Rrahman Jasharaj u bën presion VV-së e LDK-së: Uroj që t’i lënë inatet e ta miratojnë buxhetin - Gazeta Express

Rrahman Jasharaj u bën presion VV-së e LDK-së: Uroj që t’i lënë inatet e ta miratojnë buxhetin

Ballina

Gazeta Express

14/01/2020 15:23

Fundi i muajit prill mund t’i gjejë rreth 400 mijë kosovarë pa asnjë cent në xhep. Ata rrezikojnë të mbesin pa të ardhura, shkaku i mosmiratimit të buxhetit të Republikës së Kosovës për vitin 2020. Alarmin për këtë e ka dhënë edhe vetë Ministria e Financave, duke paralajmëruar se nga 31 marsi do të ndërpriten të gjitha pagesat. E nëse deri atëherë nuk gjendet zgjidhje, mësimdhënësit, mjekët e shërbyesit civilë paralajmërojnë trazira.

Arjeta Shabani

Mosmiratimi i buxhetit të Republikës së Kosovës për vitin 2020, po rrezikon të ardhurat e mijëra familjeve kosovare. Në rast të mosmiratimit të ligjit të ri për buxhetin nga qeveria e re dhe kuvendi, asnjë pagesë nuk do të mundë të realizohet pas 31 marsit të këtij viti.

E nëse një gjë e tillë ndodh, mund të mbesin pa asnjë cent rreth 400 mijë kosovarë dhe situata mund të dalë nga kontrolli. Së paku kështu paralajmërojnë krerët e tri sindikatave në vend. Në Sindikatën e Bashkuar të Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë paralajmërojnë trazira në rast se nuk miratohet buxheti.

Kryetari i SBASHK-ut, Rrahman Jasharaj, i ka thënë Gazetës Express se nëse mësimdhënësit mbesin pa paga, situata mund të dalë nga kontrolli.

“Nëse mbesim pa paga, kam frikë se do të kemi trazira sociale. Nuk përjashtohet as mundësia e grevave, por mund të ketë edhe revolta individuale, sepse shumica e mësimdhënësve janë edhe në kredi, dhe bankat nuk pyesin për këto gjëra”, ka thënë ai.

I pari i mësimdhënësve shpreson që partitë që synojnë të krijojnë Qeverinë të heqin dorë nga inatet dhe të gjejnë një zgjidhje për këtë çështje, përndryshe do të ketë telashe.

“Uroj që këta që kanë garuar për të qeverisur me këtë vend të kenë parasysh këtë gjendje dhe t’i lënë inatet dhe të krijojnë institucionet që të miratohet buxheti. Përndryshe, kam frikë se do të ketë trazira, përplasje, greva e të gjitha të tjerat. Do të kërkojmë takime edhe me Qeverinë në shkuarje, edhe me kryeparlamentarin. Nëse mbesin mijëra njerëz pa paga pa fajin e tyre, atëherë do të kemi telashe dhe situata mund edhe të dalë nga kontrolli”, ka deklaruar Jashari për Express.

Trazira paralajmërojnë edhe në Federatën Sindikale të Shëndetësisë. Kreu i kësaj sindikate, Blerim Syla, thotë se është e pamundshme ta ndalin revoltën e mjekëve nëse nuk dalin pagat. Sipas tij, shumica e tyre janë në kredi dhe nëse nuk u dalin pagat nuk kanë se si t’i paguajnë këstet.

“Nëse kjo ndodh dhe nëse kemi një joseriozitet nga ana e politikëbërësve në Kosovë, pra nëse nuk dalin pagat dhe nuk miratohet ky buxhet, do të vijnë deri te trazirat sociale, të cilat do të jenë të pakontrollueshme. Imagjinoni faktin që shumica e punëtorëve janë në kredi dhe në mars bankat nuk do t’i pyesin, atëherë do të shkojnë te bankroti shumë familje. Do të ketë reagime dhe shpërthim të pakënaqësisë në mënyrë ta pakontrolluar. Është e pashmangshme revolta e qytetarëve në këtë rast”, ka thënë Sylaj për Express.

Grevave e protestave do t’u bashkohen edhe shërbyesit civilë, nëse nuk iu dalin pagave.

Kryetari i Sindikatës së Shërbyesve Civilë, Mursel Zymberaj, paralajmëron trazira nëse mbesin pa paga në mars.

“Politikanët që e kanë marrë besimin e popullit nuk guxojnë me lanë shtetit me u zhyt në këso krize se përndryshe nuk ka falje e tolerancë. Përndryshe ka me pasë trazira në rast se do të lejojnë me ardhë puna që mos me marrë pagën. Ne punojmë kur ka nevojë për shtet, por kjo nuk është një çështje që shkon për nder të shtetit, por për faj të politikanëve. Administrata publike është shumë e vendosur që në rast se vjen situata deri aty që të mos votohet Ligji mbi buxhetin, do të ketë kriza e telashe të mëdha”, ka deklaruar ai për Express.

Por, këta nuk janë të vetmit që rrezikojnë të mbesin pa paga.

Mos miratimi i buxhetit rrezikon edhe të ardhurat e pensionistëve e familjeve me asistencë sociale.

Alarmin për këtë e ka dhënë edhe vetë Ministria e Financave, duke paralajmëruar se nga 31 marsi nuk mund të realizohen pagesat.

Ministria e Financave ka paralajmëruar se në rast të mosmiratimit të ligjit të ri për buxhetin nga qeveria e re dhe kuvendi, të gjitha pagesat duke përfshirë pagat që nga organet e sigurisë e deri te shërbimi civil, pensionet dhe asistencat tjera sociale, shërbimet publike si dhe të gjitha obligimet tjera buxhetore do të ndërpriten nga 28 shkurt, përkatësisht 31 mars. 

Përmes një komunikate drejtuar mediave, Ministria ka njoftuar se pas datës 31 mars, asnjë organizatë buxhetore ose autoritet tjetër publik nuk mund të autorizojë asnjë shpenzim ose pagesë derisa të miratohet Ligji i ri për Ndarjet Buxhetore.

Në MF thonë se mbetet në përgjegjësi të institucioneve të dala nga zgjedhjet e vitit 2019 që të mundësojnë konstituimin e organeve të Kuvendit (Komisioneve parlamentare) si dhe Qeverisë, për të trajtuar çështjen e buxhetit dhe projektligjin e buxhetit për vitin 2020, si ndër veprimet e para më se urgjente.

“…të gjitha pagesat duke përfshirë pagat që nga organet e sigurisë e deri te shërbimi civil, pensionet dhe asistencat tjera sociale, shërbimet publike si dhe të gjitha obligimet tjera buxhetore do të ndërpriten nga 28 shkurt, përkatësisht 31 mars (nëse ka vendim nga Kuvendi) dhe nga Thesari i Kosovës do të lejohen vetëm pagesat për borxhin publik mund të realizohen sipas afatit të pagesës, në pajtim me LMFPP, neni 24, paragrafi 3”, thuhet në komunikatën e Ministrisë. /Gazeta Express