Robër të rrjeteve sociale - Gazeta Express
string(25) "rober-te-rrjeteve-sociale"

Robër të rrjeteve sociale

OP/ED

Gazeta Express

20/05/2022 13:17

Rrjetet sociale dhe aplikacionet e ndryshme janë shumë të dobishme për komunikim e argëtim. Por pyetja që vështirë merr përgjigje të plotë është: si po lejojmë të bëhemi robër të internetit dhe a ka kufi teknologjia digjitale në jetën tonë?

Imer Mushkolaj

Lexo Edhe:

Telefoni më tregon se javëve të fundit kam “qëndruar” mesatarisht tri orë në Facebook. Shto kësaj edhe rrjetet tjera sociale dhe mediat online, del se një pjesë të madhe të ditës unë e kaloj në internet. Si unë edhe shumë të tjerë, anembanë botës. E kuptueshme deri diku, shkaku i punës që bëj, por e tepërt për parametrat normalë se sa duhet harxhuar kohë në internet.

Falë telefonave të mençur dhe internetit të gjithëpranishëm, rrjetet sociale janë bërë pjesë e jetës së secilit prej nesh. Edhe pse janë të dobishme për komunikim me falimjarë e miq dhe jo vetëm, nga to mund të informohemi dhe të argëtohemi, pyetja kryesore që nuk gjen përgjigje është: kur mund t’i themi “boll” internetit në jetën tonë?

Analiza të shumta të organizatave ndërkombëtare tregojnë se, edhe pse bota duket më e “lidhur” se anjëherë më parë, gati tre milioëradë njerëz në gjithë globin ende nuk kanë qasje të rregullt në internet, ndërkaq 800 milionë nga ta asnjëherë nuk e kanë përdorur një telefon të mençur ose kompjuter. Megjithatë, “ana tjetër e medaljes” është më se shqetësuese.

Tingëllon thuajse e pabesueshme e dhëna që më shumë se 80 për qind e njerëzve që kanë telefona të mençur në vendet e zhvilluara sapo të zgjohen nga gjumi “lidhen” për telefon. Më shumë se gjysma e tyre telefonat i shfrytëzojnë edhe për të dëgjuar muzikë ose shikuar video përpara se t’i zë gjumi. Edhe pse telefonat janë në krye të listës, para se të flenë njerëzit përdorin në masë të madhe edhe tabletë, konzola lojërash dhe lexues librash elektronikë. Kështu është vërtetuar diagnoza e re DISD (Device Induced Sleeping Disorder) që nënkupton mungesë gjumi ose gjumë të parehatshëm. Nga sindromi DISD në botë vuajnë së paku 200 milionë njerëz, 50 milionë nga të cilët vetëm në Europë. Simptomat kanë të bëjnë me pagjumësi, sjellje plot nervozë sapo zgjohen nga gjumi, si dhe ndjeshmëri e madhe në tinguj dhe dritë.

Dy të tretat e përdoruesve të telefonëve të mençur kanë pranuar se 15 minutat e parë pasi të zgjohen nga gjumi i kontrollojnë profilet e tyre në Facebook, Instagram ose Twitter. Madje, një e pesta nga ta kanë thënë se zgjohen gjatë natës për të kontrolluar profilet e tyre dhe pastaj flenë sërish.

* * *

Sipas ekspertëve, të cituar në media të rëndësishme botërore, “bombardimi” me shumë informata në rrjetet sociale rrit nivelin e stresit për disa herë. Njerëzit nuk mund të fokusohen si duhet në obligimet e ditës dhe kjo iu ndikon edhe në punë. Në këtë mënyrë, rrjetet sociale “udhëheqin” jetën tonë.

Në përgjithësi, njerëzit nuk mund ta paramendojnë jetën e përditshme pa telefon. Rrjetet sociale po i “okupojnë” ata dita-ditës, duke ua “vjedhur” pjesën më të madhe të kohës së lirë. Madje, njerëzit iu “dorëzohen” rrjeteve sociale dhe shpesh në mënyrë të pavetëdishme lejojnë që këto rrjete të ndikojnë në qëndrimet e tyre dhe mënyrën se si ata i shohin gjërat.

Sipas hulumtimeve nga OKB’ja, pandemia ka ndikuar në qasjen e njerëzve në internet dhe informacion, kështu që numri i atyre që kanë pasur qasje në internet është rritur për gati 500 milionë. Megjithatë sipas ITU’së (Unionit Ndërkombëtar të Telekomunikacionit),në botën reale një në tre persona nuk ka qasje të rregullt në internet, kurse një në pesë persona internetin nuk e ka shfrytëzuar asnjëherë. OKB’ja këtë problem e quan “muri digjital”, që përputhet edhe me hartën e vendeve të zhvilluara dhe të pazhvilluara, sepse në 45 vendet më pak të zhvilluara në botë, tri të katërtat e banorëve nuk e kanë përdorur internetin asnjëherë.

Ndërkohë, sipas hulumtimeve të BE’së, në vendet e Ballkanit Perëndimor një e katërta e banorëve nuk ka kurrfarë qasje ose ka qasje të kufizuar në internet. Edhe pse në shkolla vazhdimisht rritet numri i kompjuterëve, shumë nxënës procesin digjital mësimor nuk mund ta vazhdojnë në shtëpi. Pandemia ka nxjerrë në pah dallimet e mëdha në mundësinë e nxënësve për të mësuar online.

Sido që të jetë, njerëzit janë të “zhytur” në telefonat e tyre mobilë në rrugë, markete, transportin publik, madje edhe gjatë ngasjes së makinës. Nëse shumica dërmuese e nxënësve pyeten se çfarë dëshirojnë si dhuratë për ditëlindje, përgjigjja do të ishte modeli më i ri i telefonit.

Ndërkaq një e treta e të rinjve në Europë (18-30 vjeç) pranojnë se kanë varësi nga rrjetet sociale. Një qytetar i BE’së mesatarisht kalon dy orë në to. Krahasuar me jetën mesatare të njeriut, i bie që më shumë se pesë vjet ata i “harxhojnë” online. Tashmë nuk ka shpëtim, jemi robër të rrjeteve sociale.