Rokas: RMV për të tretin vit radhazi, nuk ka pasur përparim në reformat gjyqësore, ato duhet patjetër të zbatohen - Gazeta Express
string(110) "rokas-rmv-per-te-tretin-vit-radhazi-nuk-ka-pasur-perparim-ne-reformat-gjyqesore-ato-duhet-patjeter-te-zbatohen"

Maqedoni

Gazeta Express

07/11/2025 11:31

Rokas: RMV për të tretin vit radhazi, nuk ka pasur përparim në reformat gjyqësore, ato duhet patjetër të zbatohen

Maqedoni

Gazeta Express

07/11/2025 11:31

Tani është koha për të shfrytëzuar mundësinë për të përshpejtuar reformat dhe për t’i zbatuar ato më me vendosmëri. Ka pasur disa përparime që nga viti i kaluar, por nevojitet një angazhim më i madh nga i gjithë spektri politik, tha ambasadori i BE-së, Michalis Rokas, pas takimit me kryeministrin Hristijan Mickoski me rastin e publikimit të Raportit të ri të Progresit të Komisionit Evropian për Maqedoninë, transmeton Portalb.mk.

Rokas theksoi se për të tretin vit radhazi nuk ka pasur përparim të rëndësishëm në reformat gjyqësore dhe luftën kundër korrupsionit, i cili është themeli për besimin e qytetarëve. Ai shtoi se pavarësia financiare e gjyqësorit, ndryshimet në Kodin Penal, përshpejtimi i reformave dhe përfundimi i emërimeve janë të nevojshme.

“Ne e mirëpresim faktin që vendi po zhvillon harta për sundimin e ligjit, administratën publike dhe funksionimin e institucioneve demokratike, si dhe planin për mbrojtjen e pakicave, të cilat janë hapa kyç për hapjen e klasterit “Themelet”. Ne presim miratimin e këtyre dokumenteve në mënyrë që të vazhdojmë me procesin e integrimit evropian”, theksoi Rokas.

Duke kujtuar se raporti vjen pas zgjedhjeve lokale në vend dhe pas vizitës së presidentes së Komisionit Evropian, Ursula Von Der Leyen, Rokas njoftoi se ekipi i tij do ta prezantojë paketën e zgjerimit në qytete të tjera të vendit këtë vit, me qëllim që të arrijë sa më shumë qytetarë të jetë e mundur.

Sipas Rokas, raporti ofron rekomandime të nevojshme për ta mbajtur vendin në rrugën drejt BE-së.

“Po përballemi me një peizazh gjeopolitik që ndryshon me shpejtësi dhe vetëm duke bashkuar Evropën do të sigurojmë paqe, liri dhe prosperitet në kontinentin tonë”, theksoi Rokas.

Ai shtoi se pavarësisht progresit të ngadaltë në fusha të caktuara, detyra është e qartë dhe puna duhet të fillojë menjëherë, pasi BE-ja e mbështet vendin në këtë proces. Rokas theksoi se zgjerimi i shpejtë i BE-së është një qëllim i përbashkët dhe përshëndeti rolin e Maqedonisë së Veriut si një partner i besueshëm, në përputhje me politikën e sigurisë dhe të jashtme të Unionit.

“Keni bërë një rrugë të gjatë, ne kemi themelet dhe tani është koha të ndërtojmë mbi të me unitet dhe angazhim të ri. Së bashku ndajmë të njëjtin vizion për të ardhmen, vendi do të zërë vendin e tij në familjen evropiane”, përfundoi Rokas.

Sa i përket ndryshimeve kushtetuese, kryeministri Mickoski deklaroi se “nëse i bëjmë, do të jemi më të mirët. Atëherë, sipas tij, me siguri do të marrim pesëshe dhe do të jemi kampionë, por pastaj do të marrim veto të re dhe probleme të reja.

Përndryshe, më 4 nëntor u publikua Raporti i Progresit i vitit 2025 për Maqedoninë e Veriut dhe vendet e tjera që aspirojnë BE-në. Sipas raportit, Maqedonia e Veriut mbetet vetëm pjesërisht e përgatitur në luftën kundër korrupsionit dhe nuk ka shënuar progres, ndërsa korrupsioni vazhdon të jetë i përhapur dhe shqetësues. Tragjedia e 16 marsit 2025 në Koçan ekspozoi mangësi serioze në zbatimin e masave antikorrupsion. KSHPK u përball me krizë besueshmërie pas aktakuzës ndaj kryetares së saj, ndërsa institucioni duhet të forcojë udhëzimet, verifikimin e pasurisë dhe mbikëqyrjen e financimit zgjedhor. Prokuroria dhe njësitë hetimore vuajnë nga mungesa e stafit dhe burimeve, ndërsa rastet e korrupsionit të nivelit të lartë shpesh vonohen, parashkruhen ose përfundojnë me dënime minimale. Rekomandimet e vitit të kaluar mbeten të paadresuara. Vendit i kërkohet të miratojë Kodin e ri Penal, të zbatojë strategjitë antikorrupsion dhe të sigurojë burime të mjaftueshme për institucionet kyçe.

Mes tjerash, thuhet se vendi nuk bëri përpjekje për të miratuar ndryshimet përkatëse kushtetuese të përmendura në konkluzionet e Këshillit të 18 korrikut 2022, të cilat vendi u zotua t’i nisë dhe t’i miratojë, me qëllim që “të sigurohet që Kushtetuta të përfshijë qytetarët që jetojnë brenda kufijve të shtetit dhe që janë pjesë e popujve të tjerë, siç janë bullgarët”.