe me të vërtetë jam i lumtur që po e kalojmë këtë”.

“Normalisht, planet ishin ndryshe. Do t’i luanim ndeshjet që na kanë mbetur dhe në këtë kohë do të isha në grumbullim me Kombëtaren për ndeshjet e mëdha që do i kishim. Atje gjithashtu do ta takoja familjen, kështu që planet kanë ndryshuar plotësisht”.

Kur u pyet se a beson se Kosova do ta arrijë kualifikimin në Evropian, Rrahmani u përgjigj: “Normalisht, kësaj rruge i kemi hyrë të gjithë ne bashkë dhe do ta përfundojmë bashkë. Po të mos kishim besim, s’do të mundë ta merrnim asnjë fitore, as me Maltën e as në në ndonjë ndeshje më të lehtë”.

“Por, ai besimi që e kemi pasur te njëri-tjetri, na është shpërblyer dhe kemi arritur këtu ku kemi arritur, që të kemi një ndeshje kaq të madhe sepse dihet që është shumë e vështirë që të kualifikohet një Kombëtare e vogël në Evropian apo Botëror”.

Kur u pyet se si është të jesh kapiten i Kosovës, Rrahmani tha: “Nuk e di, është diçka që nuk mund ta shprehësh me fjalë. Është një krenari e madhe që po e përfaqëson vendin tënd dhe një sport që tani është sporti më i rëndësishëm kolektiv për Kosovën. Është një ndjenjë, krenari që nuk mund ta shprehi me fjalë”. /Gazeta Express/