Dy nga futbollistët më të mëdhenj në histori. Rivaliteti më i madh që ka njohur ndonjëherë sporti “mbretëror”. Një përballje epike që nisi në vitin 2009 me transferimin e portugezit te Real Madridi, që edhe sot mbetet e gjallë, edhe pse të ndarë fizikisht nga mbi 12.000 kilometra.
Sigurisht, jo më me intensitetin e atyre viteve të lavdishme në La Liga, ku ndanin fushën, titujt dhe “Topat e Artë”, por edhe sot, në perëndim të karrierës, të dy tregojnë se talenti dhe etja për fitore nuk kanë vdekur, ndonëse po afrohen me të 40-at (Messit i duhen edhe dy vite për katër dekada jetë).
Deri kur? Kjo është pyetja që bëjnë të gjithë. Cristiano po shënon gola në Arabinë Saudite, Messi në SHBA. Portugezi fitoi “UEFA Nations League” me kombëtaren së fundi, ndërsa argjentinasi ka fituar Kupën e Botës dhe “Copa América” në dy vite e gjysmë. CR7 nis sezonin e 24-t si profesionist, Messi po luan të 22-in. Statistika mbresëlënëse.
Skena e madhe, Botërori 2026
Data që të dy kanë shënuar me të kuqe është Kupa e Botës 2026, që do të zhvillohet në SHBA, Meksikë dhe Kanada. Kjo do të ishte pjesëmarrja e gjashtë për secilin, një rekord absolut dhe, ndoshta, kurorëzimi i fundit i dy legjendave. Realiteti për momentin është më ndryshe, sidomos për portugezin.
Cristiano Ronaldo: objektivi 1.000 gola dhe të luajë me djalin
Pavarësisht spekulimeve për një largim nga Al Nassr, këtë verë Cristiano firmosi kontratë të re deri në vitin 2027, duke fituar rreth gjysmë milioni euro në ditë. Qëllimi është i qartë; të jetë në Botërorin 2026 dhe të vazhdojë të shkruajë histori në futbollin arab.
Ai ka aktualisht 939 gola zyrtarë dhe ka si synim personal shifrën magjike prej 1.000 golash. Me 99 gola të realizuar me Al Nassr në tri sezone (mesatare prej 33 në vit), duket i aftë ta arrijë, sidomos duke shtuar edhe golat me Portugalinë.
Një tjetër ëndërr e tij? Të luajë me djalin e tij. Cristiano Jr është pjesë e Al Nassr U-15 dhe ka debutuar me të rinjtë e Portugalisë. Të shohim babë e bir së bashku në një ndeshje zyrtare, ndoshta jo për nivelin, por për simbolikën, nuk duket më si një fantazi. Diçka që mund të ndodhë, siç po ndodh në NBA me LeBron James dhe djalin e tij Bronny.
Messi, Botërori dhe një fund i papërcaktuar
Për Messin, kontrata me Inter Miami skadon më 30 dhjetor 2025. Megjithatë, janë në proces bisedimet për zgjatjen me një vit tjetër, me synimin për të qenë në formë të plotë për Botërorin 2026 me Argjentinën. Sipas “MARCA”, klubi nga Florida është gati ta mbajë sa të dëshirojë ai.
Deri më sot, Messi ka shënuar 874 gola dhe dhënë 388 asistime, ka fituar 46 tituj dhe 8 “Topa të Artë”, ndërsa shifrat rriten çdo javë në MLS. Sidoqoftë, e ardhmja e tij mbetet e paqartë. Botërori 2026, që do të zhvillohet në SHBA, duket skena ideale për lamtumirën e tij me kombëtaren, ndoshta edhe si futbollist profesionist.
Nëse ai rinovon deri në fund të vitit 2026, çdo skenar bëhet i mundur. Shumë është spekuluar për një rikthim te Barcelona apo kalim te Newell’s Old Boys, por vetë Messi tha vitin e kaluar se Inter Miami do të jetë klubi i tij i fundit, duke lënë të kuptohet se do të tërhiqet në moshën 39-vjeçare, pas një përpjekjeje për të mbrojtur kurorën botërore me Argjentinën.
Po më pas
Kur të dy “t’i varin këpucët në gozhdë”, futbolli do të jetë më pak magjik. Sidoqoftë, pritet që të dy të mbeten pranë futbollit në një mënyrë apo tjetër. Cristiano Ronaldo ka shprehur shpesh dëshirën të bëhet president klubi, jo trajner. Me biznes të konsoliduar, që përfshin hotele, klinika mjekësore, padel dhe kinematografi, ai shihet gjithashtu si një ambasador i futbollit arab në të ardhmen.
Messi, nga ana tjetër, ka qenë më diskret. Ka thënë se do të fokusohet te familja dhe miqtë, por gjithashtu ka investime në patundshmëri, hoteleri dhe modë. Jorge Mas, pronari i Inter Miami, zbuloi kohë më parë se Messi ka në plan të mbetet pjesë e klubit (Inter Miami) edhe pas tërheqjes si futbollist, përkrah David Beckham.
Dhe kjo është e mundur, sepse Messi është bashkëpronar me aksione tek Inter Miami. Messi dhe Ronaldo nuk janë më në majën e Europës, por historia e tyre s’ka mbaruar ende. Dhe fundi, kur të vijë, do të jetë po aq epik sa e gjithë karriera që kanë shkruar. /Telesport/