Rimëkëmbje e vështirë, si pritet ecuria e ekonomisë në vitin 2021 - Gazeta Express
string(66) "rimekembje-e-veshtire-si-pritet-ecuria-e-ekonomise-ne-vitin-2021-2"

Shqiperi

Gazeta Express

16/01/2021 9:31

Rimëkëmbje e vështirë, si pritet ecuria e ekonomisë në vitin 2021

Shqiperi

Gazeta Express

16/01/2021 9:31

Ekonomia vendase pritet të rimarrë veten pas vitit të vështirë që sapo lamë pas. Por, rimëkëmbja pritet të jetë subjekt i pasigurive të shumta, të lidhura me ecurinë e pandemisë në vend e në botë dhe rezultatet e vaksinimit. Institucionet ndërkombëtare nuk presin një rritje më të lartë se 5-5.5% në 2021-shin, çka do të bëjë që të mos arrijmë të rikthehemi në nivelet e parakrizës këtë vit, por vetëm në 2022-shin. Eksportet optimiste, përveç tekstileve e këpucëve. Si po ndryshon ekonomia pas COVID-19, shanset nga ndryshimi i zinxhirëve globalë të furnizimit. Të mëdhenjtë pritet të blejnë të vegjlit. Rreziqet nga buxheti optimist dhe shpenzimet pa fre, në prag të zgjedhjeve. Shpresa e rindërtimit.

E lamë më të keqen pas me 2020-n? Shumë janë të bindur që po, pasi bota përjetoi recesionin më të keq që nga Lufta e Dytë Botërore dhe ekonomia shqiptare pa rënien më të fortë që nga kriza e piramidave në 1997-n. Por, pasiguritë janë të shumta dhe rreziqet janë në kahun e poshtëm, teksa situata me pandeminë mbetet e paqartë, po ashtu dhe kohëzgjatja e saj. Fillimi i vaksinimit nuk i ka penguar shtetet e mëdha të marrin masa edhe më të forta mbylljeje, duke zbehur shpresat për një rimëkëmbje të shpejtë.

Lexo Edhe:

Të paktën edhe muajt e parë pritet të jenë të vështirë për të gjithë, përfshirë Shqipërinë. Me kalimin e dimrit, arritjen graduale të imunitetit të tufës dhe fillimin e vaksinimit, situata do të vijë drejt përmirësimit, duke shpresuar për një verë më të mirë dhe rimëkëmbje të turizmit. Pas tkurrjes së fortë (-6 deri në 7% të pritshme për 2020-n), institucionet ndërkombëtare nuk parashikojnë një rritje më të fortë se 5.1%.

Fondi Monetar Ndërkombëtar (FMN) pret që Shqipëria të ketë një rimëkëmbje graduale në 2021-’22, me një normë rreth 5%. “Kjo perspektivë është subjekt i pasigurive të mëdha, që lidhen me valën e dytë të virusit, ndonëse vaksina është një lajm i mirë”, thotë shefja e misionit të FMN-së për Shqipërinë, Yan Sun.

Banka Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH) vazhdon të mbajë parashikimin për një rimëkëmbje të PBB-së me 4.5% në vitin 2021. “Por, kjo varet shumë nga se si do të evoluojë situata me COVID-19, veçanërisht sa i përket sezonit të ardhshëm turistik veror”, thotë Matteo Colangeli, Drejtor i Zyrës së BERZH në Shqipëri.

Sipas projeksioneve bazë të Bankës Botërore, në vitin 2021, ekonomia shqiptare parashikohet të rritet me 5.1%. “Një nga supozimet kryesore, që qëndron në themel të këtij projeksioni rikuperimi, është se turizmi ndërkombëtar mund të rimëkëmbet ndjeshëm në vitin 2021”, tha Maryam Salim, menaxhere e zyrës së Bankës Botërore në Shqipëri (lexo intervistat në vijim).

