Një nga dramat televizive më të famshme të viteve ’80 po rikthehet në ekran me një adaptim të ri.
Seriali “A Woman of Substance”, i bazuar në romanin bestseller të vitit 1979 nga Barbara Taylor Bradford, ishte një sukses i jashtëzakonshëm kur u adaptua për herë të parë në televizion në vitin 1985, duke thyer rekorde shikueshmërie për Channel 4 me rreth 13.8 milionë shikues.
Tani, më shumë se katër dekada më vonë, televizioni britanik po e sjell sërish historinë me një kast të ri dhe një interpretim modern.

Historia ndjek jetën e Emma Harte, një vajzë e varfër që punon si shërbyese në vitin 1911 dhe që, përmes vendosmërisë dhe ambicies, arrin të bëhet gruaja më e pasur në botë në vitet ’70. Sipas krijuesve të serialit, rrëfimi është një sagë epike për fuqinë, hakmarrjen, dashurinë dhe ngjitjen sociale.
Aktorja Jessica Reynolds, që luan Emmën në rininë e saj, thotë se seriali nuk shmang temat e ndjeshme, përfshirë marrëdhëniet romantike dhe pasionin. “Personazhi i Emmës është i guximshëm dhe nuk ka frikë të jetojë plotësisht jetën e saj. Ne punuam me koordinatorë të intimitetit për të krijuar skena që duken reale dhe të ndershme për historinë,” shpjegon ajo.
Ndërkohë, Brenda Blethyn, e cila interpreton Emmën në vitet e mëvonshme të jetës, e përshkruan serialin si një dramë klasike me stilin e vjetër të televizionit: një histori për triumfin mbi vështirësitë. “Është një sagë e madhe, plot emocione, konflikte familjare dhe ambicie,” thotë ajo.

Romani origjinal ishte një fenomen botëror, duke shitur mbi 30 milionë kopje. Sipas krijuesve të adaptimit të ri, autorja Barbara Taylor Bradford – e cila ndërroi jetë në vitin 2024 në moshën 91-vjeçare – ishte përfshirë në diskutimet e para për serialin dhe kishte dhënë miratimin e saj për projektin.
Seriali i ri kombinon dy periudha kohore: peizazhet romantike të Yorkshire në fillim të shekullit XX dhe luksin e New York-ut të viteve ’70, duke treguar një jetë të tërë të mbushur me dashuri, tradhti, rivalitet dhe sukses.
Sipas krijuesve, Emma Harte mbetet një figurë e fuqishme feministe – një grua nga klasa punëtore që sfidon kufizimet e kohës së saj dhe arrin majat e suksesit. Dhe pikërisht kjo histori e një gruaje që refuzon të dorëzohet është arsyeja pse “A Woman of Substance” vazhdon të tërheqë publikun edhe sot. /GazetaExpress/