Roli Amerikan dhe Finalja e dialogut - Gazeta Express
string(36) "roli-amerikan-dhe-finalja-e-dialogut"

Gazeta Express

06/06/2020 14:19

Roli Amerikan dhe Finalja e dialogut

Gazeta Express

06/06/2020 14:19

Autoritetet e Kosovës e kanë të pashgmangshme që të kthehen në dialogun me autoritetet e Serbisë. Veçmas tani, kur ekziston një gatishmëri evidente të SHBA-së, për ta luajtur atë rolin vendimtar në këtë ndërmarrje të përbashkët.

Shkruan: Blerim Shala

Lexo Edhe:

Në pjesën e parë të vitit të kaluar  (2019, pra), Washingtoni ende nuk kishte ndërmarrë atë veprimit e tretë (dhe final) të vetin, teksa shpresonte që Prishtina zyrtare, do ta pranojë këtë variantin e suspendimit të përkohshëm të tarifës, pos tjerash, e inkurajuar edhe nga qasja eksplicite e Administratës Amerikane për nyjen e Marrëveshjes në mes të Kosovës dhe Serbisë, apo, për njohjen reciproke në mes të dy shteteve.

Pasiqë Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, i kishte hezitimet e veta karshi Mogherinit dhe Brukselit zyrtar, Berlini dhe Parisi zyrtar, për arsye të shumta, e panë të udhës që në nivelin më të lartë të mundshëm, atë të Kancelares Merkel dhe të Presidentit Macron, të jenë nikoqir të një Samiti rajonal, i cili u mbajt në Berlin, në fund të muajit prill të vitit të kaluar.

Ky Samit, për shkaqe të njohura botërisht, dështoi ta ndryshojë situatën në relacionet në mes të Prishtinës dhe Beogradit, (në lidhje me tarifën), dhe i vetmi konludim që u arrit në fund të këtij Samiti ishte që në qershor të mbahej një tjetër Takim i këtij niveli në Paris, me po të njejtët nikoqir, Presidentin Macron dhe Kancelaren Merkel.

Sidoqoftë, vet organizimi i këtij Samiti dhe ndërhyrja në këtë nivelin më të lartë e Berlinit dhe Parisit, objektivisht, konfirmoi që Evropa (BE-ja dhe kryeqendrat evropiane), ende nuk e kishte të qartë se çka duhej të bëhej me dialogun në mes të Prishtinës dhe Beogradit, apo, si do të duhej të strukturohej ai. Thënë edhe më troç, më nuk dihej se kush, në emër të BE-së, do të duhej të ishte kryesues dhe lehtësues i këtij dialogu, e lëre më se cili do të duhej të ishte epilogu i bisedimeve finale në mes të Kosovës dhe Serbisë.

Ndryshe, ideja e Berlinit për një Emisar Special për dialogun midis Kosovës dhe Serbisë, i cili do të funksiononte në kuadër të Zyres së Mogherinit, ishte zbrapsur në majin e vitit 2018-të në një Takim të Quintit dhe Federica Mogherinit që ishte mbajtur në Washington. Supozohej, asokohe, veçmas në Washington, që Mogherini ka vullnet që vet të jetë në krye të këtij procesi  (ajo edhe insistonte në këtë rol të sajin), dhe që ajo në fund do të arrinte t’i koordinojë veprimet e veta me Washingtonin, Berlinin dhe Parisin, duke mbështetur në parim Marrëveshjen eventuale në mes të autoriteteve të Kosovës dhe të Serbisë, e cila do të duhej të arrihej nën përkujdesjen e saj.

Sidoqoftë, në Prishtinë, në Qeverinë e Kryeministrit Haradinaj, në fillim të verës së vitit të kaluar (2019), nuk kishte kurfarë shenjash që do të ketë ndryshim të qëndrimit të saj rreth tarifës, as në këtë modelin e propozuar amerikan për një pezullim të përkohshëm disamujor.

