Aktualisht, SHBA-ja nuk ka rol në bisedimet për arritjen e Marrëveshjes për normalizmin e marrëdhënieve në mes të Kosovës dhe Serbisë.
Shkruan: Blerim Shala
Për dallim prej BE-së, SHBA-ja, apo, Administrata e tanishme e Presidentit Trump, që prej fundit të vitit 2017-të dhe fillimit të vitit 2018-të, e pati qartësuar, një herë për vete, e pastaj, edhe për autoritetet më të larta në Kosovë dhe në Serbi, politikën e saj karshi Ballkanit Perëndimor, në veçanti ndaj procesit të dialogut në mes të Prishtinës dhe Beogradit.
Kanë qenë tri konkludime kyç të shtetit amerikan, në këtë kontekst.
Së pari, koha nuk është aleat, as i Kosovës dhe as i Serbisë, apo zvarritja e mëtejmë e gjetjes së formulës për normalizimin e marrëdhënieve në mes të këtyre dy shteteve, do të ndikojë në tensionimin e mëtejmë të situatës në Kosovë dhe në Serbi, në raportet midis tyre, s dy shtete, dhe në këto anë të Ballkanit Perëndimor.
Së dyti, vakumi i lidershipit të BE-së, por edhe i Administratës së mëparme amerikane të Presidentit Obama (veçmas në mandatin e dytë të tij, në vitet 2013-2017, kur më Hillary Clinton nuk ishte Sekretare e Shtetit, dhe kur ndodhi një lloj i braktisjes së Ballkanit dhe të Evropës nga Administrata Amerikane), u shfrytëzua në mënyrën maksimale nga Federata e Rusisë, në aspektin politik, diplomatik dhe të sigurisë, si dhe nga Republika e Kinës, veçmas në këtë dimensionin ekonomik (i cili është një lloj pararoje për të krijuar varëshmëri ekonomike, por edhe politike prej saj), ashtuqë në vitet e fundit, Ballkani Perëndimor është shndërruar në një fushëbetejë të egër gjeo-strategjike, të paparë që nga fundi i ’Luftës së Ftohtë’.
Këmbëngulësia amerikane, mbi të gjitha, bëri që Mali i Zi dhe Maqedonia e Veriut, të bëhen shtete anëtare të Aleancës Veri-Atlantike, gjë që ndikoi në zgjerimin e ’kordonit sanitar’ në këtë pjesë të Ballkanit, përballë involvimit të Rusisë.
Por, Washingtoni e di mirë që në kuadër të kësaj fushëbeteje të madhe gjeo-strategjike, krye-çështja apo krye-beteja që duhet të trajtohet dhe adresohet është roli i Rusisë në Serbi.
Në këtë kontekst, në Administratën Amerikane ka mbizotëruar vlerësimi që procesi i arritjes së Marrëveshjes në mes të Kosovës dhe Serbisë për normalizimin e plotë të marrëdhënieve, përshpejtimi i ndërmarrjes së inkuadrimit të Serbisë në BE, dhe margjinalizimi i rolit të Rusisë në Serbi, janë zhvillime që ndihmojnë njëra tjetrën, gjegjësisht që varen prej njëra-tjetrës.
Së treti, SHBA-ja ka artikuluar maksimalisht qartë pozicionin e vet sa i përket vetë natyrës dhe përmbajtjes së Marrëveshjes Gjithpërfshirëse në mes të Kosovës dhe Serbisë.
Shtëpia e Bardhë (Presidenti Trump), dhe State Departmenti (Mike Pompeo), në komunikimin publik që kanë pasur me Presidentin Thaçi dhe Presidentin Vučić, nuk kanë lënë vend për kurrfarë spekulimi apo ‘interpretimi kreativ’ për pozicionin amerikan.
Për ta, çelësi i Marrëveshjes së synuar në mes të dy shteteve është njohja formale reciproke e Kosovës dhe Serbisë.
Emërimi i Ambasadorit Richard Grenell, vitin e kaluar, si Emisar Special për dialogun në mes të Prishtinës dhe Beogradit, ishte një kontribut konkret i Washingtonit zyrtar për të ndihmuar, në mënyrë thelbësore, këtë proces të bërjes së Marrëveshjes në mes të dy shteteve.
Grenell pati menduar që fillimisht, me ato masat e mirëbesimit (Confidence building measures), të cilat morën trajtën e Letrave të synimeve (në fushën e aerotransportit, të hekurudhës dhe të autostradës), e më pas, edhe me një Marrëveshje eventuale në tregti dhe ekonomi, do të krijohej një atmosferë më e mirë, më shpresëdhënëse, që pastaj të trajtohen edhe temat kryesore politike dhe të sigurisë, të cilat sipas prononcimeve të tij publike të bëra në vigjilie të Takimit të caktuar për 27 qershor në Shtëpinë e Bardhë, do të nënkuptonin përfshirjen e drejtpërdrejtë të autoriteteve më të larta të BE-së.
Dihet çfarë ndodhi me 24 qershor, me atë Komunikatën e paprecedent për shtyp të Zyrës së Prokurorit të Specializuar, për Propozim-Aktakuzat për Presidentin Thaçi dhe ish-Kryetarin e Kuvendit, Kadri Veselit, e cila u bë publike teksa Presidenti Thaçi ishte nisur për në Washington.
Një herë ndodhi anulimi i këtij Takimi, me shpresën e Grenellit që brenda pak ditës (është përmendur periudha 7-10 ditësh, në ato komunikimet interne me zyrtarët e Kosovës), do të ri-bëhet Takimi i Washingtonit.
