Rezultatet e testit PISA janë alarmuese. Çka mund të bëhet më shumë


Gazeta Express
11 Dhjetor 2019 17:33

Kur vizitoja shkollat e Kosovës, shpeshherë kam pyetur nxënësit se çka shpresojnë apo çka duan të bëjnë kur ata të rritën. Pothuajse gjysma, apo më shumë, përgjigjen se ata duan ose të studiojnë, ose të jetojnë jashtë vendit. Rinia e Kosovës janë resursi më i vlefshëm. Në rast se vendi nuk arrin të zhvilloj një sistem arsimor i cili bën që ata nxënësit e saj të arrijnë potencialin e tyre, këtë rini do ta humbasë

Egzon Gashi

Më 3 dhjetor u publikuan rezultatet e testit të Programit për Vlerësimin Ndërkombëtar të Nxënësve (PISA). Ashtu sikur në 2015, rezultatet ishin alarmuese – nxënësit e Kosovës arritën të jenë afër fundit të radhimit të shteteve të testuara dhe ishin dukshëm larg arritjes së aftësive themelore në tri fusha tematike – pra atë të leximit, matematikës, dhe shkencës.

Atë ditë kur u shpallën rezultatet unë isha në qytetin Hammamet në Tunizi, duke marrë pjesë në një konferencë të UNESCO-s mbi arsimin dhe përfshirjen. Në konferencë unë përfaqësova Kosovën dhe organizatën time Teach For Kosova. Rezultatet e testit u bënë temë diskutimi në konferencë dhe natyrisht edhe në Kosovë. Përderisa rezultatet ishin zhgënjyese për Kosovën, ato nuk ishin të befasishme.

Kishte pak ndryshime nga testi i parë për Kosovën në 2015 me atë të 2018. Ministria e Arsimit kishte krijuar “Komisionin e PISA-s” i cili siguroi më shumë vëmendje për testin dhe mënyrën se si do të administrohej; ideja ishte që zbatimi i testit mund të ishte ndikuar negativisht në rezultate për shkak të faktit që Kosova po merrte pjesë në të për herë të parë. Megjithatë, rezultatet e këtij viti treguan atë që sektori i arsimit vetëm se e dinte: sistemi arsimor në Kosovë nuk po përgatit nxënësit e Kosovës që të përmbushin potencialin e tyre.

Si të reformohet një sistem i prishur? Për fat të keq nuk mund të ketë një zgjidhje të vetme. Në fakt duhen ndryshime strukturore dhe nganjëherë të vështira, që marrin kohë për t’u zbatuar. Gjatë 18 muajve të fundit, kam mësuar shumëcka rreth  sistemit arsimor të Kosovës sidomos nga vizitat në shkolla dhe komuna, duke folur me hisemarrësit, dhe duke kuptuar më tepër se si funksionon ky sistem.

Pyetja gjithmonë mbetët si të përmirësojmë gjërat në mënyra sa më të shpejta, mirëpo përgjigja është se ndryshimet e sistemit marrin kohë dhe kërkojnë përpjekje të vazhdueshme.

Më poshtë janë disa mënyra se si Kosova mund të filloj të bëjë ndryshimin.

Zhvillimi i një sistemi të vlerësimit të mësuesve dhe të nivelit shkollor

Para se të ndërmerret çfarëdo lloj ndryshimi, është e domosdoshme që të dihet ku janë problemet e vërteta. Kosova nuk ka zhvilluar sisteme të vlerësimit të mësuesve apo të niveleve shkollore. Reforma duhet të jetë e targetuar dhe e ndjeshme në mënyrë që t’ju qaset nevojave të posaçme të qyteteve, komuniteteve, shkollave, dhe klasave.

Janë mbi 23,000 mësuesë në shkollat e Kosovës. Profesioni i mësimdhënies vlerësohet si punë stabile dhe e paguar mirë. Vlerësimi i mësuesve është sporadik dhe ndodhë dy apo më pak herë në vit. Në përgjithësi trajtohen barabartë mësuesit që përformojnë mirë dhe ata që përformojnë dobët.

Me vlerësime të rregullta, shkollat mund të identifikojnë mësuesit që nuk po plotësojnë kushtet minimale dhe të reagojnë për këtë. Në rast se ky reagim nuk sjellë ndryshimin e kërkuar, mund të mendohet edhe për vendimin e vështirë të largimit të mësuesve.

Në nivelin shkollor, drejtorët duhet të mbajnë përgjegjësi me rezultatet e shkollave të tyre. Investimi dhe ngritja e kapaciteteve në mbledhjen e të dhënave duhet të mundësonte vlerësime të rregullta në nivelin shkollor. Pasi të identifikohen shkollat që më së shumti kanë nevojë për përmirësime, udhëheqësit e nivelit komunal mund të planifikojnë ndarjen e resurseve dhe përpjekjeve të tyre në mënyrë strategjike. Udhëheqja e forte në shkolla është e domosdoshme për krijimin e një shkolle me sukses të lartë.

Rekrutimi dhe zhvillimi i udhëheqësve të duhur për të bërë ndryshimin

Në mënyrë që sistemi arsimor të reformohet dhe përditësohet, udhëheqësit e vërtetë duhet të vendosën aty ku mund të planifikojnë dhe të bëjnë ndryshimin. Udhëheqja nevojitet në çdo nivel: në klasë, shkolla, komunitete, dhe në sistemin më të gjerë. Dhe kjo udhëheqja duhet të jetë përfshirëse.