Me këto ritme, rikthimi në nivelet e parakrizës nuk mund të ndodhë këtë vit, por vetëm në 2022-shin. “Rimëkëmbja e ekonomisë do të jetë një proces gradual. Edhe pse në rritje, vëllimi i aktivitetit ekonomik pritet të arrijë nivelin e shënuar para krizës vetëm në vitin 2022. Ecuria e ekonomisë, gjatë vitit të ardhshëm, është e rrethuar nga rreziqe të kahut të poshtëm”, parashikon Banka e Shqipërisë.

BURIMI: FMN PËR PBB, PËRPUNIME TË MONITOR

Banka Botërore ka dhe një skenar pesimist, duke supozuar një rritje më të shpejtë të rasteve të reja me COVID-19 që zgjat deri në gjysmën e dytë të 2021 në shumë vende, dhe një vonesë e vaksinimit me dy deri në katër tremujorë. Sipas këtij skenari, ekonomia shqiptare parashikohet të rritet me 2.6 pikë përqindje më pak se në skenarin bazë, duke zbritur në një zgjerim prej vetëm 2.5%. Nëse ky skenar do të materializohej, rikthimi në nivelet e parakrizës do të vështirësohej edhe për në vitin 2022.

Por, me përfundimin e pandemisë, – që sipas eksperiencës së gripit spanjoll mund të zgjasë dy vjet, pra deri në fund të 2021- rimëkëmbja pritet të jetë e shpejtë, e orientuar nga konsumi dhe turizmi. Në sektorin privat do të ketë flukse të parave, ndërkohë që ekonomia rihapet plotësisht.

Familjet dhe kompanitë, që në kohën e pandemisë ishin të kujdesshme, duke ruajtur kursimet e akumuluara, pas rihapjes, mund të nisin një valë shpenzimesh, duke kompensuar për gjithë kohën që nuk kanë kaluar në udhëtime, argëtim, restorante dhe bare, në vitin 2020, duke i lënë vendin një periudhe të re dinamizmi ekonomik.

Pritshmëritë për sektorët kryesorë, sipas peshës në PBB

Bujqësia, ndërtimi dhe aktivitetet e pasurive të paluajtshme ishin sektorët që “shpëtuan” ekonominë në vitin 2020. Të tre së bashku zënë rreth 33% të Prodhimit të Brendshëm Bruto (PBB).

Bujqësia, sektori kryesor në ekonomi, me 18.4% të PBB-së, sipas INSTAT pritet edhe këtë vit të vijojë tendencën pozitive, e ndikuar nga rimodelimi i prodhimit (përmirësimi i zinxhirit prodhues e tregues), ndonëse problemet strukturore do të vijojnë dhe blegtoria parashikohet më e dobët.

Ndërtimi, me 9% të PBB-së, filloi të merrte veten që në tremujorin e dytë 2020, kulmoi në të tretin dhe parashikohet të vijojë i tillë, i nxitur sa nga projektet private që po rrezikojnë krijimin e një mbioferte, ashtu dhe nga rindërtimi, që pritet të kulmojë në prag të zgjedhjeve. Buxheti i shtetit parashikon këtë vit mbi 30 miliardë lekë për pasojat e tërmetit, pasi procesi u vonua në 2020-n për shkak të pandemisë.

Aktivitetet e pasurive të paluajtshme (5.5% e PBB-së) ishin në lulëzim në 2020-n, të nxitur dhe nga flukset informale dhe pritet të vijojnë të kenë një vit pozitiv, në mbështetje edhe të vrullit të rindërtimit, ndonëse në afat të gjatë një orientim i tillë nuk i sjell asnjë vlerë të shtuar ekonomisë.

