Rindërtimi i Amerikës dhe botës pas Donald Trump-it - Gazeta Express
string(51) "rindertimi-i-amerikes-dhe-botes-pas-donald-trump-it"

Rindërtimi i Amerikës dhe botës pas Donald Trump-it

OP/ED

Gazeta Express

19/01/2021 15:03

Për dekada, SHB-së i ka munguar një strategji e përgjithshme e besueshme dhe e realizueshme për mbështetjen e demokracisë liberale. Për të rivendosur llojin e duhur të lidershipit global të SHBA-së, administrata e presidentit të zgjedhur Joe Biden duhet ta zhvillojë një të tillë.

Autor: Kemal Derviş

Inaugurimi i presidentit të zgjedhur të SHBA-së Joe Biden më 20 janar do të sjellë një ndryshim të rëndësishëm për më mirë për Shtetet e Bashkuara. Ai mund të sinjalizojë gjithashtu një mundësi unike për të forcuar demokracinë liberale në të gjithë botën.

Lexo Edhe:

Një optimizëm i tillë rreth perspektivave globale të demokracisë liberale nuk ndahet gjerësisht, duke pasur parasysh shtimin e fundit të qeverive populiste joliberale në të gjithë botën. Qeveri të tilla janë përpjekur të shpërbëjnë ndarjen e pushteteve, pavarësinë e sistemit gjyqësor, lirinë e shtypit dhe aftësinë e kundërshtarëve politikë për të funksionuar lirshëm. Shumë argumentojnë se, për arsye që shkojnë përtej Donald Trump, demokracia liberale do të mbetet në tërheqje.

Për më tepër, sulmet e kohëve të fundit në Kapitolin e SHBA-së nga një turmë e armatosur e nxitur nga Trump kanë minuar padyshim aftësinë e Amerikës për të udhëhequr duke dhënë shembull. Mbi të gjitha, pothuajse e gjithë Partia Republikane kishte vazhduar të mbështeste Trump-in pavarësisht sjelljes së tij gjithnjë e më të paqëndrueshme dhe anti-demokratike.

Por situata ka ndryshuar me shpejtësi pas kryengritjes në Kapitol. Një shumicë e madhe e votuesve amerikanë kanë dënuar dhunën dhe mbështesin kalimin paqësor të pushtetit. Megjithëse 73% e votuesve republikanë ende mendojnë se Trump po mbron demokracinë, vlerësimet e presidentit ranë në nivelet më të ulëta të të gjitha kohërave pas trazirave pro-Trump.

Trump gjithashtu po humb mbështetje në Kongres. Më 13 janar, dhjetë republikanë në Dhomën e Përfaqësuesve u bashkuan me demokratët në votimin për të gjykuar Trump-in për herë të dytë, për “nxitje të kryengritjes”. Dhe Trump do të përballet në gjyqin e tij në Senat me Mitch McConnell që thuhet se është i etur ta heq atë qafe nga partia e vjetër.

Shumë do të varet nga fakti nëse dhe si do të mbahen përgjegjës personat që ishin përgjegjës për përpjekjen për grusht shteti më 6 janar. Por vrulli i fundit i dhunshëm i Trump përfundimisht mund të çojë në një rënie të polarizimit dhe një forcim të institucioneve demokratike të Amerikës, veçanërisht nëse një pjesë e madhe e elektoratit do të mbështeste masa të shpejta për të luftuar padrejtësinë racore, përfshirë edhe duke forcuar të drejtat e votës.

Por trashëgimia e Trump nuk është pengesa e vetme që Biden do të duhet të kapërcejë për ta paraqitur SHBA-në si një lider të fortë global të demokracisë liberale. Ndërkohë që shumë shprehen se Amerika e mbështeti demokracinë për dekada të tëra përpara se Trump të zgjidhej në 2016, Shtetet e Bashkuara shpesh mbështetën qeveritë autoritare dhe rrëzuan ato të zgjedhura, pjesërisht për t’iu kundërvënë Bashkimit Sovjetik, por edhe për arsye interesi ekonomik.

Për shembull, SHBA-ja rrëzoi qeverinë demokratike të Iranit në vitet 1950, lehtësoi grushtin ushtarak të vitit 1973 kundër presidentit kilian Salvador Allende dhe veprime të ngjashme në Amerikën Qendrore dhe Karaibe, dhe vazhdon të mbështesë regjimet totalitare në disa vende që prodhojnë naftë. Pavarësisht pretendimeve të Amerikës, kishte pak sinqeritet të qëndrueshëm në mbështetjen e saj të demokracisë liberale pas luftës.

