Ish-sulmuesi i Manchester United, Wayne Rooney, ka shpjeguar pse dëshiron që Pep Guardiola të mbetet në Premierligë, pavarësisht se ka treguar se kë duhet “të shkojnë ta marrin” Manchester City nëse spanjolli vendos të largohet.
Manchester City i Guardiolës nuk ka qenë aspak në formën e tij më të mirë këtë sezon, por me 12 ndeshje të mbetura në Premier League, ata janë vetëm pesë pikë pas kryesuesve të Arsenal, duke pasur edhe një ndeshje më pak të zhvilluar se “Topçinjtë”.
Klubi nga Manchesteri mbetet gjithashtu në garë për triumf në FA Cup, EFL Cup dhe Ligën e Kampionëve këtë sezon.
Pavarësisht se City është në garë në të katër kompeticionet, sezoni 2025/26 është shoqëruar me thashetheme dhe pasiguri rreth të ardhmes së Guardiolës në “Etihad”.
Trajneri i Cityt, i cili e ka udhëhequr skuadrën drejt 18 trofeve që nga ardhja e tij në vitin 2016, nënshkroi zgjatje kontrate deri në qershor 2027 në nëntor 2025. Megjithatë, ka pasur raportime që sugjerojnë se ky sezon mund të jetë i fundit i Guardiolës në krye të klubit.
Në dhjetor, “The Athletic” raportoi se ish-trajneri i Chelsea dhe ish-asistenti i Cityt, Enzo Maresca, ishte lart në listën e kandidatëve që klubi po shqyrton nëse Guardiola largohet në verë.
Raporti sugjeronte se burime të mirëinformuara besojnë se po rritet pritshmëria që sezoni 2025/26 të jetë i fundit i Guardiolës në krye të klubit nga Manchesteri, me një “vendim të prerë” për të ardhmen e tij që pritet të merret afër fundit të sezonit.
Maresca, i cili aktualisht është pa punë, iu bashkua Cityt si trajner i akademisë në sezonin 2020/21, përpara se të bëhej asistent i ekipit të parë për sezonin 2022/23, kur City fitoi tripletën.
Megjithatë, Rooney mendon se një tjetër ish-trajner i Premierligës duhet ta pasojë Guardiolën te City.
Pasi theksoi se dëshiron që Guardiola të qëndrojë te City, duke thënë se ai është “i shkëlqyer për Premierligë”, Rooney e bëri të qartë se mendon se klubi duhet të synojë ish-trajnerin e Burnleyt dhe aktualisht trajnerin e Bayern Munich, Vincent Kompany.
“Nëse Pep largohet, ata duhet të shkojnë dhe ta marrin Vincent Kompany,” tha Rooney në emisionin e tij.
“Ai e njeh klubin, ka qenë i suksesshëm me Bayernin në një mënyrë të ngjashme. Duket se ka mësuar nga Pepi.
“Pep ndoshta do ta zgjedhë trajnerin e ardhshëm. Nëse ai largohet, me shumë gjasa do të jetë pjesë e procesit për zgjedhjen e pasuesit.
“Mendoj se për Pepin, ai e sheh veten si një lloj mësuesi dhe, pasi ka qenë 10 vite në klub, do të dëshirojë ta lërë klubin në një gjendje të mirë.”
Kompany bëri 360 paraqitje për City gjatë karrierës së tij si lojtar, duke e udhëhequr skuadrën drejt katër titujve të Premierligës.
Që nga nisja e karrierës si trajner, ai e udhëhoqi Burnley drejt promovimit nga Championship në Premierligë, përpara se skuadra të rikthehej në kategorinë e dytë në sezonin 2023/24.
Pas atij sezoni, ai mori drejtimin e Bayern Munichut dhe e udhëhoqi skuadrën drejt titullit në Bundesliga për sezonin 2024/25.
Kompany ka kontratë me Bayernin deri në qershor 2029, pasi nënshkroi zgjatje kontrate në tetor 2025./GazetaExpress/