string(97) "rikthehet-tregu-i-zi-biletat-e-ndeshjes-shqiperi-serbi-po-shiten-ne-internet-me-cmime-astronomike"

Futboll

Gazeta Express

03/06/2025 11:10

Rikthehet “tregu i zi”, biletat e ndeshjes Shqipëri – Serbi po shiten në internet me çmime astronomike

Futboll

Gazeta Express

03/06/2025 11:10

Kombëtarja shqiptare do ta zhvillojë këtë të shtunë ndeshjen e rëndësishme dhe të veçantë ndaj Serbisë në kuadër të kualifikimeve për Botërorin 2026.

Federata Shqiptare e Futbollit ndërkohë ka njoftuar sot se procesi i blerjes elektronike i biletave përmes shortit do të vazhdojë deri më 3-4 qershor, ndërkohë që ka nisur edhe pajisja e tifozëve me bileta.

Shtëpia e futbollit shqiptar ndërkohë ka njoftuar se deri më tani janë regjistruar mbi 200,000 aplikime, që tregon interesin e jashtëzakonshëm të publikut për këtë ndeshje, shkruan “Gazeta Express”.

E prej këtyre kërkesave, më pak se 20 mijë tifozë do të jenë fatlumë për ta parë ndeshjen në stadium pasi një sektor i stadiumit, respektivisht 20 për qind, do të jetë i mbyllur pas dënimit që e kishte marrë FSHF-ja nga FIFA.

Për dallim prej të së kaluarës, duke e parë rëndësinë dhe ndjeshmërinë e kësaj ndeshjeje, FSHF-ja e ka lëshuar dorën dhe çmimi i biletave shkon deri në 40 mijë lekë, që i bie rreth 400 euro.

Mirëpo, fatkeqësisht edhe këtë radhë ka nisur të dalë në pah “tregu i zi” i biletave.

Në platformat online, ku zakonisht njerëzit e kanë mundësinë t’i prezantojnë produktet e tyre të shitjes, ka nisur shitja e biletave online të ndeshjes që do të luhet këtë të shtunë në “Arenën Kombëtare”.

Bileta e 3000 lekëve, që i bie 30 euro, në treg të zi nga një tifoz anonim është në shitje për 250 euro.

Një tjetër i kishte vendosur katër bileta në shitje online, pa ua vendosur çmimin, por me shkrimin: “çmimi sipas marrëveshjes”.

Një shitës tjetër i ka vendosur në shitje katër bileta dhe për secilën prej tyre i kërkon nga 150 euro.

Edhe një shitës tjetër i paraqitur në platforma online njoftoi se e shet biletën për hiç më pak se 650 euro.

Kurse një tjetër i shiste dy bileta për tribunën E-203 në vlerë prej 700 eurosh.

Një tjetër shitës i kishte vënë në shitje pesë bileta me çmim prej 250 eurosh për copë.

E të tilla “mundësi” gjenden të shumta në faqe të ndryshme online, sipas kërkimeve të bëra nga “Gazeta Express”.

Biletat kanë dalë edhe në faqe të ndryshme të bashkatdhetarëve që jetojnë jashtë vendit.

Tifozat Kuq e Zi kanë njoftuar dje përmes një postimi në rrjetet sociale se do ta bojkotojnë ndeshjen e së shtunës ndaj Serbisë pasi s’kanë mundur të pajisen me bileta.

Ata janë ankuar në FSHF-në me pretekstin se ka vendosur t’i lërë jashtë stadiumit për këtë ndeshje speciale, ndërsa e kanë kontestuar edhe mënyrën e shitjes së biletave.

“Ky sistem, i ndërtuar për të garantuar bileta për agjencitë turistike dhe më pas për të ushqyer pazaret e zakonshme, është thellësisht i padrejtë dhe i papranueshëm”, shkruajnë ata ndër të tjera.

Ndeshja mes Shqipërisë dhe Serbisë do të luhet të shtunën mbrëma në stadiumin “Arena Kombëtare” duke nisur nga ora 20:45. /Gazeta Express

aaaaa