Rifillimi i dialogut me njëqind të panjohura (I) - Gazeta Express

Rifillimi i dialogut me njëqind të panjohura (I)

OP/ED

Gazeta Express

14/07/2020 12:40

BE-ja, Gjermania dhe Franca edne nuk mund të dalin publikisht me qëndrimin se çfarë duhet të nënkuptojë Marrëveshja për normalizimin marrëdhënieve në mes të Kosovës dhe Serbisë.

Shkruan: Blerim Shala

Prej se Kosova dhe Serbia bëjnë negociata, dialog dhe bisedime, pra, në 22 vitet e kaluara, nuk mbahet në mend një situatë, çfarë është në fuqi tani, kur në njërën anë kemi një zotim të Prishtinës dhe të Beogradit zyrtar për tu angazhuar në një proces të arritjes së Marrëveshjes për normalizimin e marrëdhënieve në mes të Kosovës dhe Serbisë, e në anën tjetër, na shfaqen një mori pyetjesh dyshuese për mundësinë që në një të ardhme të afërt të nënshkruhet çfarëdo Akordi midis dy palëve.

Njëzet muaj ngecje të plotë në këtë dialog, (takimi i fundit në nivelin e Presidentëve Thaçi dhe Vučić, është mbajtur në muajin nëntor të vitit 2018-të, në Bruksel), ka bërë që vetë lajmi që të enjten, me 16 korrik, në Bruksel do të ndodhë përballja e parë e mirëfilltë, e drejtpërdrejtë, fizike në mes të përfaqësuesve të Prishtinës dhe Beogradit, të shihet si një sukses në vete.

Janë mbajtur dy ballafaqime të këtilla në këtë Realitetin virtual, në Samitin e Parisit, me 10 qershor, dhe në këtë dialogun e Brukselit, me 12 qershor, por dihet se çfarë karakteri kanë në të vërtetë bashkëbisedimet e këtij lloji.

Ky vlerësim, për këtë suksesin e takimit të Brukselit, këtë të enjte, realisht, ka vlerë kur kemi të bëjmë me palë ndërluftuese, të cilat kur të marrin vendimin për të folur njëra me tjetrën, pranojnë ta njohin legjitimitetin e kundërshtarit në front, dhe madje, dhënë shenja që janë të gatshme edhe për një Marrëveshje paqësore.

Kosova dhe Serbia nuk janë më në luftë  (prej Marrëveshjes tekniko-ushtarake të Kumanovës, të 9 qershorit, 1999), nuk janë as në  një paqe të njëmendtë, dhe në mungesë të saj, kjo gjendje mund të definohet edhe si një lloj armëpushimi, në pritje të një Akordi final.

Teknikisht, kështu qëndrojnë punët.

Sidoqoftë, kush tash nuk ka kohë dhe as durim të merret me paradoksin politik që është kryekëput ‘prodhim vendor’  (i politikës kosovare), të bllokimit njëzet mujor të vetvetes në këtë dialogun me një shtet i cili, shikuar nga ai pikë shikimi i mësipërm, tutje është në raporte armiqësore me Kosovën, sepse rrëfimi për marrëdhëniet në mes të Kosovës dhe Serbisë, është tutje i papërfunduar, në mungesë të një Marrëveshje të mirëfilltë politike për normalizimin e raporteve në mes të dy shteteve.

Këtu megjithatë mund të thuhet kalimthi që Kosova po vazhdon dialogun këto ditë  (nuk ka mundur më të mbahet një situatë e këtillë paradoksale), duke mos përfituar thuaja gjë prej gjëje nga ky vendim, teksa vetëm një vit më parë, propozimet Amerikane dhe Gjermano – Franceze ofronin kundër shpërblim të shumëfishtë për autoritetet më të larta të vendit dhe për qytetarët e Kosovës, sikur atëherë të hiqeshin pengesat për mëkëmbjen e dialogut.

Faturat e këtyre gabimeve të pashembullta të udheqesisë të Kosovës, kanë nisë të vijnë, po ato nuk janë harxhuar ende. Do të ketë ende fatura të tilla.

Sidoqoftë, të gjithë ne tani jemi dëshmitarë të një vrulli të ri politik dhe diplomatik evropian, që ka mbledhur në një vend Kryediplomatin e BE-së, Josep Borrellin, Kryengociatorin e tij, Miroslav Lajčakun, Presidentin e Francës, Emmanuel Macronin, dhe Kancelaren e Gjermanisë, Angela Merkelin.

Nuk ka kurfarë dyshimi që në Bruksel, në Berlin dhe në Paris, ka një vullnet dhe hov të ri për t’i ndihmuar disi instancave sipërore të Prishtinës dhe të Beogradit për të mbërri në fundin e një maratone negociatore që po zgjatë mbi 22 vjet të plota.

Megjithatë, as në këto rrethanat e reja, kur paralajmërohet ’finalja e madhe’ e këtyre bisedimeve  (siç është pagëzuar kjo fazë e bisedimeve tash e së paku dy vjet), BE-ja, Gjermania dhe Franca nuk mund të dalin qartë dhe publikisht me qëndrimin e tyre se çfarë në të vërtetë duhet të nënkuptojë Marrëveshja për normalizimin e plotë të marrëdhënieve në mes të Kosovës dhe Serbisë.

