HNK Rijeka është shpallur kampione e SuperSport HNL, pas një dite dramatike në mbyllje të sezonit 2024/25, duke siguruar titullin e kampionit me një fitore 2-0 në shtëpi ndaj Slaven Belupo.
Niko Janković dhe Toni Fruk ishin autorët e golave që i dhanë triumfin Rijekës në stadiumin “Rujevica”, rezultat që i siguroi vendin e parë në tabelë, përpara Dinamo Zagrebit falë bilancit më të mirë në përballjet direkte.
Ky është vetëm titulli i dytë kampion në historinë e klubit, pas suksesit të parë në vitin 2017. Fitorja shënon gjithashtu fundin e dominimit të gjatë të Dinamos, që kishte fituar 18 nga 19 kampionatet e fundit.
Për herë të parë pas 20 vitesh, titulli i kampionit në Kroaci u vendos në javën e fundit të sezonit – dhe për herë të katërt në histori, tre klube kishin ende shanse për të fituar titullin në xhiron e fundit: Rijeka, Dinamo Zagreb dhe Hajduk Split.
Dinamo e bëri detyrën e vet, duke mposhtur 1-0 Varaždinin dhe barazuar me pikë Rijekën në renditje. Por Rijeka kishte epërsi në ndeshjet direkte, çka rezultoi vendimtare në garën për titull.
Hajduk Split mposhti 1-0 Šibenikun, por përfundoi në vendin e tretë.
Ndërsa Dinamo ka dominuar futbollin kroat në dekadat e fundit, Rijeka është shfaqur si një nga forcat më të qëndrueshme, me dy tituj kampion dhe tetë herë vendi i dytë.
Sezoni i Rijekës mund të bëhet edhe më i suksesshëm: me titullin e ligës të siguruar, tani ata e kanë vëmendjen te finalja e Kupës së Kroacisë, ku do të përballen sërish me Slaven Belupon të enjten në ndeshjen e dytë. Takimi i parë përfundoi 1-1, duke i dhënë Rijekës një mundësi të artë për të kompletuar një “dopietë” historike: kampionat dhe kupë në të njëjtin sezon./GazetaExpress/