RMV, filloi fushata për zgjedhjet lokale, kryeparlamentari me thirrje për fushatë të ndershme - Gazeta Express
string(91) "rmv-filloi-fushata-per-zgjedhjet-lokale-kryeparlamentari-me-thirrje-per-fushate-te-ndershme"

Maqedoni

Gazeta Express

29/09/2025 11:37

RMV, filloi fushata për zgjedhjet lokale, kryeparlamentari me thirrje për fushatë të ndershme

Maqedoni

Gazeta Express

29/09/2025 11:37

Nga mesnata e mbrëmshme (29 shtator) filloi fushata zgjedhore për zgjedhjet lokale të këtij viti, rrethi i parë i të cilave do të mbahet më 19 tetor. Fushata do të zgjasë pandërprerë deri më 17 tetor, ndërsa fushata për rrethin e dytë, i cili do të mbahet më 2 nëntor, do të vazhdojë deri më 31 tetor, transmeton Portalb.mk.

Komisioni Shtetëror Zgjedhor (KSHZ) të premten e përmbylli Listën Zgjedhore, sipas së cilës të drejtë vote në zgjedhje kanë gjithsej 1,832,415 votues.

Në zgjedhjet lokale të këtij viti, të tetat që nga pavarësia e shtetit, ka gjithsej 309 kandidatë për kryetarë komunash dhe 577 lista kandidatësh për anëtarë të këshillave komunalë me gjithsej 10,499 kandidatë.

Me këtë rast, kryeparlamentari, Afrim Gashi, u ka adresuar sot një thirrje të gjitha subjekteve politike në vend që garojnë në këto zgjedhje, të bëjnë fushatë të ndershme dhe t’iu përmbahen parimeve demokratike.

“I ndërgjegjshëm për detyrën unifikuese që kam, ndjej obligim të bëj një thirrje të qartë tek të gjitha subjektet politike, kandidatët dhe strukturat organizative, instituiconet dhe mediat, aktivistët dhe qytetarët: të tregojnë nivel të lartë të kulturës politike dhe qytetare. Të përmbahen nga çdo formë presioni, përdorimi i gjuhës së urrejtjes, propaganda polarizuese dhe nga keqpërdorimi i resurseve publike. Kuvendi tashmë është shprehur me unitet përmes Deklaratës së përbashkët për zgjedhje të drejta dhe demokratike. Kujtoj që respektimi i kësaj Deklarate është një obligim moral e politik për secilin në këtë fushatë”, thuhet në letrën e Gashit.

Më tej ai ka shtuar se, gara politike të zhvillohet në frymën e një demokracie të shëndetshme. Të jetë garë idesh e programesh- pa incidente, pa frikësime, pa fyerje apo denigrime.

“Qytetarët meritojnë respekt e demokracia kërkon përgjegjësi. Demokracia nuk matet me fitoren e një individi apo partie, por me dinjitetin e garës. Prandaj, pres me besim që ky proces zgjedhor të jetë një dëshmi e pjekurisë sonë demokratike dhe reflektim i aspiratave tona europiane. Duke u dëshiruar suksese të gjithë kandidatëve dhe partive, uroj një fushatë të dinjitetshme, të përqendruar te nevojat e qytetarit. Sepse, kur ndershmëria udhëheq garën, rezultati është fitore për gjithë shoqërinë!”, ka theksuar mes tjerash Gashi.

Kujtojmë se, në mbledhjen e mbajtur më 24 shtator, KSHZ me short përcaktoi renditjen në fletëvotim.

Në nëntë vendet e para të fletëvotimit janë partitë parlamentare dhe koalicionet, numrat rendorë nga 10 deri në 33 do t’u takojnë partive politike joparlamentare dhe koalicioneve, ndërsa listat e pavarura të kandidatëve do të jenë me numra rendorë nga 34 deri në 153.