Në tranzicionin e gjatë shqiptar nga komunizmi në… nuk e di më se ku, por qoftë edhe këtu ku jemi, viti më i vështirë, pa dyshim ka qenë ai 1997.
Shkruan: Ruben Avxhiu
Qindra mijëra familje humbën kursimet e jetës në të ashtuquajturat firma piramidale. Shumë kishin shitur shtëpitë, tokat, bagëtitë, pasuritë e trashëguara, duke u besuar premtimeve për pasurim të shpejtë. Zhgënjimi ishte aq shokues sa shkrepi një marrëzi kolektive akoma më të madhe, kësaj here të shoqëruar nga një dhunë mizore e cinike që nuk kursente më asgjë.
Në një pjesë të madhe të vendit, shteti pushoi së ekzistuari. Turma njerëzish të egërsuar sulmuan edhe bazat ushtarake për të rrëmbyer armë e municione. Më shumë se një milion kallashnikovë ishin në duar të civilëve. Një tanks ishte parkuar ndanë një rruge me tabelën “Shitet” të varur te tyta. Banda adoleshentësh të armatosur terrorizonin popullsinë. Qindra vetë u vranë aksidentalisht nga plumba që qëlloheshin në ajër, një veprimtari e përditshme argëtimi.
Popullata po rrezikohej nga uria, fqinjët ishin nervozë. Vetëm pak kohë pas mbarimit të luftës në ish-Jugosllavi rajoni ishte përsëri një dhimbje koke për evropianët. NATO dhe BE ishin gati të ndërhynin për të ndihmuar me ndihmë financiare dhe shpërndarje ushqimesh, por së pari donin një pajtim politik kombëtar që të jepte lejen për të ndërhyrë.
Problemi ishte se si asnjëherë tjetër, partitë ishin mbyllur në bunkerët e tyre politikë. Demokratët, të udhëhequr nga Presidenti Sali Berisha besonin se socialistët dhe opozita qendronin pas dhunës dhe shkatërrimit që po ndodhte në jug. Ishin komunistë që nuk vinin dot në pushtet përveçse me revolucion. Socialistët dhe aleatët e tyre e shihnin Berishën si diktator dhe akuzonin demokratët se kishin vjedhur zgjedhjet e majit 1996 duke i përjashtuar nga sistemi politik. Me 90% të parlametit në dorë le të hanin tani çorbën që kishin gatuar vetë.
Ndërkohë kaosi po i afrohej Tiranës. Vendi dukej gati për një luftë civile. Uria dhe frika mbizotëronin në një vend ku rrugët nuk ishin më të sigurta.
Megjithatë, ishte ende një vend në Shqipëri, ku personazhe të krahëve të ndryshme të politikës, kryesisht gazetarë, ende takoheshin. Ky ishte Hoteli Rogner. I hapur dy vite më herët në 1995, si një investim nga Austria, ai shërbente si një ishull i vogël civilizimi ku ishte ende normale të uleshe e të pije një kafe me kundërshtarin politik me të cilin nuk mund të kapeshe gjallë kudo tjetër në vend.
Aty zbarkonin edhe gazetarët e diplomatët e huaj, në kërkim të lajmit të ditës, të thashethemit të fundit, për të mësuar ndonjë skandal apo për të shuar etjen bashkë me kurreshtjen.
Pikërisht aty në një ditë marsi 1997, dy emra të gazetarisë, Preç Zogaj, poet dhe një nga themeluesit e përjashtuar të Partisë Demokratike, tashmë pjesë e Aleancës Demokratike dhe Shpëtim Nazarko, botues i gazetës së pavarur “Dita” tërhoqën mënjanë Mero Bazen, opinionistin thumbues që në atë kohë raportonte për “Zërin e Amerikës” dhe pas tij Ylli Rakipin, botuesin e gazetës “Albania”, ku punonte si redaktor autori i këtij shkrimi.
Baze dhe Rakipi njiheshin si ndër njerëzit e rrallë që mund të ndikonin te Berisha. (Për ironi, sot raportet janë përmbysur, madje Baze është nga kundërshtarët e tij më të ashpër.)
Arsyeja e bisedës ishte se Neritan Ceka, arkeolog dhe dikur figurë e PD-së, tashmë një nga krerët e Aleancës kishte bërë kërkesë për t’u takuar me Berishën për të thyer e akullit, por nuk po merrte përgjigje. A mund të ndërhynin ata që takimi të bëhej i mundur?
Në librin e tij me kujtime “Intuicionet e Tranzicionit”, Zogaj tregon se Rakipi e mori përsipër dhe në mbrëmje e kishte njoftuar se Presidenti ishte gati ta priste bashkë me Cekën. Por kishte kërkuar që të vinin edhe socialistët. Opozita ia kishte zgjatur njërën dorë, tani Berisha po u zgjaste të tijën. Zogaj shkruan se si me makinën e një tjetër botuesi gazete të asaj kohe, Aleksandër Frangaj, kishte shkuar në shtëpitë e Rexhep Meidanit dhe Namik Dokles, ndonëse ishte ora kur familjet uleshin për darkë. Të dy e mirëpritën ftesën.