Macron, Merkel, Borrell, Lajčak, natyrisht që njëzëri konstatojnë, me një saktësi të qind për qindtë, që Marrëveshja eventuale në mes të Kosovës dhe Serbisë do të ishte kontribut i madh, i jashtëzakonshëm për stabilizimin afatgjatë të Ballkanit Perëndimor.

Gjithashtu, dihet që emërtimi formal i këtij Akordi në mes të Kosovës dhe Serbisë është Marrëveshja Gjitheperfshirëse për normalizimin e marrëdhënieve në mes të Kosovës dhe Serbisë, apo, edhe Marrëveshja ligjësisht detyruese.

Macron, Merkel, Borrell, Lajčak poashtu nuk kanë kurfarë mëdyshje se cila do të ishte përmbajtja e duhur dhe e dëshiruar e kësaj Marrëveshjeje në mes të autoriteteve të Prishtinës dhe Beogradit: Më së miri do të ishte nëse Serbia do ta njihte formalisht Kosovën, në kufijtë e përcaktuar nga CSP-ja  (Propozimi gjitheperfshirës i statusit të Kosovës, i Presidentit Ahtisaari), në marsin e vitit 2007-të.

Këtu madje, siç po e thotë publikisht ditëve të fundit edhe vet Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vučić, nuk ka dallime fare në mes të SHBA-së dhe BE-së, apo, edhe Amerikës, Evropës dhe Kosovës.

Por, siç po shihet, ekziston një dallim real në mes të vlerësimeve dhe analizave interne në Bruksel, Berlin dhe Paris për epilogun e dëshiruar të kapitullit konkludues të këtyre bisedimeve, dhe qëndrimeve publike të tyre, të cilat preferojnë që Marrëveshja në mes të përfaqësuesve të Kosovës dhe të Serbisë, të arrihet disi me vullnetin autentik të tyre, me një lehtësim të Brukselit, dhe me një mbështetje politike, diplomatike dhe financiare të Berlinit dhe Parisit dhe të gjithë Bashkimit Evropian.

Sikur të kishte vullnet të këtillë autentik në Beograd për Marrëveshje me Prishtinën, kjo punë do të merre fund qëmoti, dhe nuk do të hyhej në decenien e tretë të këtyre bisedimeve.

Ajo qasja klasike diplomatike e ’stick and carrot’  (të ’shkopit dhe karrotës’), duket që ka dalë krejt jashtë funksionit në këtë qasjen mbizotëturuese të Brukselit, Berlinit dhe Parisit, si karshi Kosovës, ashtu edhe përballë Serbisë, kur bëhet fjalë për dialogun në fjalë.

Kosovës madje nuk po i ofrohet as një e drejtë e fituar, sipas ’Rregullave të lojës’ të BE-së, për ’Liberalizimin e vizave’  (për shkaqe të njohura për të gjithë dhe të heshtura, poashtu, thuajse prej të gjithëve), teksa SAA-ja  (Marrëveshja e Stabilizim/ Asociimit), me këtë dinamikën e tashme të përmbushjes, nuk do të jetësohet edhe tre vjet a më shumë.

Por BE-së nuk i ngutet fare në këtë aspekt. Sepse edhe poqëse Kosova do të tregohej e zellshme në sendërtimin e saj, nuk ka çfarë t’i ofrojë më pas  (statusin e shtetit kandidat për tu integruar në BE), pa dakordimin e pesëshes mosnjohëse, teksa Spanja, Greqia, Rumania, Sllovakia dhe Qipro do të mund ta njohin Kosovën, vetëm nëse këtë do ta bëjë, në një mënyrë apo tjetrën  (në mënyrën formale apo de fakto), edhe vet Serbia.

Në anën tjetër, ky vullnet i BE-së, i Gjermanisë dhe Francës, që t’i ndihmojë dhe t’i motivojë maksimalisht Kosovën dhe Serbinë për ta bërë këtë Marrëveshjen historike, është në shpërputhje me një mungesë kronike të një perspektive të qartë për Serbinë për afatin kohor kur ajo do të mund të bëhej shteti i ardhshëm anëtar i BE-së  (me gjasë, së bashku me Malin e Zi), teksa në rastin e Kosovës, anëtarësimi në BE aktualisht është në sferën e fantastikës shkencore.

Nuk ka kurfarë dyshimi që BE ka ndihmuar shumë ekonomikisht dhe financiarisht Kosovën dhe Serbinë.

Në rastin e Kosovës, BE-ja mbetet donatori më i madh që prej vitit 1999-të  (përfundimit të luftës e titje).

Kjo kurrë nuk bën të harrohet.

Por tani kemi mbërri në një situatë kur BE-ja si tërësi, e veçmas shtetet më të mëdha dhe më me ndikim në BE  (pas largimit të Britanisë së Madhe, mund të flitet vetëm për Gjermaninë dhe Francën), duhet të jenë shumë më të qarta, më eksplicite, më kategorike kur definojnë politikën e tyre ndaj Ballkanit Perëndimor në përgjithësi, dhe ndaj Kosovës dhe Serbisë në veçanti.

Pa e bërë këtë gjë, do të mungojë ai shpërblimi dhe motivimi kryesor veçmas për Serbinë, që ajo ta nënshkruajë një Marrëveshje me Kosovën.

Nesër: Aktualisht, SHBA-ja nuk ka rol në bisedimet për arritjen e Marrëveshjes për normalizmin e marrëdhënieve në mes të Kosovës dhe Serbisë.