Në ditën e katërt të rinumërimit në qarkun e Tiranës, janë hapur 355 nga 1282 kuti votimi, ose 28% e totalit. Rezultatet paraprake nuk ndryshojnë renditjen e mandateve, por zbulojnë gabime të vogla në numërim.
Partia Demokratike humbet 177 vota të cilat nuk i takonin, ndërsa Partia Socialiste 170. Edhe partitë e tjera regjistrojnë lëvizje të vogla – “Nisma Shqipëria Bëhet” -20 vota, “Lëvizja Bashkë” -15, “Partia Mundësia” -3 dhe PSD -22.
Nga ana tjetër, koalicionet e Lulzim Bashës dhe Enkelejd Alibeajt kanë përfituar përkatësisht 15 dhe 6 vota më shumë.
Megjithatë, rinumërimi deri tani nuk ka sjellë asnjë ndryshim në përbërjen e mandateve apo renditjen e kandidatëve. Partia Demokratike do të siguronte mandatin e 14-të nëse arrin 1234 vota shtesë, ndërsa “Mundësia” rrezikon të humbasë mandatin e dytë nëse diferenca bie me 177 vota.