Cristiano Ronaldo ka konfirmuar se nuk e ka ndërmend të pensionohet nga futbolli në një të ardhme të afërt.
Edhe pse 40-vjeç, futbollisti i Al Nassr po ndihet mirë fizikisht, prandaj edhe dëshiron të vazhdojë të luajë, shkruan “Gazeta Express”.
“E di që ndoshta disa janë lodhur duke më parë ende në këto ceremoni, por unë besoj se ende jap shumë për Kombëtaren e Portugalisë dhe për futbollin,” tha Cristiano, i cili u shpërblye mbrëmë për kontributin 22-vjeçar në Kombëtare.
“Dua të vazhdoj të luaj edhe disa vite të tjera, jo shumë, për të qenë i sinqertë. Dua t’i falënderoj të gjithë shokët e mi të skuadrës për gjithçka që kam mësuar prej tyre dhe prej kësaj gjenerate të re. Synojmë kualifikimin në Kupën e Botës 2026.”
“Ende po prodhoj gjëra të mira, po e ndihmoj klubin dhe Portugalinë. Pra… pse të mos vazhdoj? Jam i sigurt që kur të tërhiqem, do të largohem i përmbushur, sepse kam dhënë gjithçka.”
“Bëhet fjalë për ta shijuar momentin… e di që nuk më kanë mbetur shumë vite për të luajtur, por për aq kohë sa kam, dua ta shfrytëzoj maksimalisht dhe ta shijoj çdo moment.”
“E kam një filozofi për të jetuar ditë pas dite. Nuk bëj plane afatgjata. Tani për tani, bëj plane afatshkurtra sepse është më emocionuese kështu,” shtoi gjithashtu Cristiano.
Duket qartë që Ronaldo është ende i motivuar dhe nuk e ka ndër mend të ndalet së shpejti. /Gazeta Express