Rikthim në shkollë? Më e rëndësishmja nga të gjitha rihapjet - Gazeta Express

Lajme

Gazeta Express

15/08/2020 15:43

Rikthim në shkollë? Më e rëndësishmja nga të gjitha rihapjet

Lajme

Gazeta Express

15/08/2020 15:43

Teksa shkollat në shumë vende pritet të rihapen në shtator, studiuesit janë duke bërë kërkime në lidhje me sigurinë e tyre.

Mbretëria e Bashkuar do të përballet me një valë të dytë të infeksioneve të koronavirusit këtë dimër nëse sistemi i testimit dhe gjurmimit të kontakteve nuk do të përmirësohet deri në kohën kur shkollat të rihapen plotësisht dhe njerëzit të rikthehen në vendet e punës, paralajmërojnë studiuesit.

Jasmina Panovska-Griffiths në University College London (UCL) dhe kolegët e saj zbuluan se ekziston rreziku i një kulmi të dytë të infeksioneve në dhjetorm që do të jetë më shumë se dyfishi i valës së parë në Mbretërinë e Bashkuar. Ekipi i saj modeloi sasinë e testimit dhe gjurmimit të nevojshëm për të ndaluar rikthimin e virusit, pasi shoqëria lehtëson kufizimet.

Nëse të gjithë fëmijët në Mbretërinë e Bashkuar kthehen në shkollë në fillim të shtatorit, siç është planifikuar aktualisht, dhe pothuajse tre të katërtat e njerëzve kthehen në vendet e punës, Mbretëria e Bashkuar do të duhet të testojë 75 përqind të rasteve simptomatike të covid-19 për të mbajtur nën kontroll përhapjen e virusit. Shkalla e tanishme në Angli, të cilën ekipi e përdori si bazë për modelimin në Mbretërinë e Bashkuar, është 50 përqind. Përqindja e kontakteve të të gjurmuara do të duhet të rritet nga rreth 50 përqind në Angli tani, në 68 përqind për tërë Britaninë e Madhe.

“Duhet të përmirësohet,” tha Russell Viner në UCL, i cili gjithashtu punoi në këtë studim, gjatë një konference për shtyp të mbajtur nga ekipi.

“Janë krijuar plane për të siguruar që shkollat të mund të rihapen të sigurta. Zyrtarët lokalë të shëndetit, duke përdorur të dhënat më të fundit, do të jenë në gjendje të përcaktojnë veprimin më të mirë për të ndihmuar në frenimin e përhapjes së virusit nëse ka një rritje të rasteve”, thotë një zëdhënës i Departamentit të Shëndetit dhe Kujdesit Social të MB.

Analiza vjen në mes të vërshimit të pyetjeve në lidhje me rolin e fëmijëve në transmetimin e virusit, pasi shumë vende në të gjithë botën përgatiten të rihapin shkollat. Studimet fillestare kanë qenë jokonkluzive, por kanë treguar që rreziku që fëmijët të marrin covid-19 në shkollë mund të jetë më i ulët se ai mendohet. Një studim i publikuar së fundmi e mbështet këtë teori, pas gjetjeve se normat e transmetimit ishin të ulta në 15 shkolla dhe 10 qendra parashkollore për kujdesin e fëmijëve në shtetin Australian të Nju Sauth Ueils, në mesin e valës së parë të infeksioneve. Vetëm në tre nga shkollat dhe një nga kopshtet u pa transmetim sekondar i virusit. “Transmetimi në mjediset arsimore mund të mbahet i ulët dhe i menaxhueshëm,” shkruan ekipi i drejtuar nga Kristine Macartney në Universitetin e Sidneit.

“Ne kemi prova më të forta që fëmijët luajnë një rol shumë të kufizuar në transmetim,” tha Viner. “Ata e transmetojnë këtë virus, mund të ketë shpërthime në shkolla. [Por] studime si ky i fundit në Australi tregojnë se ka shumë pak prova që një pjesë domethënëse e këtij transmetimi ndodh në shkolla”. Shumica e shpërthimeve në shkolla duket se janë shkaktuar nga stafi dhe jo nga fëmijët, tha ai.

Debati mbi rihapjen e shkollave u rikthye pasi shefi i shëndetit publik në Angli, Chris Whitty tha më 31 korrik se të dhënat e reja sugjerojnë se vendi “ka arritur ndoshta afër kufirit ose kufijve të asaj që ne mund të bëjmë në drejtim të hapjes së shoqërisë”. Do të duheshin kompromise të vështira të kufizimeve, tha ai.

Graham Medley në Shkollën e Higjienës dhe Mjekësisë Tropikale në Londër (LSHTM), një nga këshilltarët shkencorë të qeverisë, tha më pas se kjo mund të nënkuptojë mbylljen e pubeve për të lejuar që shkollat të rihapen.

Studimi tregon atë që është e nevojshme për të lejuar që shkollat të rihapen, tha Chris Bonell në LSHTM, i cili gjithashtu ka punuar në studimin e modelimit në Mbretërinë e Bashkuar. “Shkollat absolutisht duhet të kthehen në shtator, është thelbësore për ekonominë dhe edukimin dhe mirëqenien e fëmijëve. Eshtë më e rëndësishmja nga të gjitha rihapjet”, tha ai./Bota.al