Trajneri i Liverpoolit, Arne Slot, duhet ta lërë Mohamed Salah në stol, thotë ish-sulmuesi i Manchester United, Wayne Rooney.
Humbja 3-0 ndaj Nottingham Forest në “Anfield” ishte një tjetër ndeshje ku egjiptiani – që ka shënuar pesë gola këtë sezon – nuk arriti të regjistronte gol apo asist.
“Nëse do të isha në vend të Slot, do të provoja të merrja një vendim të madh vetëm për të krijuar ndikim te pjesa tjetër e ekipit,” tha Rooney në episodin e fundit të podcast-it të tij.
“Salah nuk po i ndihmon fare në mbrojtje.
“Nëse je një nga lojtarët e rinj që kanë nënshkruar dhe je në stol, dhe sheh atë të mos vrapojë – edhe pse ai është legjendë e klubit dhe gjithçka që ka bërë është fantastike – çfarë mesazhi të jep ty kjo situatë?”
33-vjeçari sezonin e kaluar u bë lojtari i parë në historinë e Premier League që e mbylli kampionatin si golashënuesi dhe asistuesi më i mirë, duke fituar edhe çmimin “Lojtari i Sezonit”.
Forma e tij e jashtëzakonshme u përputh me një sezon debutues shumë të suksesshëm për Slot, i cili e udhëhoqi Liverpoolin drejt titullit pas largimit të Jurgen Klopp.
Megjithatë, pas një merkatoje të ngarkuar – ku u sollën Florian Wirtz dhe Alexander Isak për 241 milionë euro – Liverpooli është futur në krizë.
Reds ndodhen në vendin e 11-të me 18 pikë në 12 ndeshje.
“Ata po kalojnë një periudhë shumë të vështirë, apo jo?” shtoi Rooney, pesë herë kampion i Anglisë.
“Duhet të shikosh edhe efektin e asaj që fatkeqësisht ndodhi me Jota-n. Çfarë ndikimi ka ajo te lojtarët? Janë shokët e tij të ekipit, normalisht që ndikon.
“Por pastaj nuk ka justifikim për mosluftim dhe mosangazhim.”
Kapiteni Virgil van Dijk tha pas humbjes se “të gjithë duhet të marrin përgjegjësi”, dhe me Liverpoolin që ka vetëm një fitore në shtatë ndeshjet e fundit të kampionatit, hija e Klopp po rëndon mbi Slot.
“Mendoj se Slot ka një punë të madhe për ta rikthyer ekipin duke luajtur mirë dhe duke fituar,” tha Rooney.
“Gjëja kryesore është se kur ke një seri të tillë rezultatesh, emri i Klopp gjithmonë del në skenë.
“Është pak si rasti me Sir Alex Ferguson te Manchester United. Kur erdhi David Moyes apo më pas Van Gaal, emri i Fergie gjithmonë përmendej.
“Me Slot po ndodh e njëjta: ‘Nuk është Klopp, nuk është aq i mirë sa Klopp’.
“Por mendoj se tifozët e Liverpoolit duhet të largohen nga ky krahasim dhe të qëndrojnë pas tij.”