Tregtia dhe shërbimet, që së bashku sjellin më shumë se 22% të PBB-së u ndikuan më fort nga kufizimet e pandemisë, rritja e papunësisë e tkurrja e konsumit në 2020-n. Sektori nuk po sheh dritë jeshile, me pandeminë që ende është në kulmin e saj, teksa sjellja konsumatore po ndryshon. “Për ushqimet dhe tregtinë me pakicë vërehet një rritje e volumeve në produktet e shportës dhe një rënie tek produktet jo ushqimore dhe jo të domosdoshme për një familje.

Klientët janë ende më të orientuara drejt ofertës dhe çmimit”, pohon z. Julian Mane, zv.president i grupit “Balfin”, më i madh i pakicës në vend. Sa më shpejt të përfundojë pandemia, aq më e shpejtë do jetë dhe ringritja e tregtisë dhe shërbimeve.

Në të njëjtën linjë edhe sektori i transportit (3.3% e PBB-së) është i varur nga ecuria e pandemisë. Baret dhe restorantet, që përbëjnë rreth 15% të sipërmarrjeve në vend janë pesimiste se do të arrijnë të rezistojnë deri në fund dhe parashikojnë shumë mbyllje. Industria kontribuon në 12.2% të PBB-së, nga e cila 6.1% (e PBB) është sektori përpunues. Arben Shkodra, sekretar i përgjithshëm i Shoqatës së Prodhuesve, thotë se një pjesë e mirë e biznesit prodhues e ka marrë veten.

Në panoramën sektoriale, “ushqimet dhe pije joalkoolike” janë rikuperuar tërësisht dhe pritshmëritë janë pozitive. “Me apo pa vaksinë, nga marsi apo prilli, pritet të ulet virulenca, do të udhëtohet për pushime, do të ketë festa. Pijet alkoolike nuk e kanë marrë veten nga dëmi i vjetshëm, parashikohet të rikuperojnë jo për të dalë në sipërfaqe”.

Shkodra shton se eksporti i fruta-perimeve do të jetë në rritje, teksa skemat e IPARD kanë funksionuar. Prodhimi i materialeve të ndërtimit, e ka marrë veten që në gjysmën e dytë 2020, por Shkodra shton se duket të ishte nxitur produkti shqiptar, p.sh., në procesin e rindërtimit.

Përpunimi i drurit, ndonëse në rritje, ka problemet e veta, pasi nuk është i qëndrueshëm për sa kohë që nuk ka moratorium të pyjeve dhe varet nga lënda e parë e huaj. Edhe ky sektor pritet të ndihmohet nga rindërtimi. Sektorë problematikë vijojnë të mbeten, sipas Shkodrës, ai i metaleve me ngjyra, riciklimit (pasi po shkohet direkt drejt incenerimit), plastikës, prodhimit të letrës.

Rikuperimi më i vështirë pritet për sektorin e tekstileve e këpucëve, kryesisht që punon me material porositësi. Shkodra thotë se prodhimi ka mbetur stok, gjë që ka çuar në rënien e porosive, duke vënë në vështirësi të madhe industrinë. Edhe orientimi drejt maskave e veshjeve spitalore ishte i përkohshëm. Më e lehtë do të jetë për bizneset që kanë investuar në prodhimin e gatshëm. Shkodra shton se në një vit zgjedhor, mund të presim dhe të papritura nga ana e politikës.

Fillim i vështirë

Të paktën edhe muajt e parë pritet të jenë të vështirë për të gjithë, përfshirë Shqipërinë. Me kalimin e dimrit, arritjen graduale të imunitetit të tufës dhe fillimin e vaksinimit, situata do të vijë drejt përmirësimit, duke shpresuar për një verë më të mirë dhe rimëkëmbje të turizmit

Shpresa e madhe e turizmit

Turizmi është shpresa më e madhe e rimëkëmbjes këtë vit, por ecuria e tij është e lidhur ngushtësisht me pandeminë. Nëse vaksina funksionon dhe imuniteti i tufës krijohet para verës, rimëkëmbja mund të jetë e shpejtë. “Numri i kontratave këtë vit është i njëjtë me vitin më të mirë turistik të Shqipërisë që ishte 2019-a, por gjithçka mbetet për t’u qartësuar në muajt e parë të këtij viti”, thotë Rrahman Kasa, kryetar i Unionit Turistik Shqiptar. Colangeli i BERZH pohon se kriza e COVID-19 duhet të shërbejë si një mundësi për të përshpejtuar procesin e shndërrimit të vendit në një destinacion për turizmin e pavarur gjithë vitin dhe turizmin e specializuar.

