Rilindja Kombëtare/ Hasan Tahsini, një personalitet i shquar - Gazeta Express
string(58) "rilindja-kombetare-hasan-tahsini-nje-personalitet-i-shquar"

Arte

Gazeta Express

29/09/2022 13:19

Rilindja Kombëtare/ Hasan Tahsini, një personalitet i shquar

Arte

Gazeta Express

29/09/2022 13:19

Patrioti dhe dijetari i shquar Hasan Tahsini zë një vend të nderuar në Rilindjen Kombëtare Shqiptare. Me veprimtarinë e tij të gjithanshme ai i solli një shërbim të çmuar atdheut, zgjimit dhe forcimit të ndërgjegjes kombëtare, mësimit të gjuhës shqipe, përhapjes së diturisë, etj.

Hasan Tahsini ishte bërë një nga personalitet e njohura të lëvizjes kombëtare shqiptare dhe një nga figurat kryesore të “Shoqërisë së të shtypurit shkronja shqip” të Stambollit. Kishte një kulturë të gjerë, ishte poet dhe astronom, psikolog dhe historian, gjuhëtar dhe filozof, pedagog dhe matematicien. Bashkëpunëtorët dhe biografët e tij thonë se kishte një inteligjencë të rrallë, zotëronte disa gjuhë të huaja, të Lindjes dhe të Perëndimit. Në vitin 1868 ai u emërua rektor i Universitetit të parë të Stambollit. Ka shkruar shumë vepra shkencore, ndër të cilat “Mbi bazat e kozmografisë”, “Njohuri mbi psikologjinë”, “Pasqyra e rrozullimit”, “Tabela astronomike”, “Libër logaritmesh”, “Alfabeti i gjuhës shqipe”. Në Enciklopedinë e re turke, botuar më 1948, në vëllimin 51, shënohen edhe këto vepra të Hasan Tahsinit: “Bota e qiellit”, “Libri i Volneit”, “Kubeja astronomike”, “Sekretet e ajrit dhe të ujit”, “Historia e krijimit të botës”, “Jeta dhe historia e popujve” etj.

Lexo Edhe:

Hasan Tahsini u lind në Ninat të Sarandës në vitin 1811 dhe u formua në atë shekull plot ngjarje tronditëse, veçanërisht për marrëdhëniet shqiptaro-turke. Mësimet e para i mori në Shkodër dhe në Filat, kurse medresenë e kreu në Stamboll. Ishte nxënës i matur, fjalëpakë, i vëmendshëm dhe mendjemprehtë. Megjithëse i larguar nga vendlindja e tij në moshë të vogël, legjendat dhe folklori i popullit tonë e ndoqën pas, qoftë nëpërmjet mëkimit të prindërve, qoftë nëpërmjet bashkatdhetarëve të tjerë që kishin emigruar në Turqi. Gjatë kohës që ndiqte medresenë përvetësoi mjaft mirë arabishten, persishten dhe frëngjishten. Personaliteti i shquar dhe i gjithanshëm, botëkuptimin dhe dijet e thella në disiplinat e ndryshme të shkencës i vuri në shërbim të Atdheut, të çështjes së çlirimit kombëtar të tij. Më shumë se shkencëtar dhe dijetar me kulturë të gjerë, ai ishte patriot i madh. Ai nuk e shihte diturinë si stoli, por si mjet për t’i shërbyer atdheut dhe popullit të tij. Dijetari kishte bërë të tijën thënien e njohur të Laibnicit: “Më jepni një palë shkronjëza të mira, t’ju jap një qytetërim fort të mirë”.

Në bashkëpunim me patriotët e shquar të Stambollit: Ismail Qemalin, Kostandin Kristoforidhin, Koto Hoxhin, Vëllezërit Frashëri, Jani Vreton dhe Vaso Pashën, Hasan Tahsini bëri përpjekje për krijimin e një alfabeti shqip dhe kultivimin e gjuhës së shkruar shqipe, që shprehte kështu veç të tjerave rezistencën ndaj qëllimeve asimiluese osmane. Vdiq në vitin 1881…/Hejza