Roli i Hashim Thaçit në luftë: avokati ia shfaq diplomatit amerikan një deklaratë të Albin Kurtit, kështu përgjigjet James Rubin - Gazeta Express
string(126) "roli-i-hashim-thacit-ne-lufte-avokati-ia-shfaq-diplomatit-amerikan-nje-deklarate-te-albin-kurtit-keshtu-pergjigjet-james-rubin"

Lajme

Gazeta Express

17/09/2025 10:49

Roli i Hashim Thaçit në luftë: avokati ia shfaq diplomatit amerikan një deklaratë të Albin Kurtit, kështu përgjigjet James Rubin

Lajme

Gazeta Express

17/09/2025 10:49

Një deklaratë e Albin Kurtit, kryeministrit në detyrë të Kosovës, dikur sekretar i drejtuesit të zyrës politike të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Adem Demaçi, u përdor sot në Gjykatën Speciale.

Luka Mishetiq, avokat i ish-presidentit Hashim Thaçi, shfaqi një artikull të një gazete, të shkurtit 1999, për të dëshmuar se roli i Demaçit për vendime të rëndësishme politike, ishte mbi atë të Thaçit, i cili ishte udhëheqësi i delegacionit kosovar në Rambuje.

Avokati i bëri pyetje ish Ndihmësit të Sekretarit amerikan të Shtetit, James Rubin – i cili po dëshmon në mbrojtje të ish-krerëve të UÇK-së – për artikullin që tregonte për një konferencë të mbajtur nga Kurti në atë kohë. Titulli ishte “Asnjë vendim politik pa pëlqimin e Adem Demaçit”.

Kurti citohej të kishte thënë se nisja e delegacionit shqiptar në Rambuje në Francë ishte “gjest i vullnetit të mirë”.

Avokati Mishetiq e pyeti diplomatin amerikan nëse ishte e vërtetë që anëtarët e UÇK-së në atë delegacion 15-anëtarësh “nuk ishin autorizuar për të nënshkruar”.

“Një pjesë të anëtarëve të delegacionit e thanë këtë gjë”, tha Rubin.

“Cilët anëtarë në veçanti?”, e pyeti Mishetiq.

“Hashim Thaçi”, u përgjigj ish zyrtari i lartë amerikan.

Avokati kërkoi më pas që kjo të regjistrohej në gjykatë si provë.