Rinisin pa ShBA-në bisedimet bërthamore mes Iranit e fuqive botërore - Gazeta Express
string(68) "rinisin-pa-shba-ne-bisedimet-berthamore-mes-iranit-e-fuqive-boterore"

Rinisin pa ShBA-në bisedimet bërthamore mes Iranit e fuqive botërore

Lajme

Gazeta Express

30/11/2021 10:43

Diplomatët e Bashkimit Evropian, Iranit e Rusisë dhanë komente optimiste, pasi Irani dhe fuqitë botërore të hënën i zhvilluan bisedimet e para pas disa muajve në përpjekje për ta ringjallur marrëveshjen bërthamore të vitit 2015, pavarësisht qëndrimit të ashpër të Teheranit në publik, për të cilin fuqitë perëndimore kanë thënë se nuk do të funksionojë.

Sipas diplomatëve, koha për ringjalljen e paktit ndërkombëtar po mbaron. Ish-presidenti amerikan, Donald Trump, e kishte larguar vendin e tij nga marrëveshja më 2018. Ky veprim e kishte zemëruar Iranin dhe i kishte zhgënjyer shtetet tjera të përfshira – Britaninë, Gjermaninë, Francën, Kinën dhe Rusinë.

Lexo Edhe:

Delegatët e Bashkimit Evropian, Iranit dhe Rusisë në bisedime ofruan vlerësime optimiste pas fillimit të rundit të ri të bisedimeve pa Shtetet e Bashkuara, të cilat Irani refuzon t’i takojë sy më sy, shkruan Reuters, transmeton Gazeta Express.

“Ndihem jashtëzakonisht pozitiv për atë që pashë sot”, tha pas takimit Enrique Mora, zyrtar i BE-së që po i udhëheq bisedimet. Ky ishte rundi i shtatë i bisedimeve mes Iranit e fuqive botërore për ringjalljen e marrëveshjes bërthamore.

Mora tha para gazetarëve se delegacioni i ri iranian nuk është tërhequr nga kërkesa për largimin e të gjitha sanksioneve, por ai gjithashtu sugjeroi se Teherani nuk i refuzoi plotësisht rezultatet e gjashtë rundeve të mëparshme të bisedimeve të mbajtura mes prillit e qershorit.