Lionel Messi mund të mbyllë rrethin e karrierës aty ku gjithçka nisi. Sipas raportimeve të mediave ndërkombëtare, legjenda e futbollit botëror ka arritur një marrëveshje parimore për t’u larguar nga Inter Miami vitin e ardhshëm dhe për t’u rikthyer në Argjentinë te Newell’s Old Boys, klubi ku ai u formua si futbollist i ri.
Messi ka kontratë me Inter Miami deri në vitin 2028, por plani i parashikuar do të ishte një huazim gjashtëmujor, nga janari deri në qershor të vitit 2027, përpara rikthimit të tij në MLS. Një rikthim që do të kishte vlerë të madhe emocionale për tifozët argjentinas dhe për vetë lojtarin.
Nënkryetari i Newell’s Old Boys, Juan Manuel Medina, e ka konfirmuar publikisht se klubi po punon për këtë skenar. “Po punojmë që Leo të luajë për Newell’s në gjysmën e parë të vitit 2027. Gjithçka varet nga ajo që mund të ofrojmë në aspektin e infrastrukturës dhe projektit sportiv,” është shprehur ai për median argjentinase TN.
Sipas TuttoMercatoWeb, pengesa kryesore ndër vite ka qenë siguria e Messit dhe familjes së tij në Rosario, por presidenti i ri i klubit, Ignacio Boero, ka ndërmarrë hapa konkretë për ta garantuar këtë aspekt. Madje, Boero ka zhvilluar bisedime edhe me guvernatorin e Santa Fe-së, Maximiliano Pullaro, për të ndërtuar një plan që do t’i ofronte yllit argjentinas qetësinë e nevojshme.
Messi mbetet një figurë unike në historinë e futbollit: 792 gola në 973 ndeshje me klube, 115 gola me Argjentinën dhe një koleksion trofesh që përfshin gjithçka – nga Kupa e Botës te tetë Topa të Artë. Një rikthim te Newell’s Old Boys do të ishte jo vetëm një ngjarje sportive, por një moment historik për futbollin argjentinas.