Rrahmani është optimist: “Besojmë në Evropian” - Gazeta Express

Rrahmani është optimist: “Besojmë në Evropian”

Futboll

Gazeta Express

29/03/2020 22:40

Rrahmani beson se Kosova mund të shkruajë histori duke u kualifikuar në Euro 2020, por që do të zhvillohet në vitin 2021 për shkak koronavirusit.

Amir Rrahmani është njëri prej shumë futbollistëve shqiptarë që luajnë në Itali, vendi në Evropë më i prekur nga pandemia COVID-19, që ka infektuar afër 100 mijë persona dhe ka mbytur mbi 10 mijë, raporton Gazeta Express.

Sido që të jetë, kapiteni i Kombëtares së Kosovës thotë se është mirë, edhe pse ky virus ndryshoi rrënjësisht planet e të gjithëve pasi këto ditë duhej të ishin ditë të Kombëtares së Kosovës, ditë ku mund të ishte shkruar historia.

Megjithatë, kurdo që zhvillohen ndeshjet e play-off Kosova është gati për të shkruar historinë.

Në një bisedë në T7, Rrahmani ka thënë se ka besim te skuadra e tij për kualifikim në Evropian.

“Planet ishin ndryshe, tani duhej të isha i grumbulluar me Përfaqësuesen. Planet kanë ndryshuar komplet”, u shpreh Rrahmani.

“E kemi nisur këtë rrugë së bashku. Po të mos kishim besim, nuk do të fitonim as ndaj Maltës. Kështu që do të shpresojmë për kualifikim. Do të ishte arritje e madhe që të kualifikoheshim në Evropian”, shtoi ai. /Gazeta Express/