Pra, dialogu në mes të dy vendeve tash e nëntë muaj  (në verën e vitit të kaluar, 2019 pra), ishte bllokuar i tëri, ndërsa për herë të parë, qysh se në pranverën e parë të luftës, në vitin 1998, kishin nisur negociatat politike në mes të përfaqësuesve të Kosovës dhe të Serbisë, pra, në një histori të gjatë 21 vjeçare të këtyre bisedimeve, përgjegjësia për ngecjen në dialog ishte në anën kosovare, së paku sipas vlerësimeve dhe analizave të kryqendrave perëndimore, duke përfshirë këtu edhe vetë Washingtonin zyrtar apo Administratën Amerikane.

Gjendja në këtë kontekst, në raportin e Prishtinës me dialogun, u ndërlikua edhe më shumë pas dorëheqjes së Kryeministrit Haradinaj, në fund të korrikut, si përgjigje e tij personale ndaj ftesës për tu intervistuar të Dhomave të Specializuara në Hagë. Nuk vonoi dhe u mor vesh që Kosovës do t’i duhet të organizojë zgjedhje të reja parlamentare, dhe që ato do të mbahen në muajin tetor.

Duket që ky lëmshi vendor politik kosovar, si dhe ai evropian për vet ’infrastrukturën e dialogut’, (kush do të jetë përgjegjës në emër të BE-së), ishte ai momenti tjetër që imponoi atë hapin e tretë amerikan karshi dialogut në mes të Kosovës dhe Serbisë.

Ky hapi i tretë u përbë prej dy veprimeve: Emërimit të Matthew Palmer, Zëvëndës-Asistent Sekretarit të Shtetit si Përfaqësues Special Amerikan për Ballkanin Perëndimor, dhe Emërimit të Richard Grenell, Ambasadorit të SHBA-së në Berlin  (Gjermani), si Përfaqësues Special Amerikan për vet dialogun në mes të Prishtinës dhe Beogradit.

Në këtë mënyrë, Administrata Amerikane e Presidentit Trump, u shfaq e gatshme që të marr rolin kryesor në fazën finale të dialogut në mes të Prishtinës dhe Beogradit, gjë që ishte njëra prej kërkesave me mbështetje kosensuale të të gjitha instancave relevante politike në Kosovë, në dy vitet e fundit kur nuk pati kurfarë lëvizje të matshme në formatin e dialogut në Brukel, i cili ishte krijuar, edhe me mbështetje të Administratës së Presidentit Obama, me atë Rezolutën e Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, në shtatorin e vitit 2010-të.

Forcimi i rolit amerikan, mundësia që faza finale e dialogut në mes të Kosovës dhe Serbisë, dhe përpjekja për ta arritur Marrëveshjen Gjithëpërfshirëse, të bëhet më së shumti falë një ndërmjetësimi efektiv të Administratës Amerikane, si perspektivë së paku, koincidoi, me vazhdimësinë e dobësimit të rolit të BE-së kur bëhet fjalë për këtë dialog, pas emërimit të diplomatit spanjoll Josep Borrell, si trashëgimtar i Federica Mogherinit në postin e Përfaqësuesit të Lartë të BE-së.

Siç dihet tashmë, BE-ja megjithatë ka caktuar, në muajin mars, Miroslav Lajçakun, diplomatin e shquar të Sllovakisë, si Emisar Special për dialogun në mes të Prishtinës dhe Beogradit, dhe për Bosnjën dhe Hercegovinën. Në këtë mënyrë, Brukseli shfaqi qartë interesimin e vet që BE-ja të mbetet adresa kryesore për këto bisedime, dhe për ta bërë edhe Marrëveshjen finale në mes të Kosovës dhe Serbisë.

Te dy këto zhvillime ndërkombëtare, kanë ndodhur në kohën kur Kosova thuaja njëkohësisht u përball me krizën politike të rënies së Qeverisë së Kryeministrit së Albin Kurtit, dhe me pandeminë e Covid-19.

