string(56) "rimendimi-i-totemeve-enigme-miniaturash-e-perditshmerise"

Arte

Donjeta Abazi

30/04/2025 18:38

‘Rimendimi i Totemeve’ – enigmë miniaturash e përditshmërisë

Arte

Donjeta Abazi

30/04/2025 18:38

Më 29 prill në Shtëpinë e Evropës në Prishtinë u hap ekspozita “Rimendimi i Totemeve”, e artistit Genc Rodiqi. Artisti solli 366 vepra në miniaturë, duke nisur nga periudha e pandemisë dhe njëra nga punimet titullohet ‘Totemi 366’, i cili u krijua si kujtim për një mik të artistit që vdiq nga COVID-i.

Tri punime të Rodiqit janë të varura në katin sipër të Shtëpisë së Evropës, të punuara në tekniken vaj në pëlhurë. Njëra nga të cilat është e titulluar ‘Rikthimi në shtëpinë e nënës’. Të tri këto punime na sjellin tri rrëfime të artistit, tri kujtime dhe tri emocione, përzier me stilin e veçantë të Rodiqit që tekniken e punimeve të tij e ka të gërshetuar mes abstraktit e surreales.

Punimet në katin e sipërm kanë të bëjnë me vetmin si sëmundjen më të përhapur në botë, sidomos në qytete të mëdha

“Going back to Mum’s house” e shtjellon këtë temë dhe temën e nostalgjisë për shtëpinë e fëmijërisë sepse çdo njërit prej neve fëmijëria jonë i duket më e mira

Piktura tjetër bardh e zi – injoranca është barrë e rëndë – një ndjenjë e pafuqisë së individit për të përballuar ambientin i cili shpeshëherë dinë të jetë i mbushur me injorancë

Ekspozita është titulluar ‘Rimendimi i Totemeve” duke u bazuar në Totemat Indian të cilët janë objekte kulti dhe objekte shpirtërore në disa kultura botërore. Pakot e cigareve kur të hapen e kanë një formë të ngjashme me totemet indian.

Pakot e cigareve në miniaturë

Artisti ka realizuar gjithsej 366 punime ne miniaturë, duke përdorur pakot e cigareve për të dizajnuar dhe për të kombinuar ngjyrat adekuate. Nëpër këto punime na paraqiten figura të ndryshme që simbolizojnë ndjesi të veçanta dhe histori me vete. Pakot që janë përdorur në këtë ekspozitë janë pako të dorës së parë, të cilave artisti ua jep dorën e fundit me ngjyra dhe figura që ai ka vendosur t’i jetësojë në miniaturë. Të varura në mur, të gjitha punimet krijojnë përshtypjen e një ‘puzzle’ që marrin kuptim veç nëse shihen nga afër, megjithëse dallon rrëfimi nga rrëfimi.

Përtej figurave të njerëzve që i shohim në punime, shohim edhe objekte, ndërtesa të ndryshme, dhe nëse kapemi për termit totem (në bazë të cilit është titulluar ekspozita) kuptojmë objekte dhe njerëz të cilët në këtë rast adhurohen.

Po flasim për një periudhë të caktuar kohore, e cila përfshin edhe periudhën e pandemisë. Sidoqoftë, lirshëm na shkon në mendje koha, objektet, njerëzit dhe vendet të cilat janë vërejtur më shumë nga ne, nga vetë artisti, dhe si të tilla, janë më të afërta në atë periudhë më të vërejtëshme, më të dashura dhe pse jo më të adhurueshme.

Piktura si poezi

Me të drejtë në tekstin kuratorial shkruhet që vetë titujt duken si poezi. Në fakt të gjitha punimet sidomos ato në miniaturë duken si poezi të shkurtra, por kuptimplota. Rrëfimet e artistit janë edhe rrëfime tonat. Qofshin ato shoqërore, emocionale, nostalgjike të cilat lidhen me një vend me një shtëpi, me një mik apo me një histori. Të gjitha miniaturat që i shohim nga larg na e japin një ndjesi enigmatike përmes së cilës ne dëshirojmë të eksplorojmë, të zbulojmë çka fshihet mes tyre.

Analiza e thellë brenda dhe në detaje na e jep ndjesinë se po shohim një material interesant me të cilin është punuar brenda, nganjëherë krijohet përshtypja së brenda janë bërë bashkë shumë materiale, kur shohim edhe më me vëmendje e vërejmë që në fakt teknika është e njëjtë, brenda janë pakot e cigareve të palosura mbi të cilat është pikturuar. Ngjyrat krijojnë ndjesi të sigurisë, tek publiku, të asaj që e shohim dhe e absorbojmë, përmes ngjyrave neve pos figurave na jepet edhe e emocioni, qoftë ai emocion i lumtur apo i trishtuar.

Kjo teknikë e veçantë e artistit e ofron publikun në rrëfim, pikërisht pse punimet janë në miniaturë të vendosura pranë njëri-tjetrit krijon atmosferën e afërsisë, mes artistit dhe publikut, mes vetë publikut dhe mes artit e të gjithë atyre që u përmenden sipër.

Në kërkim të asaj që është

“Rimendimi i totemeve” i jep një pamje krejt unike hapësirës së Shtëpisë së Evropës duke na ftuar në një udhëtim të veçantë, të ndjeshëm madje edhe intim. Përmes punimeve dhe ngjyrave brenda kornizave, Genc Rodiqi, shpie publikun në kërkim të asaj që duket e përditshme merret e mirëqenë, e jetojmë çdo ditë, por që duket sikur e shpërfillim, ani pse i kthehemi gjithmonë, kur kemi nevojë më së shumti. Të njëjtën ndjesi na e falë edhe punimi “Going Back to Mum’s House”.

“Veprat janë të vogla, madje edhe të brishta-por së bashku, formojnë diçka të fuqishme. Nëse do t’i shtrije të gjitha, do të shtriheshin mbi 45 metra. Është shumë jetë. Shumë emocione. Ka humor, frustrim, mall, gëzim, zemërim, shpresë-nganjëherë të gjitha të ngatërruara bashkë. Rodiqi kap gjithçka, që nga mendimet personale kalimtare deri te pyetjet e mëdha dhe të pamundura për botën. Dhe disi, edhe temat më të rënda -lufta, sëmundja, humbja—mbartin një butësi të çuditshme. Një besim se ndryshimi është ende i mundur”, shkruhet në tekstin kuratorial.

Genc Rodiqi (1966, Prizren, Kosovë)

Genc Rodiqi është një artist autodidakt nga Prishtina. I njohur si një nga të paktet koleksionistë të artit lokal dhe themelues i Galerisë Dada, ai ka ndërtuar një lidhje të veçantë me artin-si krijues, por edhe si mbështetës i artistëve të tjerë. Ai filloi të pikturonte seriozisht në të pesëdhjetat e tij, duke ndjekur një thirre të brendshme për të shprehur gjithçka që kishte përjetuar nder vite. Stili i tij është i drejtpërdrejtë, i ndjeshëm dhe shumë personal. Në vitin 2020, gjatë pandemisë, Rodiqi krijoi një vepër për çdo ditë të vitit-366 miniatura të pikturuara mbi paketa cigaresh-si një mënyrë për të kapur jetën e përditshme, emocionet dhe shpresat në një kohë të pasigurt. Në punën e tij ndihen humori, dhimbja, butësia dhe një besim i qetë në mundësinë e ndryshimit. Përmes artit të tij, Rodiqi i jep zë përvojës se jetuar dhe na kujton bukurinë që gjendet në të papërsosurën dhe këmbënguljen.

/Express