Protesta e katërt e opozitës para Bashkisë së Tiranës do të mbahet në datën 26 prill në orën 11:00.
Datën e ka bërë të ditur anëtari i Kryesisë së PD së Rithemelimit Belidn Këlliçi, i cili u shpreh se opozita nuk do të tërhiqet deri në largimin e kryebashkiakut Erion Veliaj.
Përmes një postimi në rrjetin social Facebook, ai shkruan se korrupsioni i Veliajt ka djegur ëndrrat e çdo të riu në Tiranë, teksa shton se kryeqytetit i mungojnë të gjitha ambientet e argëtimit.
“Korrupsioni i Erion Veliajt, djeg çdo ditë ëndrrat e të rinjve dhe shpresën e kryeqytetasve për të jetuar në një metropol Europian. Tirana sot është një qytet i vjedhur, pa teatër, pa galeri, pa bibliotekë, pa cirk, pa mjedise argëtimi dhe edukimi, pa parqe, pa hapësira publike, me shkolla me 2 turne, pa çerdhe, me trafikun më të rënduar në Europë dhe me ajrin më të ndotur në botë.
Ketë realitet, nuk e meriton asnjë qytetar i Tiranës, pa asnjë dallim politik. Ndaj për këto arsye, e shumë të tjera, ftojmë sërish qytetarët e Tiranës, javën tjetër, në protestën e radhës, e premte, datë 26 prill, ora 11:00, përpara zyrës së pronarit faktik të inceneratorit Tiranë dhe 5D, Erion Veliaj. Ne nuk tërhiqemi pa larguar nga zyra kryebashkiakun dhe kryehajdutin e Tiranës. O sot, o kurrë”, shkruan Këlliçi.