Të nesërmen në mbrëmje, Zogaj, Ceka, Meidani dhe Dokle u paraqitën në derën e Presidencës ku u kontrolluan imtësisht nga rojet gjithë dyshim. Berisha i priti duke u dhënë dorën. I hequr në fytyrë – edhe ai ishte nën presion të madh. Biseda nuk filloi menjëherë, por ishte takimi që vendosi më ne fund kanalet e komunikimit. Pas disa shkëmbimeve jo të lehta, ranë dakord për një tryezë të partive politike të nesërmen në mëngjes. Kthesa kishte filluar.
Që aty, Zogaj kishte nxituar drejt Rognerit, që ndodhet në mënyrë strategjike edhe sot mes Kryeministrisë dhe Presidencës në Bulevardin e Dëshmorëve të Kombit. Si tregon Fred Abrahams, në librin e tij “Modern Albania”, Zogaj kishte gjetur aty Mero Bazen dhe i kishte treguar për takimin. “Shqipëria shpëtoi”, i kishte thënë.
Në fakt, do të vijonin ditë të tjera të vështira, madje kaosi do të kaplonte 2-3 ditë edhe Tiranën. Por në fund, procesi u kurorëzua me një qeveri të shpëtimit kombëtar. Nuk pati palë të kënaqura në atë marrëveshje. Por kjo është natyra e kompromiseve politike. Shumë demokratë mbetën të zhgënjyer që marrëveshja se iu dukej që në një farë mënyrë legjitimoi dhunën e bandave. Por edhe nga e majta pati protesta plot. Forumi për Demokraci, një lëvizje ombrellë aktivistësh, që kishte marrë flamurin e protestave kundër qeverisë, i drejtuar nga Fatos Lubonja, Kurt Kola dhe Daut Gumeni, denoncoi marrëveshjen si tradhëtuese të revoltës së popullit të vjedhur dhe mashtruar nga fajdet piramidale. Disa e kritikuan si një rrugëdalje shpëtuese për Sali Berishën. Por, përtej qendrimeve moralizuese, vendi kishte nevojë të dëshpëruar për një zgjidhje politike. Normalizimi i jetës do të vinte ngadalë.
Zgjedhjet e atij viti rikthyen socialistët në pushtet. Fatos Nano nga i burgosur për korrupsion, e gjeti veten kryeministër i vendit. Berisha dhe PD, tashmë në opozitë, i denoncuan kushtet e votimit që prodhuan “parlamentin e kallashnikovëve”. Shqipëria u stabilizua mjaftueshëm për të mbajtur qindra mijëra shqiptarë të dëbuar nga Kosova dhe shërbeu si bazë për veprimet e NATO-s në 1999. Në vitin 2005, demokratët u rikthyen në pushtet. Berisha u bë kryeministër dhe në mandatin e tij të parë, Shqipëria u bë anëtare e NATO-s. Gjatë një dekade, nga qeverisja e një partie në tjetrën, vendi ishte rimëkëmbur, demokracia kishte funksionuar, ekonomia ishte stabilizuar. Ishte e gjitha një dëshmi se marrëveshja polike e marsit 1997 kishte qenë zgjedhja e duhur. Alternativa mund të kishte qenë lufta civile, kaosi total, shkatërrimi i Shqipërisë.
Këtë verë, kur Rogner festoi 30-vjetorin e hapjes, hoteli mbetet një oaz i këndshëm pajtues në një kryeqytet mërish të pazgjidhura politike, ku hapësirat e gjelbra janë në sulm të vazhdueshëm nga mania e ndërtimeve e cila i ngjan pak manisë së harruar të fajdeve. Edhe skena politike ka përsëri një parti që dominon plotësisht si pushtetin qendror ashtu edhe atë lokal, por që bashkë me triumfin rrezikon edhe përgjegjësinë e plotë në rast të një krize tjetër madhore. Pavarësisht nga pabarazia ekstreme, shqiptarët janë shumë më të pasur se atëhere, më pak idealistë, e më shumë cinikë, por po aq ngurrues për të mësuar nga historia e tyre.
Çdo ditë, në lulishten përballë hotelit, në anën tjetër të Bulevardit, turma turistësh ndalojnë rregullisht për të vizituar një bunker, ku ciceroni i radhës, u flet për historinë e Shqipërisë, për komunizmin dhe ndryshimet. Përtej simbolikës, asgjë konkrete nuk ka ndodhur te ai bunker. Ndërkohë nga ana tjetër e rrugës, është vendi ku në një moment udhëkryqi historik, disa shqiptarë gjetën fjalën e duhur, në kohën e duhur, duke nisur procesin e pajtimit, i cili, të paktën, edhe për një gjeneratë, shpëtoi Shqipërinë.