Romancieri i shekullit dhe gjeniu përtej ëndrrave! - Gazeta Express
string(49) "romancieri-i-shekullit-dhe-gjeniu-pertej-endrrave"

Arte

Gazeta Express

17/09/2025 16:12

Romancieri i shekullit dhe gjeniu përtej ëndrrave!

Arte

Gazeta Express

17/09/2025 16:12

Teodor Drajzer, ky pionier i letërsisë moderne amerikane dhe gjigant i shkollës natyraliste botërore, ishte ndër të parët, që me penën e tij të artë i bëri skanerin më të plotë shoqërisë amerikane të shekullit XX. Kjo ishte një nga arsyet kryesore, që Drajzer u përzgjodh si një nga 100 shkrimtarët më të shquar të shekullit XX në botë. Ai është jo vetëm mjeshtër i madh i fjalës, por edhe i trillit krijues amerikan, me orgjinë gjermane, që i dhuroi globit një pasuri të madhe artistike shumëdimensionale. Pa dyshim, që në këtë mori të madhe veprash, vend të rëndësishëm zë triologjia “Gjeniu”, përkthyer në shqip nga Mahmut Bobrati dhe ribotuar më vonë nga shtëpia botuese “Argeta LMG”. Në pjesën e parë të kësaj trilogjie pasqyrohet “Rinia”, në pjesën e dytë “Lufta me jetën” dhe në pjesën e tretë “Revolta”. Por, objekt kryesor të këtyre shënimeve tona kemi bërë pjesën “Gjeniu’’, që ndoshta është libri më i bukur artistik i Drajzerit, brendia e të cilit shfaqet, sa drejtpërdrejt, me nuanca autobiografike, aq dhe metaforikisht, duke ngritur në art pasionet dhe përgjegjësitë e brezit të ri amerikan për të çarë përpara, përtej ëndrrave.

KUSH ËSHTË TEODOR DRAJZERI

Para se të analizojmë vlerat e papërsëritshme të këtij romani të pasionit të rrallë, po ndalemi, me pak fjalë, për t’i rikujtuar lexuesit, se kush është Teodor Drajzeri:

Ai u lind më 27 gusht të vitit 1871, në Terre Haute, në Indiana të SHBA-ve dhe u nda nga jeta më 28 dhjetor të vitit 1945, në Los Anxhelos. Arsimin e lartë e kreu në universitetin Indianës. Karrierën e tij, ai e nisi si gazetar në të përditshmen “Chicago Tribune”, ku u bë i njohur me disa shkrime të bukura për shkrimtarë të mëdhenj dhe disa intervista me personalitete të njohura të politikës së vendit. Pasi i vdes bashkëshortja e parë, në vitin 1944 martohet me Helen Patges Richardson. Edhe pse Drajzeri u mor edhe me poezi, tregime, kujtime e monografi, suksesi i tij i padiskutueshëm u bë proza e gjatë. Romani i tij i parë ishte “Motra Kerri” (1899). Edhe pse ky roman nuk u pëlqye shumë, vazhdoi të shkruante romane të tjera, me të cilët do të bënte emër. Në romanin e dytë “Jennie Gerhard” (1911), ai sjell historinë e dhimbshme të një gruaje, që shet trupin e saj, me një burrë të pasur, për të ndihmuar familjen e varfër. Më pas shkroi trilogjinë e përbërë nga “Financieri” (1912), ku pasqyrohet jeta e një manjati amerikan, “Titan”(1914), që u pasohet nga libri “Një udhëtim në Forty”, ku pasqyrohen përshtypjet nga udhëtimet e tij nëpër Europë.

Romanet, që e bënë Drajzerin më të njohur, ishin trilogjia “Gjeniu”, shkruar në vitin 1915 dhe përkthyer e ribotuar disa herë në shumë gjuhë të botës, si dhe në gjuhën shqipe e në të cilin trajtohen çështje të thella të pasionit, të moralit, të dashurisë dhe të shkatërrimit të barrierave të së vjetrës, që pengonte të renë përparimtare. Në 10-vjeçarin e dytë të shekullit XX, Drajzeri botoi edhe disa vëllime me tregime dhe ese si: “Liria dhe histori të tjera”, “Dymbëdhjetë burra”, “Ngjyra e një qyteti të madh” dhe dramën “Rolet e natyrës dhe të mbinatyrës” (1916). Drajzeri ka shkruar edhe disa vepra autobiografike si “Një libër për veten time”. Në vitin 1925, ai botoi pjesën e parë të veprës së tij madhore “Një tragjedi amerikane”, subjekti i së cilës është ngritur mbi historinë e një vrasjeje, që u quajt vrasja më e madhe e shekullit. Mesazhet e tij u bënë shtysë e fuqishme për reformat më thella sociale në jetën e Amerikës së shekullit XX. Në vitin 1938 ai zhvendoset në Los Anxhelos, ku vendosi të merrej me marketingun e filmit. Veprat e tij të fundit, si “Bulwark”, “Stoiku” dhe “Shënime për jetën” u botuan pas vdekjes nga bashkëshortja e tij, Helena. Krijimtaria e Drajzerit synon të vrasë krimin dhe dogmat morale të kohës.

