RINI – ZGJEDHNI DHE ZGJEDHUNI ! - Gazeta Express
string(27) "rini-zgjedhni-dhe-zgjedhuni"

Shkurt e Shqip

Gazeta Express

07/02/2021 14:35

RINI – ZGJEDHNI DHE ZGJEDHUNI !

Shkurt e Shqip

Gazeta Express

07/02/2021 14:35

Autor: Arbër I. Halilaj

Sot gjithnjë e më shumë të rinj kosovarë po qëndrojnë në shtëpi kur vjen koha e zgjedhjeve. Në zgjedhjet parlamentare të tetorit 2019, numri i votuesve të regjistruar ishte 1.961.213, kurse pjesëmarrja  zgjedhje 826,916 votues (apo 44.56%). Duke pasur parasysh numrin e madh të të rinjve me të drejtë vote, mund të themi që në 55%-shin që nuk voton, shumica janë të rinjë. Pse kur votohet për udhëheqësit tanë të ardhshëm, brezi i ri po e ndien nevojën për të qëndruar në shtëpi? Unë mund t’i përgjigjem kësaj pyetjeje të ngritur me një fjali. Sepse kur bëhet fjalë për politikë, brezi i ri, i ardhshëm i popullatës nuk njihen dhe çmohen nga politikanët “e vjetër”, pak përfaqësohen në listat zgjedhore dhe në detyrat me peshë shtetërore, kurse forumet rinore partiake në të shumtën janë si dekor i partive.

Sigurisht që politikanët synojnë që të votojmë për ta, por çfarë do të bëjnë ata për ne pasi ta marrin votën dhe pushtetin? Kjo është një çështje e rëndësishme dhe që mendoj se duhet adresuar. Politikanët deri sot thonë dhe bëjnë gjëra kryesisht për kosovarët e shtresës më të moshuar, sepse e dijnë se vota e tyre është më e palëkundur, ndërsa shumë pak bëjnë për gratë dhe rininë. Ata në fushatë e kanë plot gojën me fjalë të zgjedhura për rininë, ndërsa kur vie koha e veprimeve nuk bëhet asgjë për ta. Pse të mos përfshihet brezi i ri, i ardhshëm, në idetë e tyre për një Kosovë më të mirë?

Gjenerata X duhet të kuptojë se ata janë e ardhmja dhe nëse duam të bëhet diçka më e mirë për mënyrën se si jetojmë dhe si do të jetojmë më tutje në shtetin tonë, atëherë duhet t’i kushtojnë më shumë vëmendje faktit se çfarë po ndodh me qeverisjen tonë, si po menaxhohet jeta dhe përditshmëria jonë dhe e familjeve tona. Po në lidhje me të drejtat e të rinjve? Pyes veten nëse politikanët e kuptojnë që të rinjtë kanë të drejtë për të votuar dhe se ndoshta ata duhet ta marrin këtë fakt më tepër në konsideratë gjatë fushatës së tyre?!. Kosova është e re në moshë sa i përket popullatës. Secili kur të mbushë tetëmbëdhjetë vjet i ka të drejtat e veçanta, edhe atë të votës, dhe mund t’i përdorë ato të drejta sa më mirë në bazë të aftësive dhe njohurive që ka. Kjo është periudha kur njeriu del në botën reale dhe fillon të planifikojë shkollimin, të ardhmën dhe jetën për veten e vet. Politikanët duhet të rikujtojnë se si ishte kur vet ishin tetëmbëdhjetë vjeç dhe ndjenjën e injorimit nga politikanët e kohës së tyre, që besoj nuk është një ndjenjë e mirë.

Është shumë e thjeshtë të përfshini të rinjtë në fjalimin tuaj të fushatës ose në programin zgjedhor, z. politikan! Ata duhet të votojnë dhe të votohen, duke e bërë këtë në çdo lloj zgjedhjesh. Kjo është mënyra më e mirë për të hapur një rrugë më premtuese për fëmijët tanë dhe për veten në të ardhmen. Rinia duan të dëgjojnë gjithçka që një politikan, i cili kandidon për një post deputeti apo zyrtari publik, ka për të thënë në emër të tij/saj, dhe natyrisht, atë që ata do të thonë dhe bëjnë  në emrin e të gjithë neve në të ardhmën.

