Rifillimi i dialogut me njëqind të panjohura (III) - Gazeta Express
string(48) "rifillimi-i-dialogut-me-njeqind-te-panjohura-iii"

Rifillimi i dialogut me njëqind të panjohura (III)

Gazeta Express

16/07/2020 11:23

Kosova nuk mund të bëjë Marrëveshje me Serbinë, pa përkrahjen e plotë dhe eksplicite të SHBA-së. Kjo duhet të jetë e qartë për të gjithë ne.

Blerim Shala

Lexo Edhe:

Në Kosovë, në vijim të veprimeve të bëra nga Prokuroria e Specializuar në Hagë, (thuaja pesë vjet pas krijimit të Dhomave të Specializuara në Kuvendin e Kosovës, në muajin gusht të vitit 2015-të), gjendja e përgjithshme politike, është kthyer përmbys, dhe thuaja askush këndejpari nuk ka guximin që të bëjë një parashikim se çfarë do të mund të ndodhë tash e tutje me Qeverinë aktuale të Kryeministrit Hoti, dhe me vetë procesin e bisedimeve me instancat supreme të Serbisë për arritjen e një Marrëveshjeje eventuale për normalizimin e marrëdhënieve në mes të dy shteteve.

Edhe në rrethana shumë më të lehta dhe më thjeshta, çfarë ta zëmë  (nga ky pikëveshtrimi tanishëm), kanë qenë tash një vit apo edhe më para në skenën politike të Kosovës, asnjë përpjekje për ta krijuar një pajtim elementar në mes të liderëve dhe subjekteve kryesore politike në vend për dialogun, apo, për finalen e tij, nuk ka marrë trajtën e një Marrëveshjeje. Përkundrazi.

Referencat e përdorura shpesh për Delegacionin e përbashkët në Konferencën Paqësore të Rambouilletit  (1999), dhe për Ekipin e Unitetit  (2005-2007), nuk kanë bërë aspak punë deri më tash.

Më para, negociatat dhe bisedimet me përfaqësuesit e Serbisë kanë qenë një lloj ‘këmbane e thirrjes’ për unitet në spektrin politik të vendit. Por që prej vitit 2014-të e këndej, dialogu me Serbinë është shndërruar në burim të përplasjeve permanente në politikën kosovare dhe të ‘garave patriotike’.

Për më shumë, dihet që dy Qeveritë e fundit të Kosovës, në një hark kohor prej vetëm nëntë muajsh  (korrik, 2019, mars, 2020), pësuan keq, gjegjësisht njëra u dorëhoq dhe tjetra u rrëzua mbi të gjitha për shkak të mungesës së vullnetit të mirëfilltë politik në këto Qeveri për të vazhduar bisedimet me Beogradin zyrtar.

Rrethanat e reja pra në këtë aspekt, sa i përket kapacitetit organizativ të palës kosovare, vullnetit për tu marrë në mënyrë të pjekur, të matur, racionale me këtë sprovë, dhe gatishmërisë që me guxim t’i shkohet deri në fund këtij procesi gjithsesi të rëndë dhe të vështirë, janë më të ndërlikuara se kurrë.

Nëse këtu huazojmë atë terminologjinë që në Britaninë e Madhe është përdorur shpesh nga politikanët dhe publicistët të cilët kanë qenë kundërshtarë të Brexit-it  (të daljes së Britanisë së Madhe nga BE-ja), politika kosovare, prej 24 qershorit e tutje, ka hyrë një ‘Tokë të panjohur dhe të pashënuar’  (‘Uncharted territory’).

Para këtij zhvillimi që përkon me atë ‘Komunikatën për shtyp’ të Prokurorisë së Specializuar në Hagë, ka qarkulluar një opsion, në qarqet relevante politike në vend, i cili në një mënyrë ka qenë një riprodhim, në rrethana fare të reja, të atij modeli që është aplikuar në kohën kur u bë Ekipi i Unitetit në përgatitje të procesit të zbardhjes së statusit të Kosovës.

Sipas tij, formula e Qeverisë së Kosovës nuk do të ndryshonte (siç ka qenë në kohën e Presidentit të ndjerë të Kosovës, Dr.Ibrahim Rugovës, kur në vitin 2005 u Propozua prej tij Ekipi i Unitetit), apo, LDK do të ishte në ballë të Qeverisë në një partneritet me AAK-në, ‘Nismën’ dhe deputetët e komuniteteve, teksa kur bëhet fjalë për Delegacionin e Kosovës që do t’i printe bisedimeve me Serbinë, dyshja institucionale e bërë prej Presidentit Thaçi dhe Kryeministrit Hoti, do të fuqizohej, pos tjerash, edhe me një përfaqësim të PDK-së.

Edhe ashtu dihet që çdo Marrëveshje ndërkombëtare, përfshirë këtu edhe këtë (eventualen) me Serbinë, kërkon përkrahjen e së paku 80 deputetëve të Kuvendit të Kosovës  (apo të dy të tretave të Kuvendit), teksa kjo shifër për Qeverinë e tanishme të vendit është krejtësisht e paarritshme, pa përkrahjen e 24 deputetëve të PDK-së.

