Drejtori i FBI-së, Kash Patel, zbuloi të hënën një mesazh shqetësues që, sipas autoriteteve, e ka dërguar i dyshuari për vrasje Tyler Robinson, që mund të tregojë motivin pas atentatit ndaj aktivistit të njohur konservator Charlie Kirk, javën e kaluar.
“Është gjetur një komunikim ku i dyshuari Robinson ka deklaruar qartë se kishte një mundësi për të ‘zgjidhur çështjen Charlie Kirk’ dhe se kishte ndërmend ta bënte këtë,” tha Patel, sipas raportimit të New York Post.
Kur u pyet pse, Robinson thuhet se është përgjigjur: “Me disa urrejtje thjesht nuk mund të negociohet.”
Robinson, 22 vjeç, është akuzuar se ka qëlluar nga një çati, disa qindra metra larg, duke vrarë Charlie Kirk, 31 vjeç, ndërsa ky i fundit po fliste përpara një turme të madhe në Universitetin Utah Valley më 10 shtator.
Drejtori Patel theksoi se disa dëshmitarë kanë konfirmuar se Robinson në thelb e ka pranuar atë që kishte bërë menjëherë pas të shtënave.
“Personi i dyshuar e ka pranuar,” tha shkurtimisht Patel, pa dhënë më shumë detaje.
I pyetur nëse FBI po heton ndonjë kompllot të mundshëm më të gjerë, Patel deklaroi se hetimet janë ende në vazhdim.
“Po përdorim të gjitha burimet për të analizuar çdo person që ka pasur kontakt me të dyshuarin – përmes telefonit, mesazheve apo rrjeteve sociale,” u shpreh ai.
Ai shtoi se FBI po shqyrton komunikimet e Robinson në Discord dhe në pajisje të tjera, ndërsa tashmë janë në proces për të marrë urdhër gjykate për aksesin në ato të dhëna.
“Ne kemi sekuestruar disa pajisje elektronike nga banesa e Robinson dhe partneres së tij – kompjuterë, laptopë, konzola lojërash, telefona celularë. Ekspertët tanë po i analizojnë të gjitha,” tha Patel, duke shtuar se falë ndihmës së prokurorisë federale, hetimet po ecin me shpejtësi.
Prokurorja e shtetit, Pam Bondi, vlerësoi punën e FBI-së:
“FBI ka punuar që nga dita e parë pa pushim. Ka pasur një bashkëpunim të shkëlqyer me agjencitë lokale. Kur armët iu dorëzuan ATF-së, aty u gjetën gjurmë ADN-je që përputheshin me të dyshuarin,” tha Bondi.
Sipas prokurorëve në Utah, Robinson pritet të akuzohet këtë javë për vrasje të shkallës së parë.
Bondi pret që prokuroria të kërkojë dënim me vdekje, duke kujtuar se Utah ende e përdor skuadrën e pushkatimit si një nga metodat për ekzekutimin e dënimit.
“A do të ketë akuza edhe në nivel federal, do ta shqyrtojmë. Nëse po, do të bashkëpunojmë ngushtë për të siguruar që ky person monstruoz të marrë dënimin më të rëndë të mundshëm,” përfundoi ajo.