GJENIU NË MOSHËN E RINISË

Sapo nis ta shfletosh romanin e Teodor Drajzerit “Gjeniu në moshën e rinisë”, mrekullohesh nga magjia e gjuhës dhe rrëfimit, që të nxit për ta lexuar me një frymë. Kjo magji buron nga gjuha e ëmbël, trilli magjepsë dhe ëndrrat e bukura të një djaloshi amerikan, që e shtyjnë të kapërcejë male dhe fusha, për të prekur ëndrrën e madhe të gjeniut piktor. Ngjarjet e këtij romani zhvillohen mes viteve 1884-1889, në qytetin e vogël të Aleksandrisë, në shtetin amerikan Ilinois. Ishin kohërat, kur ky qytet kishte nisur të dilte nga prapambetja dhe po preferohej shumë nga të rinjtë amerikanë. Në qendër të subjektit të romanit qëndron djaloshi 17-vjeçar, Juxhin Uitla, i cili rridhte nga një familje, as e varfër, as e pasur. Juxhini, nga që ishte fëmija më i vogël i familjes dhe shëndetlig, përkëdhelej nga prindërit. Ai ishte një fëmijë tepër i heshtur dhe i ndjeshëm, me prirje të dukshme prej artisti. Ishte i turpshëm, por merrte flakë shpejt.(10)

Që në fëmijëri lexonte autorë të mëdhenj si Dinkensi, Thekeri, Skoti… Ishte tepër kureshtar dhe e tërhiqte eksplorimi mbi gjithçka të bukur e misterioze. Ishte i zgjuar, me humor dhe entuziazmohej shpejt. I pëlqente të pikturonte, por i dëshpëruar, i linte ato në mes, duke menduar, se, nuk kishte talent. Por shpesh shfaqte pasionin për të zbuluar dhe shijuar të bukurën. I pëlqente bukuria e një zogu, që fluturonte, bukuria e një trëndafili të sapo çelur dhe degët e pemëve që lëkundeshin nga era. I pëlqenin rrugët, malet, fushat, turmat e njerëzve dhe veçanërisht vajzat e bukura, për të cilat ai, sa nuk çmendej. Në moshën 17-vjeçare u njoh me Stela Eliotin, e cila ngjante me zanat e bukura e të pakapshme, që herë shfaqeshin dhe herë zhdukeshin papritur. Stela i pëlqente për buzëqeshjen e saj të ëmbël dhe për zjarrin që mbante në shpirt. Juxhini nisi të pikturojë, por ato shpesh i dukeshin si punë çiliminjsh. Për t’u bërë zot i vetes, filloi punë të ndryshme, herë si radhitës e herë si reporter i një gazete provinciale. Por ëndrra e tij ishte të shkonte në Çikago, ku mendonte të gjente vetveten. E trembte fakti se i mungonin paratë. Ndërkohë, ai kërkonte të gjente, se, ku i kishte prirjet dhe talentin e tij: në pikturë, gazetari apo në letërsi. Nga ana tjetër, ai shqetësohej, përse nuk po mundte ta bënte dot për vete Stelën. Juxhinit i pëlqente natyra, ku gjallëronte bari, pemët dhe pyjet. Hëna i dukej si e varur mbi pemë, si një disk i ndritshëm në qiell. Ndaj, i mahnitur meditonte: “Ç’botë e mrekullueshme, për të cilën kanë shkruar poetë të mëdhenj si Longfellou, Brajat, Tenison!”. Ndërsa për egërsinë e jetës, ai bën pyetjen retorike: “Ç’është kjo shaka, që ne e quajmë jetë?!”.

