Ministrja në detyrë e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, ka thënë se importi i rrymës do të rritet ende përgjatë këtij viti dhe vitit të ardhshëm, meqë do blloqet e KEK-ut do të ndalen për disa muaj.
Ajo ka thënë se në KEK ka filluar modernizimi dhe rehabilitimi i blloqeve dhe sipas saj, do të kalohet nëpër një periudhë sfiduese përgjatë këtyre dy viteve.
“Së pari duhet theksuar se lajmi që është publikuar ka të bëjë me kërkesën e furnizuesit dhe operatoreve të tjerë, por nuk ka një vendim ende. Ndërsa duhet pasur parasysh disa zhvillime që janë objektive në sektor të energjisë që do të mund të kenë pasoja në këtë aspekt. Në Korporatën Energjetike të Kosovës vitin e kaluar kanë filluar investime në modernizim dhe rehabilitim që nuk janë bërë për 40 vite. Kjo do të thotë që për këto vite, vjet, sivjet dhe vitin e ardhshëm ne do të kalojmë një periudhë sfiduese, sepse blloqet duhet të ndalen, është e domosdoshme të ndalen për një kohë për disa muaj, në mënyrë që investimet të realizohen”, ka thënë ajo.
Sipas Rizvanollit kjo është një sakrificë që duhet bërë për gjeneratat e ardhshme.
“Kjo është një sakrificë që duhet të bëjmë ne, për ne dhe gjeneratat e ardhshme. Është investimi i parë serioz që po bëhet në KEK pas 40 viteve…Kjo është një arsyeje pse vjet është dashur të importojmë më shumë, pra, ka arsyeje objektive pse importi është rritur, pse importi pritet të jetë i lartë edhe gjatë këtij viti, mirëpo edhe gjatë vitit të ardhshëm”, ka theksuar Rizvanolli.