Turizmi, i cili në 2019-n arriti në kulmin e tij, duke nxitur interesin për investime në hoteleri e resorte, ka rezultuar më i godituri deri tani. Për 11-mujorin, hyrjet e shtetasve të huaj ranë me rreth 60%, ose rreth 3.6 milionë persona më pak.

Agjencitë e udhëtimit raportuan një rënie me 86% të indeksit të vlerës në tremujorin e dytë, në raport me të njëjtën periudhë 2019, sipas INSTAT, duke rezultuar sektori më i goditur nga pandemia. Ato nuk arritën të rikuperohen as në tremujorin e tretë, ku tkurrja ishte -62%. Hotelet shënuan tkurrje të fortë me 61% në tremujorin e dytë dhe mbetën në territor negativ edhe në të tretin, me një rënie dyshifrore prej 31%.

Turizmi

Turizmi është shpresa më e madhe e rimëkëmbjes këtë vit, por ecuria e tij është e lidhur ngushtësisht me pandeminë. Nëse vaksina funksionon dhe imuniteti i tufës krijohet para verës, rimëkëmbja mund të jetë e shpejtë

Eksportet optimiste, përveç tekstileve e këpucëve

Eksportet ishin të parat që e ndien krizën, duke shënuar tkurrje të fortë me mbi 30% në mars-prill, pothuajse në të gjitha grupet, përveç atyre bujqësore. Rimëkëmbja nisi nga muaji gusht për industrinë e çelikut dhe nga nëntori për naftën dhe sektorin mbështetës automotive. Ndërsa tekstilet dhe këpucët, grupi kryesor i mallrave që shiten jashtë vendit u ndikuan sërish nga karantina e dytë e shteteve europiane në muajt e fundit të 2020-s.

Për 11-mujorin 2020, eksportet në total kanë shënuar një rënie prej rreth 10%, sipas INSTAT. Goditjen më të madhe e kanë pësuar veshjet e këmbëve, që kanë ndikuar në 40% të tkurrjeve të eksporteve për 11-mujorin, të ndjekura nga produktet minerale (kryesisht nafta), metalet bazë dhe artikujt prej tyre (çeliku). Tekstilet arritën të përshtateshin pas valës së parë të karantinës dhe të reduktonin humbjet, duke u orientuar në prodhimin e maskave apo produkteve të tjera mjekësore. Për 2020-n, ecuri pozitive shënuan vetëm grupet e “produkteve ushqimore e pije” dhe “makineri, pajisje e pjesë këmbimi”.

BURIMI: INSTAT, PËRPUNIME TË MONITOR

Për vitin 2021, pritshmëritë janë më pozitive për pjesën më të madhe të eksportuesve. “Bankers Petroleum”, eksportuesi më i madhe në vend, i cili shfrytëzon me koncesion fushën naftëmbajtëse të Patos-Marinzës, pret të njëjtin nivel si në 2020-n, ndërsa ecuria e investimeve do të varet nga çmimi i naftës në tregjet ndërkombëtare. “Kurum Albania”, eksportuesi i dytë kryesor, është më optimist.

Kompania parashikon që në vitin 2021, shitjet në volum të rriten me 5-10%, për shkak të gjallërimit të kërkesës nga vendet e rajonit dhe diversifikimi në tregun e Serbisë, ndërsa qarkullimi vjetor të zgjerohet me 20% nga çmimet më të larta të shitjes. Në të njëjtën linjë vlerësojnë ecurinë e tyre edhe eksportuesit e materialeve të ndërtimit.