Megjithatë, në ndërkohë, Brukseli, Berlini dhe Parisi i mbetën besnik agjendës së tyre të paralajmëruar dhe të caktuar më parë, gjë që ndikoi që realisht, Grenell (dhe me te edhe Administrata Amerikane), të heq dorë nga çfarëdo roli aktiv në këtë fazë të dialogut në mes të Prishtinës dhe Beogradit, duke i dëshiruar fat evropianëve, dhe duke ua rikujtuar atyre që e kanë një borxh që duhet larë ndaj kosovarëve, në formë të ofrimit të ’Liberalizimit të vizave’ në mënyrën më urgjente të mundshme.
Pra, si qëndrojnë tani punët, për herë të parë që prej se çështja e Kosovës ka dalë në sipërfaqe si e tillë, diku prej pranverës së vitit 1989-të e këndej, SHBA-ja nuk ka rol në preokupimin me Kosovën dhe me bisedimet për arritjen e Marrëveshjes për normalizmin e marrëdhënieve në mes të dy shteteve.
BE-ja, Gjermania dhe Franca kanë marrë kryesimin e plotë të kësaj përpjekjeje ndërkombëtare, dhe kështu do të jetë së paku deri në konstituimin e Administratës së re të Amerikës, pas zgjedhjeve presidenciale të muajit nëntor të këtij viti, apo, realisht, deri kah fundi i muajit janar dhe fillimi i muajit shkurt, kur do të betohet Presidenti i ri i SHBA-së (Donald Trump në mandatin e tij të dytë, ose Joseph Biden, kandidati demokratik, si trashëgimtar i Trumpit, në mandatin e tij të parë), dhe kur do të kuptohet se kush do të jetë në krye të State Departmentit.
Ndryshe, përkundër të gjitha dallimeve të mëdha të cilat i kanë Trump dhe Biden, si dy kryepretendentët për ta marrë udhëheqjen me Shtëpinë e Bardhë dhe me ’Botën e Lirë’, në rastin e Kosovës, ka një përputhje të plotë në mes tyre, duke marrë parasyshë edhe prononcimet e tyre publike, sa i përket vet Marrëveshjes ligjësisht detyruese në mes të Kosovës dhe Serbisë.
Biden, i nominuari demokrat për postin e Presidentit të SHBA-së, ka artikuluar qartë (dhe këtu gjithsesi ka ndikim të qëndrimit të Trumpit dhe Pompeos ndaj kësaj çështjeje), pozicionin e tij, sipas të të cilit, Kosova dhe Serbia duhet ta njohin njëra-tjetrën si shtete të pavarura, në kufijtë e tashëm ekzistues.
Sidoqoftë, duket që ai trepikëshi thelbësor i Analizës së Administratës Amerikane për situatën në Kosovë dhe në Ballkanin Perëndimor, i bërë në vitet 2017-2018, ka një vlefshmëri të plotë si për Administratën antuale të Trumpit, ashtu edhe për Administratën e re Amerikane, qoftë të Trumpit apo të Bidenit.
Pra, sa më parë që është e mundur, do të ishte mirë që të arrihet Akordi në mes të autoriteteve më të larta të Prishtinës dhe Beogradit, teksa në themelet e tij do të duhej të ishte njohja reciproke në mes të dy shteteve.
Së paku në rrethanat e tanishme, dhe duke pasur parasyshë edhe përvojën ndërkombëtare mbi njëzet vjeçare të adresimit të temës së Kosovës, me të gjitha rëniet dhe ngritjet e saja, është e paimagjinueshme që vetëm BE-ja, qoftë edhe me një përkrahje të madhe të Gjermanisë dhe Francës, do të mund ta çojë përpara ndërmarrjen e dialogut në mes të Prishtinës dhe Beogradit.
Hillary Clinton, ish-Sekretarja e Shtetit dhe kandidatja për President të SHBA-së katër vite më parë, në librin e saj ’Zgjedhjet e rënda’ (’Hard Choices’), kushtuar katërvjetëshit kur ishte në krye të diplomacisë amerikane, me të drejtë konstaton: ’Ka pak probleme në Botën e sotme që SHBA-ja mund t’i zgjidh vet, por ka edhe më pak pobleme të cilat mund të zgjidhen pa SHBA-në…’.
Ky konstatim i saj ka pa dyshim vlerë dhe saktësi të qind për qindtë kur bëhet fjalë për raportet e Kosovës dhe Serbisë, dhe për Marrëveshjen eventuale në mes të këtyre dy shteteve.
Pra, duket që një partneritet trans-atlantik (i sfiduar shumë në katër vitet e fundit, për shkaqe të njohura për të gjithë), midis SHBA-së, BE-së, Gjermanisë dhe Francës, është kusht pa të cilin nuk bën nëse njëmend dëshirohet të arrihet ajo Marrëveshja për normalizimin e marrëdhënieve në mes të Kosovës dhe Serbisë.
Në anën tjetër, BE-ja si e tillë, do të duhej të përfillte në tërësi atë Analizën trepikëshe të SHBA-së, sepse ajo është sot më valide se sa që ishte kur është bërë gati tre vjet më parë.
Në ndërkohë, gjërat vetëm sa janë ndërlikuar, në Kosovë, në Serbi dhe në rajon.
Nesër: Kosova nuk mund të bëjë Marrëveshje me Serbinë, pa përkrahjen e plotë dhe eksplicite të SHBA-së. Kjo duhet të jetë e qartë për të gjithë ne.