Një hise e madhe, në mos edhe kryesorja e kundërthënieve në mes të dy partnerëve kryesorë në Qeverinë e Kosovës, apo, midis Lëvizjes ’Vetëvendosje’ të Albin Kurtit dhe LDK-së së Isa Mustafës, kishte të bënte pikërisht me këto ndryshimet ndërkombëtare karshi procesit të dialogut, dhe me këmbënguljen e Ambasadorit Grenell, i cili në ndërkohë u pati bërë edhe Ushtrues i Detyrës së Inteligjencës Kombëtare Amerikane  (të NSI), që Qeveria e Kosovës ta heq masën e tarifës, duke mos e aplikuar njëkohësisht reciprocitetin.

Këtu u ndanë keq udhët në mes të Kurtit dhe Mustafës, ndërsa ngjarja rreth shkarkimit të Agim Veliut nga posti i Ministrit të Punëve të Brendshme, ishte vetëm një sebep  (si thuhet) për ta prishur këtë Qeveri.

Pala kosovare e ka natyrisht të domosdoshme që ta mbërri disi atë pajtueshmërinë minimale për ri-fillimin e dialogut me autoritetet e Serbisë, duke iu shmangur më në fund grackës të cilën fillimisht e pati përgatitur për Serbinë, duke ra pastaj vet në te  (për arsye të shumta).

Duket që ky qëndrim duhet të jetë udhërrëfyes i Qeverisë së re të Kosovës të Kryeministrit Avdullah Hotit, e cila mori përkrahjen e 61 deputetëve në seancën e Kuvendit të Kosovës të mbajtur me 3 qershor.

Kosova nuk mund dot të arrij tek finalja e Marrëveshjes së madhe politike për normalizimin e marrëdhënive me Serbinë, përmes mekanizmit të tarifës, dhe as përmes hapave të tjerë të cilët, në të vërtetë, te dy palët, edhe në Prishtinë edhe në Beograd, do të duhej të merrnin trajtën, me një qasje pozitive dypalëshe, e një Pakoje të masave të mirëbesimit, për të cilat vjet është diskutuar si në Administratën e Presidentit Trump, në Washington, ashtu edhe në Zyret e Kancelares Merkel në Berlin dhe të Presidentit Macron në Paris.

Elemente të kësaj Pakos së masave të mirëbesimit, janë shfaqur tashmë në tri Letrat e synimeve për normalizimin e trafikut ajror, tokësor dhe hekurudhor në mes të Kosovës dhe Serbisë, të cilat u bënë me ndërmjetësimin e Emisarit Special Amerikan Grenell.

Nuk mund të ketë normalizim të mirëfilltë të trafikut ajror, tokësor dhe hekurudhor pa atë Marrëveshjen kryesore politike në mes të Kosovës dhe Serbisë. Kjo dihet. Por hapat në drejtimin e duhur shfaqen edhe përmes këtyre Letrave të synimeve të përfaqësuesve të Prishtinës dhe të Beogradit.

Autoritetet e Kosovës e kanë të pashgmangshme që të kthehen në dialogun me autoritetet e Serbisë. Veçmas tani, kur ekziston një gatishmëri evidente të SHBA-së, për ta luajtur atë rolin vendimtar në këtë ndërmarrje të përbashkët.

Delegacioni i Kosovës, i cili do të duhej të përpiqej të ndërtohej me Parimin e Procesit të Vienës, (duke bashkuar Presidentin, Kryeministrin dhe opozitën parlamentare), nuk e ka të vështirë të mbërri tek konkludimi, edhe para se të niset për ta bërë Takimin e parë me Delegacionin e Serbisë, që Kryeçështja e kësaj faze konkluduese të bisedimeve midis Kosovës dhe Serbisë është njohja reciproke në mes të Kosovës dhe Serbisë.