Pozitive janë dhe pritshmëritë e industrisë mbështetëse automotive, “yllit” në ngjitje të eksporteve, që është zgjeruar me ritme dyshifrore vitet e fundit. Në nëntor, eksportet e grupit “Makineri, pajisje, pjesë këmbimi”, shënuan rritje të fortë me gati 63%, pas fillimit të aktivitetit të dy fabrikave të reja, koreanojugorët e YURA-s në Fier, si dhe Sews Cabind Albania. Operatorët presin që edhe 2021-shi të jetë pozitiv.

Eksportet e “pijeve ushqimore dhe duhan” pritet të vijojnë tendencën pozitive, të nxitura nga rritja e kërkesës së jashtme për prodhimet shqiptare dhe përmirësimit të zinxhirit, nga prodhimi te magazinimi dhe eksporti, gjë që ka rritur produktivitetin e sektorit.

Situata mbetet e paqartë për industrinë e tekstileve dhe sidomos atë të këpucëve. Shtrëngimi i masave të karantinës në fillim të vitit 2021 ka zbehur optimizmin e grupit kryesor të eksportuar në vend, që zë gati 40% të totalit. Të paktën për 6 muajt e parë të vitit, fabrikat presin një rënie të kërkesës dhe kthim drejt normalitetit në të dytin, nëse situata pandemike do të qetësohet dhe vaksina do të fillojë të japë efekt. Ashtu si në vitin e mëparshëm, efekti negativ pritet të jetë më i fortë në industrinë e këpucëve .

BURIMI: INSTAT, PËRPUNIME TË MONITOR

Rreziqet e lidhura me keqmenaxhimin e buxhetit

Të ardhurat në buxhet për 11-mujorin 2020 kanë rënë me 9.1% për 11-mujorin me bazë vjetore, nga -3.5% që ishte parashikimi në buxhetin e rishikuar, duke reflektuar pasojat e karantinës së ekonomisë në mars-maj dhe dobësitë e mëpasshme. Vetëm në tetor, arkëtimet iu afruan niveleve të parakrizës, ndërsa në nëntor ranë me gati 6%, (ose 23% më pak se plani i rishikuar) duke reflektuar pasojat që solli në ekonomi vala e dytë e pandemisë.

Buxheti i vitit 2021 është parashikuar tepër optimist në supozim të një rimëkëmbjeje të shpejtë, që nuk ka gjasa të ndodhë, të paktën në muajt e parë. Të ardhurat parashikohen në 484 miliardë lekë, me rritje 8.4% nga plani i 2020-s, ose gati 15% më shumë sesa fakti i pritshëm, praktikisht e parealizueshme në një ekonomi që pritet maksimumi të rritet me 5%, duke e “rrëzuar” këtë buxhet që pa nisur zbatimin.

Parashikimi optimist i të ardhurave jep mundësinë në kahun tjetër për të planifikuar më shumë shpenzime. Në prag të zgjedhjeve të 25 prillit, qeveria nuk parashikon të frenohet për kryerjen e investimeve kapitale. Disa projekte janë hapur tashmë, si rreth-rrotullimi tek TEG prej 12 milionë eurosh dhe ndërtimi i rrugës Dhërmi-Palasë për rreth 13 milionë euro.

Projekti më i madh është ai i hapur në fund të 2020-s për tunelin e Llogorasë. Sipas parashikimeve në projektbuxhetin e vitit 2021, vlera totale e projektit është 18.7 miliardë lekë, ose 151 milionë euro. Ndonëse qeveria në dokumentet e tenderit parashikon ndërtimin e rrugës për tre vjet, fondi i parashikuar në buxhet për 2021-2023 është vetëm 6 miliardë lekë, ose 32% e totalit, duke e lënë pjesën tjetër (12.7 miliardë lekë), pas përfundimit të pritshëm të rrugës!