Kur Juxhini u nis për në Çikago, u trishtua shumë. Para sysh i shfaqeshin shtëpia e vogël, nëna, babai, Stela, të cilët i dukeshin si pjesë të shkëputura nga trupi dhe shpirti i tij. Sapo zbriti në qytet, njerëzit iu dukën si milingonat, që rendnin nëpër rrugë të çakërdisura. E befasonin buçimat e lokomotivave dhe trenave, të karrocave dhe qerreve të mbushura me birra, qymyr, tulla, çimento. Ishte pamja e vrullshme e një qyteti gjigand, që po zgjohej nga gjumi provincial. Aty, Juxhini gjente gjithçka të bukur dhe të trishtë, që i zgjonte talentin për ta pikturuar me të gjitha ngjyrat. Këtu çdo gjë rridhte më vrullshëm. Por, që ta bëje atë që doje, duheshin dije, guxim dhe veprim. Çikago nuk ishte parajsa e përtacëve. Juxhini ishte i magjepsur me Çikagon, por ende nuk ishte në gjendje ta pikturonte me ngjyrat e duhura. Kalonte orë të tëra duke soditur bukurinë e rrallë të këtij qyteti të madh, por kur e kuptonte se njeriu nuk mund të jetonte duke soditur, ndjente drithërimat e ngricave të varfërisë. Kishte vendosur që gjithçka ta përballonte me forcat e veta, por nuk kishte siguri, në se do t’ia dilte, apo jo. Vendosi, që krahas shkollës së pikturës të bëjë çdo lloj pune, deri në riparues sobash dhe karrocier, ku njohu dhe egërsinë e shfrytëzimit të njeriut nga njeriu.

Juxhini kishte kohë që pikturonte, por ende nuk kënaqej me pikturat e tij. Prandaj meditonte: “Nga e gjejnë artistët e mëdhenj atë bukuri dhe elegancë, që derdhin në veprat e tyre?!”(67)Për të, artistë të mëdhenj si Vereshagini dhe piktori nudist Bugros, ishin bërë idhuj. Kjo botë, Juxhinit i ngjante me një tempull të shenjtë, portat e të cilit hapeshin vetëm për njerëzit me talent. Por, a kishte ai talent?! Më vonë do t’i tregonte botës se ç’ishte në gjendje të bënte me talentin dhe punën e tij, edhe pse vinte nga provinca. Për të realizuar ëndrrat dhe pasionin e tij, ai ishte i vetëdijshëm, se duhej punë, vullnet dhe dije. Prandaj, ja nisi shkollimit për pikturë, si dhe punës për eksplorimin e gjithçkaje. Ishte koha kur Juxhini u dashurua me Anxhela Bljun, e cila e tërhiqte, jo vetëm nga bukuria, por dhe nga temperamenti i saj i veçantë. Ajo për të ishte vajzë e ndershme dhe me zakone të forta morale. Ndjenjat e Anxhelës ishin më të forta se të Juxhinit, por ato zgjoheshin në trajta të ndryshme. Yjet, nata dhe peizazhi, e bënin melankolik. Arti, si formë e veçantë estetike, Anxhelën nuk e prekte fare, ndërsa Juxhinit i jepte kulmin e kënaqësisë. Historia, logjika, filozofia dhe psikologjia, për Anxhelën ishin libra të mbyllura, ndërsa për Juxhinin ishin “shtigje plot lule”, përmes të cilave rendëte shpresa dhe gëzimi.”(88) Për Juxhinin, rregullat e ngurta të mirësjelljes, të pranuara në shoqëri s’kishin asnjë rëndësi. Ai i donte të gjithë njerëzit, pavarësisht nga gjendja shoqërore, por më shumë respektonte njerëzit, që bënin sakrifica të mëdha dhe që veprimtarinë e tyre e zhvillonin në përputhje me moralin dhe parimet e pranuara nga e gjithë shoqëria.

Për të, njeriu, para së gjithash duhet të jetë njeri. Çdo gjë në jetë duhet të jetë e bukur, zbavitëse. Por, ai pranonte edhe ashpërsinë dhe tragjedinë e saj. Kur në shkollën e pikturës disa pedagogë i thanë se nuk kishte talent, Juxhin nuk u thye kurrë. Duke pikturuar Rudin, vajzën që pozonte nudo para studentëve të pikturës, ai u dashurua me bukurinë e saj të rrallë trupore. Tek kjo vajzë atij i pëlqeu jo vetëm bukuria, por edhe thjeshtësia e saj. Por vajza që i pëlqente më shumë, ishte Anxhela. Bukuria dhe sjellja e saj e rrallë e preknin si artist, ndaj shtyhej drejt saj me të gjitha forcat. Ai bashkohej me mendimin e Anxhelës, se njeriu në jetë ka një dashuri të vetme, ndërsa martesa është mirë të jetë një lidhje e përhershme. Në një bashkim të tillë njeriu edhe mund të ndahej, por prishja e saj mund të sillte tronditje e fatkeqësi të mëdha. Me Anxhelën, Juxhini arriti përfundimin logjik, se nuk mund të jetonte dot pa të. Anxhela ishte bërë për të simboli i ëndrrave të tij të bukura rinore. Kjo e shtyu atë t’i vendoste në gishtin e dorës unazën e dashurisë së përjetshme. Ata ishin bërë komplementarë të njëri-tjetrit.