Ky opsion pra, i një opozitarizmi të PDK-në në të gjitha temat tjera politike karshi Qeverisë së Kosovës, dhe i një bashkëpunimi të saj me Presidentin Thaçi dhe Kryeministrin Hoti në temën e dialogut  (duke marrë edhe hise në atë Përfaqësinë e Kosovës në këto bisedime), pa kurrfarë dyshimi, ka rënë poshtë qysh në orët e pasdites së 24 qershorit.

Këtë zaten e ka konfirmuar, në mënyrën më të saktë dhe më të qartë të mundshme, Isa Mustafa, Kryetari i LDK-së, në disa prononcime të tij për mediat dhe opinionin publik në ditët e kaluara.

Gjërat kanë ndryshuar me themel në politikën kosovare, dhe një unitet maksimal politik, jo vetëm në numrat e deputetëve në Kuvendin e Kosovës, në përbërjen e re të Qeverisë së Kosovës, në atë grumbullimin e fuqisë formale dhe reale politike në një vend, por edhe në ri-gjetjen e një përkushtimi dhe vendosmërie që ishte kyç për bërjen e shtetit, në vitet 2005-2007, dhe tani, për ruajtjen dhe fuqizimin e këtij shteti, është absolutisht i domosdoshëm.

Në shikim të parë së paku, kur dihet se çfarë kemi kaluar krejt ne, si politikë kosovare dhe si vend, në atë periudhën kohore prej verës së vitit 2014 e deri më sot, diçka e tillë duket e pamundur.

Por domosdoshmëria, si është thënë moti tek romakët e vjetër, nuk njeh ligj dhe situatë të cilën nuk mund ta tejkalojë.

Domosdoshmëria e kohës, dhe një interes jetik, çfarë është ky për këtë politikën e vendit dhe për këtë shtet, nuk mund e të mos përfillet nga liderët dhe partitë kryesore në vend.

Ndryshe, jo vetëm që ne nuk do të mund të ballafaqohemi me këtë sprovën në mbërritje e sipër të dialogut me Beogradin, por po ashtu, nuk do të jemi në gjendje t’i adresojmë si duhet të gjitha zhvillimet që lidhen me veprimet e Dhomave të Specializuara në Hagë, të cilat na presin në vjeshtën e këtij viti, duke mos harruar këtu edhe problemet me një rritje marramendëse në shëndetësinë dhe në ekonominë e Kosovës si pasojë e Pandemisë së Covid-19.

Dialogu me Serbinë, asnjëherë, as në të kaluarën dhe as tash, nuk ka qenë dhe nuk mund të jetë çështje e një Qeverie të Kosovës, edhe sikur ajo t’i ketë numrat impozant  (prej më shumë se dy të tretave), siç i ka pasur zaten ajo Qeveria e Koalicionit të madh PDK, LDK  (komunitetet pakicë), të periudhës 2014-2017.

Ky konkludim sidomos vlenë për rrethanat e tanishme, të cilat karakterizohen me një mori të panjohurash politike dhe të sigurisë.

Në këtë ballafaqimin final me Serbinë, krijimi i një uniteti politik që shkon përtej raporteve të rëndomta në mes të Qeverisë dhe opozitës, është kusht pa të cilin nuk bën.

Kot e kemi të flasim me një zë të kumbueshëm, por ndaras, çka është e pranueshme dhe çka jo, në këto bisedimet që na presin me Serbinë, duke ri-përsëritur ato qëndrimet e njohura të cilat nisin dhe sosin me synimin final të këtyre bisedimeve, që është njohja reciproke formale në mes të dy shteteve.

Vetëm bashkimi i zërave, i liderëve dhe i subjekteve politike, mundëson që të mbrohet si duhet pozicioni i Kosovës në këto bisedime të rënda dhe të mundimshme, të mbërrihet në cakun e dëshiruar, apo, edhe të këmbëngulet në qëndrimet politike kundër modeleve të normalizimit të marrëdhënieve në mes të Kosovës dhe Serbisë, të cilat do të mund të jenë të pavolitshme për Kosovën.

Ky bashkim pra nuk na duhet vetëm për ta mbërri te një Marrëveshje të pranueshme për ne në dialogun me Serbinë, dhe për ta siguruar pranimin dhe zbatimin e saj, por, nëse duhet, edhe për ta kundërshtuar një Marrëveshje që nuk është e mirë për ne.

Më në fund, ky unitet na duhet edhe për ta ruajtur partneritetin me SHBA-në, i cili është jetik për shtetin e Kosovës, si në atë rrafshin bilateral, po ashtu edhe në këtë të dialogut me Serbinë.

Kosova nuk mund të bëjë Marrëveshje me Serbinë, pa përkrahjen e plotë dhe eksplicite të SHBA-së.

Kjo duhet të jetë e qartë për të gjithë ne.