Sipas një raporti të ri të Amnesty International, Arabia Saudite ka kryer një numër “të tmerrshëm” ekzekutimesh për krime droge gjatë dekadës së fundit, ku shumica e viktimave janë shtetas të huaj.
Sipas organizatës, gati 600 persona janë ekzekutuar për vepra të lidhura me drogën që nga viti 2014, dhe rreth 75% e tyre ishin shtetas të huaj nga vende si Pakistani, Siria, Jemeni, Nigeria dhe Egjipti.
Bëhet e ditur se pas një pezullimi të përkohshëm të ekzekutimeve për krime droge midis viteve 2021 dhe 2022, numri është rritur në mënyrë alarmante – me 122 persona të ekzekutuar në vitin 2024 dhe 118 të tjerë vetëm deri në fund të muajit të kaluar gjatë këtij viti.
Sipas Amnesty-t, proceset janë të mbushura me shkelje të rënda: mungesë transparence, gjykime të padrejta, dhe një mungesë tronditëse respekti për jetën njerëzore. Organizata ka paralajmëruar se numri i ekzekutimeve pritet të rritet më tej.
The Guardian shkruan se, raporti hedh dritë edhe mbi mungesën e transparencës dhe rolin e munguar të vëzhgimit ndërkombëtar në çështjet e drejtësisë në Arabinë Saudite, sidomos për të huajt që shpesh nuk kanë akses në mbrojtje ligjore efektive dhe nuk informohen plotësisht për të drejtat e tyre.