Administrata e ardhshme e udhëhequr nga Biden dhe zv/presidentja e zgjedhur Kamala Harris ka një mundësi unike për të zhvilluar një politikë shumë më të qëndrueshme dhe të besueshme në vitet e ardhshme. Mbështetja efektive e demokracisë liberale nuk ka nevojë dhe nuk duhet të përfshijë ndërhyrje në punët e vendeve të tjera. Disa kërcënime të mirëfillta të sigurisë kombëtare – për shembull, ato që përfshijnë armë të shkatërrimit në masë ose terrorizëm të mbështetur nga të tjerë – mund të kërkojnë ndërhyrje jashtë vendit. Por ndërhyrja për të arritur ndryshim regjimi, edhe nëse ndihmon në vendosjen e demokracisë, nuk duhet të jetë kurrë një objektiv më vete, sepse një regjim i vendosur nga jashtë do të ketë pothuajse gjithmonë probleme të mëdha për të fituar legjitimitet.

Siç theksoi kohët e fundit Joseph Nye i Universitetit të Harvardit, zgjedhjet e politikave të Biden nuk do të jenë aq të qarta. Transmetimet amerikane që mbështesin demokracinë nuk duhet të etiketohen si ndërhyrje të huaja dhe ngritja e rrjeteve sociale pa dyshim  që ka krijuar zona të reja gri. Kufiri midis amplifikimit të pikëpamjeve anti-autoritare dhe nxitjes së ndryshimit të regjimit mund të mos jetë gjithmonë e lehtë të përcaktohet. Për më tepër, bota do të ketë nevojë për lloje të reja kuptimi të “kontrollit të armëve” ndërsa teknologjitë e reja armatosen dhe objektivat e sigurisë dhe ato ekonomike bëhen më të vështira për t’u ndarë.

Megjithatë, administrata e Biden-Harris duhet të ketë qëllime shumë të larta. Si fillim, ajo duhet të ketë një axhendë gjithëpërfshirëse të brendshme që i jep përparësi drejtësisë dhe demokracisë dhe në fund të zhdukë “mëkatin fillestar” të Amerikës të epërsisë së bardhë, e cila do të bënte që SHBA-ja të mund të udhëheqë vërtet duke dhënë shembull.

Për këtë qëllim, SHBA-ja duhet të mbrojë zëshëm demokracinë liberale si sistemin e qeverisjes që mund të përmbushë më së miri aspiratat njerëzore universale. Dhe gradualisht duhet të kalojë në një sistem aleancash në të cilin aleatët që Amerika zotohet të mbrojë ushtarakisht (përfshirë hapësirën kibernetike) janë të gjitha demokraci.

Biden duhet të ndjekë një strategji themelore të respektimit të sovranitetit kombëtar të të gjitha vendeve, përveç në rastet kur përgjegjësia për të mbrojtur një grup nga mizoritë masive kërkon që komuniteti ndërkombëtar të veprojë. Kur Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara nuk është në gjendje të marrë një vendim, për shkak të vetos nga një prej anëtarëve të tij të përhershëm, një qasje për përdorimin e ndërhyrjes së armatosur është e pashmangshme.

SHBA-ja duhet të punojë me të gjitha vendet e gatshme, pavarësisht nga regjimet e tyre politike, në ndjekjen e qëllimeve të përbashkëta si kufizimi i rrezikut të ndryshimeve klimatike dhe sigurimi i të mirave globale publike, përfshirë parandalimin e pandemisë. Një përparësi tjetër e lartë është zhvillimi i standardeve dhe normave për të qeverisur hapësirën kibernetike, inteligjencën artificiale dhe bioteknologjinë. Traktatet e kontrollit të armëve në Luftën e Ftohtë ndoshta e kursyen luftën bërthamore botërore – dhe ato kërkohen ende.

Për dekada, SHBA-së i ka munguar një strategji e përgjithshme e besueshme dhe e realizueshme për mbështetjen e demokracisë liberale. Administrata Biden tani duhet të përpiqet të zhvillojë një të tillë. Në përgjithësi, duhet të pranojë që adresimi i shumë sfidave të vjetra dhe të reja kërkon një multilateralizëm të ringjallur – dhe kështu institucione efektive ndërkombëtare të mbështetura nga SHBA-ja.

Sigurisht që do të ketë zona gri, por perceptimi se qëllimet e Amerikës janë të sinqerta do ta çonte administratën Biden larg. Shtetet e Bashkuara kanë ende shumë fuqi të butë – megjithë përpjekjet më të mira të Trump për ta shkatërruar atë – dhe Biden dhe Harris kanë mëndësinë e duhur për të siguruar lidership global liberal-demokratik. Ata nuk duhet të lejojnë që t’u ikë nga duart kjo mundësi.

/Project Syndicate