Kosova ka një vizion për të bërë ndryshime në arsim; plani strategjik për arsimin 2016-2021 i Ministrisë së Arsimit ka plane bashkëkohore dhe përparimtare për reformimin e arsimit. Megjithatë, ka një hendek tejët të madh nga planifikimi në zbatim. Udhëheqësit e duhur – me njohuritë për interpretimin dhe bërjen e reformave – do të mund të fillojnë e të mbyllin këtë hendek.

Depolitizimi i sistemit të arsimit në nivel komunal dhe nivel vendi

Kurdo që flitet për arsimin në Kosovë, fjalët “politizim” dhe “korrupsion” janë fillimi i çdo bisede. Komuna punësojnë drejtorë dhe mësuesë në bazë të anëtarësimit partiak në vend se të bëjnë këtë në bazë të meritës. Për më shumë, ndryshimi në udhëheqje politike shpien në ndryshimin e personelit por edhe të vizionit në nivel komunal. Ajo që i duhet në fakt komunave është një vizion i qartë për arsimin i cili bëhët nga shkollat, udhëheqësit, dhe sidomos nga komuna. Një vizion i qartë nuk do të mund të zbehej nga ndryshimi i udhëheqjes.

Një ndryshim i mënjëhershëm mund të jetë ai në procesin e rekrutimit të mësimdhënësve. Sot udhëheqësit komunalë marrin vendimet për rekrutimin e mësuesve. Mëgjithkëtë, të dhënat tregojnë se kur drejtorët e shkollave mund të rekrutojnë dhe të menaxhojnë stafin e tyre, ata mund edhe të krijojnë një mjedis më efektiv të shkollimit. Marrja përsipër e këtij pushteti nga ana e drejtorëve mund të bëjë që ata të tregojnë më tepër llogaridhënie për rezultatet shkollore.

Një ndryshim tjetër më sistematik do të ishte krijimi i bordeve shkollore në nivel të komunave. Në vend se të jenë të emruar politikë, këto borde shkollore do të mund të ishin përfaqësues të komunitetit të cilët kanë punuar në arsim dhe kanë njohuri mbi shkathësitë por edhe nevojat e sistemit shkollor. Mbikëqyrja nga këto borde shkollore mund t’i mbajë përgjegjëse komunat në lidhje për punësimet që bëjnë dhe mund t’ju ofrojë atyre këshilla strategjike për reformë dhe zbatim të reformës.

Ndryshimi i ndjeshëm i metodave të mësimdhënies

Roli i mësimdhënësit në klasë nuk duhet të jetë që “mësuesi të jetë në qendër”, por që ai ose ajo t’ua lehtësoj nxënësve mësimnxënien. Në shumë raste në klasët e mësimit në Kosovë, memorizimi është mënyra se si nxënësve u kërkohet mësimi. Jo vetëm që pritet nga nxënësit të përsërisin atë që thonë mësuesit në vlerësime formale dhe joformale – nganjëherë nxënësit duhet ta bëjnë këtë fjalë për fjalë. Kjo metodë e mësimdhënies në mënyrë aktive privon mendimin kritik, aftësinë kyçe që përpiqet të matë testi i PISA-s.

Në shumicën e shkollave të Kosovës, mësimëdhënia zhvillohet me metodën e mësuesit në qendër. Fëmijët ulën në banka shkollore ku mësuesi qëndron para tyre dhe rrallëherë këtë nxënës kanë rastin që të udhëheqin ndonjë gjë apo të kenë zërin e tyre. Klasat shkollore me mësim efektiv lehtësojnë bisedën në mes të nxënësve, mundësojnë debatin dhe mospajtimin, dhe punojnë që në mënyrë të ngadaltë dhe gradual të transferojnë procesin e “mësimdhënies” tek vetë nxënësit.

Gjithashtu, klasët e mësimit në Kosovë i japin prioritet mësimit teorik më shumë se sa atij praktik, në pothuajse secilën lëndë. Në ndërkohë që nxënësit më së shumti mësojnë kur ata kanë mundësinë që të ndërlidhin mësimin e tyre dhe të përdorin njohuritë e fituara në praktikë. Aktivitetet në klasë, projektet, dhe aplikimi i mësimeve në raste reale janë disa shembuj të mësimit praktik.

Fuqizimi i nxënësve për të bërë ndryshimin

Tragjedia e arsimit është që hisemarrësi më i rëndësishëm në arsim – fëmija – shpeshherë lihet jashtë vendimmarrjes. Nxënësit kanë dëshirë që të kenë mundësi udhëheqëse dhe që të jenë në gjendje të aplikojnë mësimet e tyre. Nxënësit mund të fuqizohen nëpërmjet qeverive të bazuara në shkolla, projekteve në komunitete, dhe mësimdhënësve që dëgjojnë në mënyrë aktive apo angazhojnë nxënësit në biseda të ndryshme.

Kur vizitoja shkollat e Kosovës, shpeshherë kam pyetur nxënësit se çka shpresojnë apo çka duan të bëjnë kur ata të rritën. Pothuajse gjysma, apo më shumë, përgjigjen se ata duan ose të studiojnë, ose të jetojnë jashtë vendit. Rinia e Kosovës janë resursi më i vlefshëm. Në rast se vendi nuk arrin të zhvilloj një sistem arsimor i cili bën që ata nxënësit e saj të arrijnë potencialin e tyre, këtë rini do ta humbasë.

/Egzon Gashi është Drejtor Ekzekutiv i organizatës Teach for Kosova. Ai është kthyer të punojë në Kosovë nga SHBA-të, ku ka punuar dhe studiuar në fushën e arsimit

Te fundit


Kthehu lart