Drejtori i javores “Vreme”, Stevan Ristiq, deklaroi në emisionin live se shoqëria po kalon me lehtësi mbi faktin se “studentët kanë rrëzuar një qeveri”. Sipas tij, ata duhet të merren seriozisht si aktor politik që duhet të dialogojë edhe me faktorët ndërkombëtarë.
Duke folur për shpalljen e konkursit të ri për anëtarët e Këshillit të REM-it, Ristiq tha se procesi i mëparshëm nuk është analizuar mjaftueshëm, veçanërisht duke pasur parasysh protestat dhe bllokadat që po ndodhnin në atë kohë.
“Procesi ka ardhur në moment të gabuar. Shoqëria nuk kishte fokusin për të ndjekur se çfarë po ndodhte. Ka të paktën një kallëzim penal ndaj Nevena Djuriq, e cila nuk e ka shpallur konkursin në afatin ligjor, gjë që ka sjellë një sërë parregullsish,” tha ai, duke shtuar se “madje u tha se procesi ishte ‘i pastër si loti’, gjë që vetëm sa shton dyshimet”.
Ai shtoi se frika është më e madhe se shpresa kur bëhet fjalë për qëllimin e pushtetit që REM të mbetet “grup partish që dëgjojnë urdhrat nga lart”.
Ristiq theksoi se një nga kërkesat kyçe duhet të jetë transparenca e plotë e procesit, si dhe përfshirja e vazhdueshme e studentëve.
“Shpresoj që studentët do ta ndjekin këtë proces, të reagojnë në kohë, dhe të jenë të gatshëm të përsërisin veprimet nëse procesi devijon drejt shkeljeve ligjore,” tha ai ne N1
Ndërkohë, ai kritikoi ashpër emërimin e ri për ministër të informimit, duke theksuar se “pas një zgjedhje të diskutueshme, tani kemi një zgjedhje edhe më të keqe – një person që ka djegur flamurin e BE-së”.
“Po të isha Marta Kos, do ta pyesja presidentin se si i ra ndër mend të emërojë Bratina-n si ministër informimi,” shtoi Ristiq.
Ai rikujtoi se studentët kanë arritur shumë: “Kanë rrëzuar një qeveri, tani kanë bllokuar RTS-në. Duhet të merren seriozisht si aktor politik që duhet të ketë dialog me faktorë ndërkombëtarë.”
Sipas tij, kriza është duke hyrë në fazën e saj përfundimtare.
“Për të përdorur zhargonin sportiv, loja është luajtur gjatë në mes të fushës. Tani duket se të dyja palët do të përpiqen ta zgjidhin ndeshjen. Pushteti jo vetëm që po kërcënon me dhunë, por edhe po përpiqet të krijojë alibi për veprimet represive. Deklaratat me të pavërteta të Ana Brnabiq për dekanin janë pikërisht për këtë qëllim,” përfundoi ai.