Lajme të mira për Real Madridin pas dëmtimit të rëndë të Rodrygos.
Sulmuesi brazilian është operuar me sukses në gju, pas dëmtimit serioz që e pësoi disa ditë më parë në ndeshjen e La Ligas kundër Getafes.
Operacioni u krye për shqyerjen e ligamentit të kryqëzuar anterior dhe riparimin e meniskut të jashtëm të gjurit të djathtë, dëmtime që i pësoi gjatë asaj sfide.
Klubi madrilen konfirmoi se ndërhyrja kirurgjike shkoi mirë dhe se lojtari do ta nisë menjëherë fazën e gjatë të rehabilitimit, përcjell “Gazeta Express”.
Megjithatë, ky dëmtim do ta mbajë jashtë fushave për shumë muaj dhe sezoni aktual për të konsiderohet i përfunduar.
Sipas vlerësimeve mjekësore, rikuperimi nga një dëmtim i tillë zakonisht zgjat rreth 6 deri në 10 muaj, ndaj objektivi i Rodrygos është që të rikthehet në fushë në fillim të sezonit të ardhshëm.
Kjo është një goditje e madhe jo vetëm për Real Madridin, por edhe për Brazilin, pasi lojtari do të mungojë edhe në Botërorin 2026 për shkak të këtij lëndimi. /Gazeta Express