Parashikimi optimist i të ardhurave dhe rendja drejt shpenzimeve rrezikon të vërë në vështirësi buxhetin në këtë periudhë të pasigurt pandemie, duke rritur detyrimet e prapambetura dhe borxhin publik, që tashmë ka arritur 80% të Prodhimit të Brendshëm Bruto.

Fondi Monetar Ndërkombëtar e ka këshilluar qeverinë të frenohet në kryerjen e shpenzimeve publike, duke pasur parasysh rreziqet e pandemisë, dobësitë në menaxhimin e investimeve publike dhe kufizimin e financimit.

“Në rast të një pandemie më të rëndë, autoritetet do të duhet të ndërmarrin masa të reja për të siguruar një kujdes të përshtatshëm shëndetësor dhe për të mbrojtur shtresën më të brishtë, të identifikojnë opsionet për rialokime të buxhetit dhe financime zyrtare shtesë, si dhe të mbajnë likuid tregun e brendshëm financiar”, pohon shefja e misionit të FMN-së për Shqipërinë, Yan Sun.

Një numër i lartë i çështjeve që sipërmarrjet private, që u janë prishur marrëdhëniet me shtetin, po çojnë në arbitrazhin ndërkombëtar është një tjetër rrezik për buxhetin, teksa po rezulton se ato po arrijnë të mposhtin shtetin në pjesën më të madhe të rasteve, duke ushtruar presion për pagesa mbi financat tashmë të brishta.

Bankat këtë vit pritet të ndiejnë pasojat e krizës

Sistemi bankar ka rezistuar në vitin më të keq të pandemisë. Treguesi i kredive me probleme u mbyll në 8.2% në 2020-n, niveli më i ulët në gati 7 vjet, të ndikuara nga moratoriumi 6-mujor për shtyrjen e kësteve të huave (mars-gusht). Depozitat shënuan rritjen më të lartë që prej vitit 2012, të orientuara kryesisht nga monedha vendase, teksa kriza dhe kufizimet nxitën kursimet. Deri në fund të nëntorit, në krahasim me një vit më parë, depozitat janë rritur me 5.2%, ose me 57 miliardë lekë. Kredia u rimëkëmb në gjysmën e dytë të vitit.

Sektori pritet të ndiejë pasojat e pandemisë në 2021-shin, kur të reflektohen pasojat që kriza do të japë në kthimin e kredive në bilancet e bankave. Spiro Brumbulli, sekretar i Shoqatës Shqiptare të Bankave, thotë se rritja e kredive me probleme do të jetë e pashmangshme, për shkak të përkeqësimit të gjendjes së bilanceve të familjeve dhe ndërmarrjeve.

“Me rëndësi është vlerësimi i aftësisë së bankave për t’u përballur me nivelet më të larta të kredive me probleme gjatë vitit të ardhshëm. Kjo nënkupton vlerësimin e përshtatshmërisë së niveleve të fitimit të periudhës dhe të kapitalit për të përthithur humbjet eventuale dhe për të vijuar kreditimin me ritme të përshtatshme”, thotë Banka e Shqipërisë.

Si po ndryshon ekonomia pas COVID-19, të mëdhenjtë pritet të blejnë të vegjlit

Kriza e shkaktuar nga COVID-19 nxori më në pah problemet strukturore të ekonomisë, si niveli i ulët i sofistikimit dhe produktivitetit, pesha e lartë e vetëpunësimit, paqëndrueshmëria e bizneseve të vogla, mungesa e diversifikimit të eksporteve etj.

