Maqedonia e Veriut ka shënuar rënie në Indeksin e Lirisë së Mediave të Reporterët pa Kufij , duke zbritur nga vendi i 42-të në të 45-in dhe duke u klasifikuar në grupin e vendeve me situatë “problematike”. Edhe pse rezultati i përgjithshëm mbetet i njëjtë, vendi ka pësuar përkeqësim në të gjithë treguesit kryesorë që matin lirinë e medias, përfshirë aspektet ligjore, politike dhe ekonomike. Sipas raportit, problemet kryesore lidhen me përhapjen e dezinformimit, mungesën e profesionalizmit dhe rënien e besimit të publikut, si dhe me qëndrimet shpesh negative të zyrtarëve ndaj gazetarëve.
REPORTERËT PA KUFIJ:
-Nevojiten masa efektive për të mbrojtur gazetarët dhe ato duhet të shihen si katalizator për ndryshim, duke filluar me dhënien fund të kriminalizimit të gazetarisë: keqpërdorimi i ligjeve të sigurisë kombëtare, paditë SLAPP dhe pengimi sistematik i atyre që hetojnë, ekspozojnë dhe mbajnë përgjegjës. Mekanizmat ekzistues të mbrojtjes nuk janë mjaftueshëm të fortë; e drejta ndërkombëtare po minohet dhe pandëshkueshmëria është e përhapur.”, thotë RSF, organizatë me seli në Paris.
Në nivel global, raporti i RSF tregon një përkeqësim alarmues të lirisë së medias: për herë të parë, më shumë se gjysma e vendeve në botë konsiderohen në situatë “serioze” ose “shumë serioze”. Një ndër arsyet kryesore është rritja e ligjeve kufizuese, sidomos në emër të sigurisë kombëtare, të cilat po përdoren për të kufizuar punën e gazetarëve dhe për të kriminalizuar gazetarinë.
REPORTERËT PA KUFIJ:
-Në rajonin e Ballkanit, situata paraqitet kryesisht e dobët, me shumicën e vendeve në kategori “problematike” ose “serioze”. Vetëm Sllovenia dhe Mali i Zi kanë një gjendje më të qëndrueshme. Ndërkohë, në nivel global, Norvegjia vazhdon të kryesojë renditjen për të dhjetin vit radhazi, ndërsa Eritrea mbetet në fund.
Raporti gjithashtu thekson se presionet politike, pasiguria ekonomike dhe faktorë të tjerë si pabarazia gjinore dhe dobësimi i mediave lokale po ndikojnë negativisht në pavarësinë e gazetarisë në Maqedoninë e Veriut, duke e bërë situatën e lirisë së mediave gjithnjë e më të brishtë.
tag_katrorimaqedoni_2