Bisedimet 22 vjeçare në mes të përfaqësuesve të Kosovës dhe Serbisë, të nisura në pranverën e vitit 1998-të, që kanë kaluar në faza të ndryshme gjatë dhe pas luftës, kanë si trashëgimi të tyre një material të bollshëm dhe voluminoz, prej Rambouilletit, duke vazhduar me Vienë dhe me Bruksel, për thuaja të gjitha temat konkrete, të cilat tash presin atë kryefjalën apo kodin e Marrëveshjes  (siç është përmendur tashmë) për normalizimin e marrëdhënieve në mes të dy shteteve.

Nëse njëmend synimi i kësaj faze konkluduese të bisedimeve është që një herë e përgjithmonë të kryhet puna në kontestin tragjik historik mbi një shekullor në mes të Kosovës dhe Serbisë, (ndërsa a ka një pajtim për këtë synim në mes të Prishtinës dhe Beogradit do të kuptohet pas dy-tri Takimeve të parë midis përfaqësuesve të dy shteteve), atëherë, vetëm Marrëveshja Gjithpërfshirëse që bazohet mbi njohjen reciproke në mes të Kosovës dhe Serbisë, do ta mundësojë normalizimin e plotë të marrëdhënieve në mes të këtyre dy shteteve.

Në këtë mënyrë, jo vetëm që Kosova dhe Serbia si dy shtete të pavarura, do të hynin në kapitullin e paparë historik të marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë, por poashtu, Kosovës dhe Serbisë do t’i hapeshin rrugët që t’i sigurojnë përmbushjen e interesave kryesorë ndërkombëtarë.

Kosova në atë rast brenda një periudhe relativisht të shkurtër kohore do të bëhej anëtare e OKB-së, e OSBE-së, dhe e të gjitha organizatave të tjera ndërkombëtare, ndërsa poashtu, do të qartësohej plotësisht rrugëtimi i Kosovës për anëtarësim në Aleancën Veri-Atlantike dhe në BE.

Serbia do t’i shtonte gjasat që në një kornizë kohore afatmemsme të bëhet shtet anëtar i BE-së.

Natyrisht, siç edhe mund të supozohet, te dy palët do të mundohen, në procesin e bisedimeve që i pret, të marrin garancat e duhura ndërkombëtare për efektet që kjo Marrëveshje eventuale do t’i prodhojë në rrafshin ndërkombëtarë si për Kosovën, ashtu edhe për Serbinë.

Pengesat kryesore për Kosovën në këtë rrafshin ndërkombëtar kanë të bëjnë me mekanizmin vendimmarrës në Këshillin e Sigurimit të OKB-së, kur dihet që në mesin e P-5, apo të pesë shteteve permanente të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, gjinden edhe Federata e Rusisë dhe Republika e Kinës. Por, nëse Marrëveshja në mes të Kosovës dhe Serbisë do ta ketë qartësinë e plotë të Dokumentit që ofron njohjen reciproke në mes të dy shteteve, këto pengesa nuk do të mund të jenë të karakterit që pamundësojnë anëtarësimin e Kosovës në OKB.

Në rastin e Serbisë, këto pengesa kanë formën e afatit a kornizës kohore për tu bërë anëtare e BE-së, gjë që në radhë të parë do të varet nga vullneti politik i Gjermanisë dhe Francës, të cilat, pas largimit të Britanisë së Madhe nga Bashkimi Evropian, e përbëjnë atë boshtim kyç vendimmarrës në BE.

Ndryshe, askush nuk mund të garantojë që sivjet do të arrihet Marrëveshja në mes të Kosovës dhe Serbisë. As që diçka e tillë patjetër do të ndodhë në vitet në vijim.

Në përgjithësi, ka më shumë faktorë dekurajues në këtë aspekt, se sa inkurajues. Por, gabimi më i madh i mundshëm do të ishte nëse nuk do të provohej, si nga Prishtina, ashtu edhe nga Beogradi, që të përmbyllet ky proces. Koha nuk punon as për Kosovën dhe as për Serbinë në këtë aspekt. Kjo zatën po kuptohet gjithnjë e më shumë.