BOTA DHE SHKËLQIMI I SAJ I RREMË

Ishte koha kur Juxhini meditonte për absurditetin e dogmave fetare dhe për llumin e perversitetit të njeriut për çështjet morale. Dëshironte të martohej me Anxhelën, por ende i mungonin vlerat monetare. Për të, Anxhela ishte e përsosur. Largimi i tij nga Çikagoja drejt Nju Jorkut do t’i sillte një karrierë të mirë profesionale. E dinte, se jeta në krahët e Anxhelës do të ishte e bukur, por në këto kushte varfërie ishte e pamundur. Nju Jorku e befasoi me mrekullitë e tij, ndaj filloi të meditonte: “Ç’gjë e bukur të jesh piktor në këtë vend!” Por, për një çast pezmatohej, kur e kuptonte se ende nuk ishte në gjendje t’i pikturonte këto mrekulli të rralla.

Në Nju Jork, Juxhini përjetoi kontrastin e dhimbshëm mes shkëlqimit të rremë dhe vetmisë së ftohtë, që ai ndjeu ditët e para në këtë vend të panjohur. Ngado që endej, i vetmuar dëgjonte sirenat e trishta të anijeve, llapashitjen e ujërave të kripura, që rrihnin pa mëshirë brigjet, pulëbardhat, që fluturonin lart dhe tronditej kur mendonte se ç’drejtim do të merrte jeta e tij. Pyetja që e shqetësonte në këto çaste ishte: “Ç’është arti për këtë qytet të hazdisur?” Dhe tronditej, kur kuptonte, se, për këtë qytet rëndësi më shumë kishin veshjet, marrëdhëniet tregtare dhe luksi i grave, sesa arti dhe krijuesit e tij. Në Nju Jork e magjepsin sheshet e bukura si ai “Uashington”, bulevardet dhe pamjet e jashtëzakonshme të oqeanit. Eksplorimi i natyrës dhe i shpirtit të njerëzve që kish takuar, i kishin dhënë frytet e para. Ndërsa fjalët e ngrohta për pikturat e tij të bukura, po i jepnin forcë e besim në rrugën e nisur. Por, për të, në botë, s’mund të kishte gjë më të bukur se Anxhela.(167)

Atij i vinte keq që jeta nuk mund të ishte gjithnjë e lumtur dhe e përjetshme. Ndaj shpesh mendonte për t’i dhënë përgjigje pyetjeve: “Ç’është jeta dhe trupi i njeriut? Si lind pasioni?” Çuditet me faktin se si njeriu lind me pasione, por dalëngadalë jeta shuhet. Juxhini mrekullohet, kur sheh se mes tij dhe Anxhelës ekziston një dashuri e pakufishme, por pezmatohet, kur mendon për finalizimin e saj. Kur ndodhet në shtëpinë e Anxhelës, pranë babait të saj të mirë, i dukej sikur ishte ulur në këmbët e një profeti. Ndërsa kur largohej, i dukej sikur u linte lamtumirën fushave të bukura, brigjeve të kaltra, pemëve plot me lule, kuajve, lopëve dhe njerëzve të familjes, që i kujtonin “Elegjinë” e Thomas Gray-t. Në atë kohë, Juxhini, edhe pse e kishte shfaqur dukshëm talentin, nuk u vetëkënaq kurrë. Vazhdonte të eksploronte gjithçka. Ishte koha kur nis të njihej me gra të rralla. Juxhini, kur shihte kontraste shoqërore, nuk jetonte, por thjesht ekzistonte. Kishte besuar se arti ishte, jo vetëm rruga drejt lavdisë, por edhe drejt mirëqenies. Por shpejt bindet, se, me piktura askush nuk ishte bërë i pasur.

