Roma fiton në Riviera dhe fundos Nicen në ndeshjen e parë të Europa League - Gazeta Express
string(74) "roma-fiton-ne-riviera-dhe-fundos-nicen-ne-ndeshjen-e-pare-te-europa-league"

Futboll

Gazeta Express

24/09/2025 23:11

Roma fiton në Riviera dhe fundos Nicen në ndeshjen e parë të Europa League

Futboll

Gazeta Express

24/09/2025 23:11

AS Roma ka nisur me këmbë të mbarë fushatën e saj në fazën e grupeve të UEFA Europa League, duke mposhtur 2-1 OGC Nicen në “Allianz Riviera”.

Për skuadrën franceze, ky ishte zhgënjimi i radhës në arenën evropiane, pasi tashmë numërojnë 13 ndeshje rresht pa fitore në garat kontinentale.

Nice, që ka humbur pesë nga shtatë ndeshjet e para këtë sezon, shpresonte që përballë një rivali të madh si Roma të gjente ringritjen.

Pjesa e parë megjithatë solli pak raste të pastra. Përveç një goditjeje të fuqishme të Manu Koné që u devijua jashtë, vendasit nuk arritën të rrezikonin seriozisht. Roma pati më shumë vështirësi të menaxhonte nervozizmin e saj, duke marrë tre kartona të verdhë në 45 minutat e para.

E vetmja shkëndijë e madhe erdhi kur Matías Soulé gjeti me një pasim të shkëlqyer Gianluca Mancinin, i cili dërgoi një top të ulët në zonë për Artem Dovbyk, por sulmuesi nuk arriti ta shfrytëzonte. Mancini, që mbeti në sulm pas aksionit, shënoi një gol me kokë, por festimi iu mohua nga flamuri i anësorit.

Pjesa e dytë nisi me ndryshime dhe Lorenzo Pellegrini, heroi i derbit të Romës fundjavën e kaluar, u hodh në fushë nga trajneri Gasperini.

Kapiteni u bë menjëherë protagonist: në minutën e 52, goditja e këndit të tij u shndërrua në asist për Evan Ndickën, i cili me një goditje të fuqishme me kokë kaloi Romën në avantazh.

 Vetëm tre minuta më pas, ishte radha e Gianluca Mancinit për të treguar forcën e tij në sulm. Pas një aksioni të rrjedhshëm, Kostas Tsimikas krosoi saktë dhe Mancini me një vole të fuqishme dyfishoi shifrat.

Kur dukej se gjithçka ishte e mbyllur, një ndërhyrje naive e Niccolò Pisillit ndaj Antoine Mendy i dhuroi vendasve një penallti të panevojshme. Terem Moffi u tregua i saktë nga pika e bardhë dhe riktheu shpresat për Nicen. Megjithatë, minutat e fundit nuk sollën surpriza dhe Roma mori tri pikët e para të çmuara në një transfertë të vështirë.

Për Nicen, ky ishte edhe një mbrëmje tjetër zhgënjyese në Evropë, duke zgjatur krizën e rezultateve, ndërsa Roma konfirmoi edhe një herë se është një nga favoritët kryesorë të këtij edicioni të Europa League./GazetaExpress/