Cristiano Ronaldo po synon të shtojë një tjetër trofe në koleksionin e tij të jashtëzakonshëm ndërsa kërkon t’i afrohet Lionel Messit në garën për titujt e fituar.
Të shtunën, Ronaldo dhe skuadra e tij Al Nassr do të përballen me Al Ahli në finalen e Superkupës së Arabisë Saudite, një skuadër që ka emra të mëdhenj si Ivan Toney, Riyad Mahrez, Edouard Mendy dhe Franck Kessie.
Para ndeshjes, sulmuesi anglez Toney nuk e kurseu kritiken për kushtet dhe përgatitjet:
“Për të qenë i sinqertë, përgatitja dhe mënyra si jemi trajtuar ka qenë e çmendur,” tha ai në konferencë për shtyp. Kemi qenë në fushën më të keqe, jemi stërvitur pas skuadrave të tjera. Jemi skuadra më e urryer, ajo që askush nuk do ta shohë të fitojë; kjo na jep më shumë uri dhe forcë për të fituar diçka kundër këtyre ekipeve.”
Skuadra e Jorge Jesus kaloi në finale pasi mposhti Al Ittihad me rezultatin 2-1 në gjysmëfinale, edhe pse Sadio Mane u përjashtua me karton të kuq në pjesën e parë.
Nga ana tjetër, Al Ahli siguroi finalen në Hong Kong pas një fitoreje bindëse 5-1 ndaj Al Qadsiah të mërkurën.
Ronaldo kërkon trofeun e dytë me Al Nassr, të cilit iu bashkua në janar 2023. Pesë herë fituesi i Topit të Artë nuk ka fituar ende titullin kampion apo Kupën e Mbretit që kur erdhi në Arabinë Saudite, me nderin e vetëm që mbetet Arab Club Champions Cup në vitin 2023.
Ky sukses e çoi Ronaldon në 35 trofe zyrtarë, para se të fitonte edhe një UEFA Nations League tjetër në qershor, duke e çuar totalin në 36.
Ronaldo e nisi karrierën profesionale me Sporting CP në vitin 2002 dhe trofeu i tij i parë ishte FA Cup me Manchester United në 2004, pas transferimit prej 12.75 milionë £.
Me United, ai fitoi gjithashtu dy League Cups, tre Premier League, si dhe të parin nga pesë Champions League – shumica e të cilave erdhën më pas me Real Madrid.
Ronaldo ka një Champions League më shumë se Messi, i cili ka pesë të tilla me Barcelonën.
Megjithatë, Messi kryeson me 13 tituj kampionësh kundrejt shtatë të Ronaldos. Një pjesë e madhe janë me Barcelonën, ndërsa i fundit ishte MLS Supporters’ Shield me Inter Miami, pas suksesit në Leagues Cup 2023.
Sipas “MessivsRonaldo”, Ronaldo ka tre tituj ndërkombëtarë me Portugalinë, krahasuar me katër të Messit – dy Copa America, një Finalissima dhe trofeun e shumëpritur Kupa e Botës 2022 me Argjentinën.
Në total, Messi ka 10 trofe më shumë se Ronaldo, duke përfshirë Lojërat Olimpike 2008 dhe Kupën e Botës U20 (2005).
Në çmime individuale, Messi udhëheq qartë me 8 Topa të Artë kundrejt 5 të Ronaldos dhe të njëjtin raport për çmimet prestigjioze të FIFA-s./GazetaExpress/