Gjenerata X, e ardhmja e vendit tonë, megjithatë nuk po voton. Tradita e mosvotimit po vazhdon dhe qeveritë që i kritikojmë si të këqija, po zgjidhen duke u bazuar në mosvotimin nga ana e këtyre njerëzve të mirë të vendit, që pastaj edhe ankohen për keqqeverisjen, besoj pa të drejtë, meqë as që kanë marrë mundin të votojnë. Politikanët në të gjithë vendin duhet të përballen me pyetjen se si do t’i frymëzojnë të rinjtë të votojnë? Adoleshentët synojnë të rriten sa më shpejt dhe formojnë zakone e shprehi gjatë shkollës së mesme, që pastaj ato zgjasin gjithë jetën. Nxënësit e shkollave të mesme, që i mësojmë si të votojnë teorikisht, do ta vazhdojnë këtë praktikë gjatë gjithë jetës së tyre. Problemi i numrit të vogël të votuesve është rezultat i vetëm një faktori. Shumica e njerëzve, sidomos të rinjtë, gjejnë një milion arsye dhe gjëra tjera për të bërë mu të dielen e zgjedhjeve, para se të qëndrojnë në radhë për të votuar. Nëse do të kishte ndonjë mënyrë për ta bërë votimin më të shpejtë, p.sh.: votimi elektronik, sidomos të rinjtë do të votonin në një numër më të madh. Jemi në mijëvjeçarin e ri, me një rritje të madhe teknologjike dhe kjo lloj teknologjie nuk është më iluzion apo e pamundur të mendohet të aplikohet edhe në funksion të zgjedhjeve.

Debatet politike televizive, edhe pse niveli dhe kultura e bashkëbisedimit lë shumë për të dëshiruar, janë një formë informimi që rritë njohuritë e votuesve për kandidatët dhe ofrojnë një audiencë më të madhe. Të rinjtë kanë më shumë gjasa të shikojnë televizion sesa shtresa e vjetër p.sh.: e punëtorëve, prandaj reklamimi i debateve rreth zgjedhjeve do të ndihmonte suksesin e tyre, sepse ato reklama e spote do të shërbenin si një rikujtesë për të dalur e votuar. Ndoshta, mënyra më e mirë për të rritur votimin përfshinë organizimin e një lloj feste në ditën e zgjedhjeve. Një festë zgjedhore eliminon justifikimet e shumta për të mos votuar! Morali i votimit do të ndryshonte dhe votimi do të bëhej një privilegj i vlerësuar më shumë sesa një përgjegjësi e padëshiruar, e lodhshme.

Regjistrimi i votuesve është padyshim një fushë që kërkon përmirësim edhe më tutje. Në Kosovë ndodh paradoksi që gjithnjë ka më shumë votues nëpër lista, sesa popullatë të regjistruar. Regjistrimi i votuesve edhe mu në ditën e votimit do të mund të ishte një mënyrë tjetër për të inkurajuar votimin, duke i përfshirë ata menjëherë në procesin e votimit si votues të regjistruar.

Rinia jonë tanimë nuk i lexon gazetat dhe vetëm herë pas here shikon lajmet, shkaku i rritjes së shfrytëzimit të internetit, teknologjisë dhe smartphoneve. Sapo një votues të regjistrohet, KQZ do të mund të dërgonte një broshurë përmes postës, që iu rikujton votuesve vendet, datat dhe orët e sakta të votimit, si dhe sqarimet tjera të nevojshme. Njerëzit, veçanërisht të rinjtë, janë të zënë dhe kanë nevojë për t’iu rikujtuar. Është evidente që njerëzit më në moshë, në shumicën e komuniteteve ndjehen më të gatshëm dhe të përgatitur rreth votimit. KQZ me ndihmën e organeve tjera, mund të bëjnë më shumë rreth informimit për votimet, regjistrimin me kohë të votuesve nëpër lista, saktësinë e atyre listave, mundësinë që këtë të drejtë ta shfrytëzon çdo bashkëkombas i yni jashtë Kosovës, duke u përpjekur kësisoji që votimin ta bëjë një përvojë të këndshme për secilin.