Subjektet e vogla po rezultojnë më të brishtat. Të dhënat nga Drejtoria e Tatimeve tregojnë se numri i bizneseve që kanë kaluar në status pasiv është rritur me gati 40% me bazë vjetore për periudhën 1 maj-31 dhjetor 2020, duke ndikuar në rritjen e papunësisë dhe varfërisë në vend. Banka Botërore vlerëson se varfëria e përcaktuar, si përqindja e njerëzve që jetojnë me më pak se 5.5 dollarë amerikanë në ditë (korrigjuar për fuqinë blerëse) në Shqipëri mund të jetë rritur me rreth 6 pikë përqindje, duke i kaluar 45%.

Kriza e të vegjëlve parashikohet të hapë më shumë terren për sipërmarrjet e mëdha dhe pritet që periudha e pas-pandemisë të shoqërohet me shitje dhe blerje, duke rritur përqendrimet e të mëdhenjve, që kanë rezultuar më të mirëpozicionuar përballë rënies ekonomike dhe të konsumit.

Në kahun pozitiv, pandemia po imponon ndryshime të shpejta. “Në veçanti, kriza ka ripërtërirë vrullin drejt dixhitalizimit të ekonomisë – ky moment duhet të shfrytëzohet për të pozicionuar më mirë Shqipërinë për ekonominë globale të së ardhmes”, thotë znj. Maryam Salim, menaxhere e zyrës së Bankës Botërore në Shqipëri.

Eksportet kanë nisur të diversifikohen përtej Italisë drejt tregjeve më të qëndrueshme. Për 11-mujorin, eksportet e tekstileve drejt Gjermanisë u rritën me 23%, ndërsa në Itali dhe në total ranë përkatësisht me -14% dhe -8.4%, sipas të dhënave të INSTAT. Edhe shitjet e këpucëve po diversifikohen në shtete të tjera deri në Japoni, por edhe në shtetet fqinje si Serbia.

Arben Shkodra, sekretar i përgjithshëm i Shoqatës së Prodhuesve, pohon se edhe viti 2021 do të jetë dramë për sektorin e materialit të porositësit, për shkak të krijimit të stoqeve nga pandemia, por kjo do të shërbejë për të rimodeluar sektorin, që nuk duhet të bëjë vetëm disa procese, por të shkojë drejt prodhimit të gatshëm. Për të realizuar këtë duhen investime në kërkim e zhvillim, dizajnim etj. Shkodra shton se Shoqata po përfundon një draft-propozim për politikën në lidhje me zhvillimin e biznesit prodhues me kërkesa të qarta specifike për zhvillim të zgjuar afatgjatë.

Riorganizimi i zinxhirëve globalë të vlerës, i cili është aktualisht në proces, mund të sjellë mundësi në zhvillimin e sektorëve të rinj. “Në veçanti, Shqipëria mund të jetë një destinacion tërheqës për prodhuesit europianë, të cilët po marrin në konsideratë zhvendosjen e njësive të prodhimit nga kontinentet e tjera në brigje më të afërta”, pohon Matteo Colangeli, Drejtor i Zyrës së BERZH në Shqipëri.

Por, që Shqipëria të përfitojë nga diversifikimi i zinxhirëve të furnizimit, shefja e misionit të FMN-së për Shqipërinë, Yan Sun rekomandon që vendi të përmirësojë klimën e investimeve dhe të heqë ato pengesa që parandalojnë tërheqjen e IHD-ve. “Në veçanti, përmirësimi i institucioneve, infrastrukturës dhe sundimit të ligjit janë të nevojshme për të siguruar një klimë konkurruese biznesi”, pohon Sun.

Pas pandemisë, vendi duhet të orientohet drejt një zhvillimi të qëndrueshëm. “Në terma të politikave makroekonomike afatgjata, lufta ndaj informalitetit dhe krijimi i kushteve të barabarta për të gjithë bizneset janë ndër masat më të rëndësishme për t’u marrë, së bashku me zbatimin e Reformës në Drejtësi dhe rritjen e kapaciteteve në administratën publike dhe titujve të pronësisë”, rekomandon Colangeli i BERZH./ Monitor