Artistët e mëdhenj, vërtet ishin krijesa të rralla, por ata nuk vlerësoheshin nga shoqëria. Kjo e bëri atë të arrinte në përfundimin logjik, se, “…arti s’të jep asgjë, përveç famës. Ai e ndihmon për lulëzimin shpirtëror, por kjo nuk e ndalon të jetë një gjeni i verbër, i sëmurë dhe i mjerë.”(210) Në moshën 25-vjeçare e shqetëson pyetja, se si do të bënte, nëse nuk do t’i siguronte vlerat e domosdoshme monetare. Ai kërkon ta ndajë lavdinë nga paraja. Nga Kristina mësoi shumë gjëra për muzikën dhe botën e operës. Kishte arritur në përfundimin, se, përtej jetës nuk ekzistonte asgjë, përveç forcave të verbra që lëviznin pa qëllim. Mbasi lexoi Spinozën, Spenserin, Shopenhaurin, ai nisi të eksploronte natyrën për të zbuluar shkaqet e dekompozimit të qenieve të gjalla. Entuziazmohej për krijesat e shumëllojshme. Në fund arrin në mendimin, se edhe ai vetë s’ishte gjë tjetër veçse një guaskë, një fletë e rrëmbyer nga era, që s’kishte asnjë kuptim. Vazhdonte të studionte Darvinin, Hegelin, Lebokun për të zbuluar misteret e jetës. Mendimi, se e bukura lulëzon për pak kohë dhe pastaj zhduket bashkë me njeriun, e trishtonte shumë. Njohuri të thella për natyrën dhe shoqërinë, ai mori sidomos në eksplorimet 17-ditore nëpër male me Kristinën. Juxhini kishte parë, se, kjo grua ishte shumë bujare në dashuri. Debatonte me Kristinën për origjinën e jetës, qëllimet e saj, moshën e tokës, për lindjet dhe vdekjet e shumta. Juxhini, edhe pse Anxhela ishte pesë vjet më e madhe, e dashuronte atë marrëzisht.

E megjithatë, shpesh luhatej, ndoshta nga largësia e mungesa. Kjo është më se e vërtetë: “Mungesa është dhoma e errët, ku dashnorët zhvillojnë negativët”. Vetëm Anxhela mund t’ia shuante zjarrin e dashurisë. Anxhela, më mirë të vdiste, sesa ta humbiste Juxhunin. Nëse Juxhini nuk do ta pranonte, asaj i mbetej vetëm liqeni. Do ta linte këtë botë, ku dashuria kryqëzohej me dëshpërimin.(241). Pasioni i marrë i Anxhelës: “Ose në altarin e martesës ose në thellësitë e liqenit”, e kishin bindur Juxhinin për t’i kërkuar dorën. Juxhini, në rrugën e pasionit për t’u bërë artist i madh, nuk mund të mos eksploronte edhe për shumë çështje të tjera, siç janë raportet mes dashurisë, seksit dhe moralit.

DASHURIA, MORALI DHE FAMILJA

Juxhini bën përpjekje t’u japë përgjigje shumë pyetjeve të tilla si: A nuk varet bota nga mënyra se si jeton familja, që përbën gurin themelor në godinën e shoqërisë? A mund të jetë i mirë një njeri, nëse nuk është e mirë familja, nga e cila rrjedh? Mos vallë jeta ishte bërë për t’u shijuar dhe jo për t’u zhytur në brenga e halle?! Në fund të fundit, ishin ai dhe Anxhela, që ishin zhytur në epshe dhe pasione. Për t’u çliruar nga paragjykimet dhe dogmat morale të kohës, ai hap grilat dhe dhoma mbushet me dritë e frymëmarrje.

Prandaj, përfundon me apostrofin metaforik: “O Perëndi! Sa e bukur është jeta!” (256) Por pas kësaj vijnë “prangat” e përgjegjësisë familjare. Juxhini e dinte mirë, se sa e lidhur ishte Anxhela me rregullat morale familjare. Pas kësaj vjen betimi solemn i martesës: “Juxhin Uitla, a zotohesh ta marrësh këtë grua për bashkëshorten tënde, të jetosh me të sipas vullnetit të Perëndisë në bashkimin e shenjtë të martesës? A zotohesh ta mbash, ta nderosh, si të shëndoshë, ashtu dhe të sëmurë dhe t’i qëndrosh gjithmonë besnik gjer në vdekje, duke i lënë mënjanë të gjitha të tjerat? Zotohem!”. Ky është preludi i kurorëzimit të një pasioni të bukur, siç është dashuria e vërtetë, që çimenton themelet e familjes dhe të shoqërisë së re moderne, në luftë me barrierat e një mentaliteti të vjetër, për të fluturuar përtej ëndrrave./Konica.al