Qenia njerëzore ka tendencën që të punojë më mirë në një sistem të nxitjes dhe motivimit përmes shpërblimeve e beneficioneve tjera. Qeveria duhet të mendojë idenë të lejojë që një shumë e vogël e të ardhurave të lirohet nga taksat nëse ai qytetar voton rregullisht në zgjedhje, ose e kundërta, të rriten taksat për ata që në vazhdimësi i injorojnë zgjedhjet. Qeveria kështu do të humbte fonde minimale, kurse do të stimulonte një demokraci më të shëndetshme dhe më përfaqësuese. Sistemi i shpërblimit të qytetarit për pjesëmarrje në zgjedhje, përmes çfarëdo lehtësimi financiar, do të ndihmonte dhe do të motivonte të gjithë, të rinjë e të vjetër, pa dallim.

Votimi tek ne është një nga privilegjet e të qenurit shtetas i Kosovës. Fatkeqësisht, votimi shpesh konsiderohet si një shqetësim apo telashe. Votuesit nuk e kuptojnë që çdo votë ka rëndësi. Qytetarët e Kosovës nuk janë aq shumë të zënë që të mos shkojnë të votojnë. Sot interneti është baza e njohurive për gjithçka, dhe për disa baza e përditshmërisë së tyre, ku gjejmë çdo informatë të çfarëdo natyre, e edhe ato elektorale. Prandaj, bëjeni votën dhe votimin një privilegj, që nuk ua merr dot askush. Provoni që çdo votë ka rëndësi. Përkujtojini njerëzve që të votojnë! Shfaqni programe dhe informata tjera në lidhje me kandidatët dhe çështjet zgjedhore në televizion. Bëjeni votimin mënyrën e vetme dhe më të thjeshtë demokratike për ndërrimin e qeverive dhe prioriteteve. Moderatorët, përmes pyetjeve direkte ndaj kandidatëve për përfaqësim në Parlament, të përçojnë zërin e qytetarëve dhe pritshmëritë e tyre, pa ndonjë anim apo favorizim të askujt.

Duke jetuar në Ballkan e Kosovë, politika është një pjesë e përditshmërisë sonë, që merret me ne dhe menaxhon me jetërat tona, deshëm apo s’deshëm, dhe atë jo vetëm gjatë periudhës së zgjedhjeve. Pothuajse çdo transmetim i lajmeve ka raportime për një figurë politike apo publike në gjyq ose një figurë politike që akuzon tjetrin për ndonjë lloj keqpërdorimi apo mitoje, saqë këto janë bërë të përditshme tani. Shumë njerëz nuk marrin kohën dhe mundin për të hedhur votën e tyre. Çfarë mund t’i bëjë të rinjtë që të shohin rëndësinë dhe vlerën e votimit në ditën e zgjedhjeve?

Ndoshta problemi i vërtetë është ndërgjegjësimi. Qëndrimi i përgjithshëm dhe shumë i theksuar duket që është: “vota ime nuk do të çon peshë. Unë jam vetëm një person.” Ne duhet t’i bëjmë të rinjtë dhe secilin votues që të kuptojnë se të gjithë ne që jemi “një person”, në fund së bashku e bëjmë një shumicë. Votimi nuk është një peticion, një ndëshkim apo edhe një revoltë, por është shumë më tepër, prandaj e tëra çfarë duhet të bëjmë është të dalim dhe të votojmë, dhe poashtu t’i nxisim njerëzit nga rrethi ynë që të bëjnë të njëjtën gjë, sipas bindjeve të tyre personale. Nëse të gjithë votojmë, ne mund ta bëjmë zërin tonë më të dëgjuar dhe më të fuqishëm. Vota sot është zëri ynë si shqiptarë të përgjegjshëm për të ardhmën tonë dhe të fëmijëve tanë. Nëse ne nuk do të flasim përmes votës për veten dhe të drejtat tona, për ndryshimet që synojmë, për të ardhmën më të mirë, kush tjetër do të mund ta bëj këtë për neve?

Përfundimi është që nëse votimi do të ishte më i përshtatshëm, më i organizuar, më i sofistikuar dhe votuesit nuk do të ishin aq cinikë ndaj politikës, më shumë të rinj do të votonin. Sapo të kuptojnë se jo vetëm që është e drejta e tyre si qytetar të Kosovës, por edhe detyra e tyre ndaj vetvetes dhe të ardhmës, të rinjtë do të votojnë në numër më të madh. Duhet kuptuar që mënyra e vetme dhe më e lehtë për të parë progres dhe ndryshime pozitive është të bëni pjesën tuaj të detyrës qytetare dhe të bëni që zëri juaj të dëgjohet fuqishëm.