Rezolutë në Kuvend: Stop veçimit! - Gazeta Express
string(31) "rezolute-ne-kuvend-stop-vecimit"

Rezolutë në Kuvend: Stop veçimit!

OP/ED

Gazeta Express

21/05/2022 17:15

Kosovarët duhet t’u tregojnë fëmijëve të tyre, brez pas brezi se vet ishin viktima të segregacionit ma poshtërues të mundshëm dhe pikërisht për këtë, ata, duhet t’i respektojnë pakicat etnike, duke i mbështetur që t’i kenë më të lehta vuajtjet nga skamja, që është lëngatë edhe e shimicës shqiptare, në mungesë të një pune dhe page të dinjitetshme.

Nga Halil Matoshi

Lexo Edhe:

Ndonëse në Kosovë, në kuptimin formal-juridik e institucional format e segregimit (veçimit) si veprim a gjendje e ndarjës së detyruar të grupeve të ndryshme racore apo etnike e fetare, është e sanksionuar me Kushtetutë, pra nuk ekziston një politikë zyrtare e ndarjes racore, megjithatë veçimi ndodh në shumë segmente të sistemit.

Prandaj, intelektualët, media, qytetaria, shoqëria civile dhe grupet e të drejtave të njeriut duhet të ngrisin zërin, që ta sensibilizojnë Kuvendin e Republikës për të nxjerr Rezolutë kundër veçimit dhe racizmit, me urgjencë. 

Kosova si shtet parlamentar duhet të zotohet se do të marrë përgjegjësi institucionale për çdo formë të veçimit, në të ardhmën dhe ky zotim duhet ta rrisë mobilitetin tek organet e ndjekjës dhe pushteti i drejtësisë, për reagim, duke i trajtuar rastet e veçimit si të ndjeshmërisë së lartë dhe të nisë ndjekha kundër secilit që kryen ose nxitë vepra të diskriminimit e segregimit.

1.

Për segregimin (veçimin) e disa nxënësve, sepse i përkisnin një etnie joshqiptare, nga e ashtuqujtura festë e abetares, në Pejë, përgjegjësi morale ka tërë shoqnia kosovare e veçmas Qeveria Kurti 2 – përkatēsisht Ministria e arsimit!

Kjo e fundit duhet me u kërkue falje të gjithë kosovarëve, për këtë njollë që jo të gjithë e meritojnë, fëmijëve të veçuar dhe familjarëve të tyre, për traumën e shkaktuar. Drejtori i  arsimit në komunë të Pejës duhet të dorëhiqet, kurse organizatorët e këtij eventi të përlyër me racizëm, duhet të mbahen përgjegjëse edhe penalisht! 

Kjo pamje asocon në apartheid!

Aq më tepër kur shumë romë, e sidomos egjiptianët e ashkanlitë  kosovarë e përjetojnë Republikën e Kosovës, si të tyrën dhe mësojnë të njëjten abetare si shumica, atë shqipe.

2.

Përdhosja e varrezave rome në Rahovec, kohë më përpara, ashtu edhe segregimi i nxënësve në një shkollë të Pejës, së voni, janë fobi  – frikë nga tjetri, i ndryshmi.

Psikotikët racistë e t’prekur nga virusi i nacionalizmit dhe të paçliruar nga mbetjet vandale të “fisit të zemëruar”, nuk jetojnë vetëm në Ballkan, porse i bien botës sonë kryq e tërthurë. 

Vandalizimi i varrezave si dhe veçimi në formë apartheidi, nuk janë dukuri as e re dhe as veç e Ballkanit 

Porse në trojet ballkanike vandalizimi i varrezave të të tjerëve si dhe segregimi i pakicave e bullizimi i tyre (si forma josistemore) janë përdorur si armë e luftës speciale, sidomos dhe dendur nga fashizmi serb i Milosevic-it, mirëpo në Ballkan secili që është numër i vogël dhe me pak fuqi, vuan nga racizmi dhe shtypja e më të madhit.

Veçimi (segregimi) është dukuri e shenjëzimit të atyre që duhet t’u bëhet me dije se janë të padëshiruar në hapësirën “tonë”, përndryshe ata duhet përzënë ose vrarë, sepse narrativa nacionaliste si ‘keatsch’ mëson: “Armikut duhet bërë me dije në çdo hap se toka është e jona”!?

3.

Hajvanë të ideologjizuar me meganarrativën e tjetrit si armik dhe nekrofilë së vërteti, bredhin natën nepër glob, për të mos i lënë njerëzit as të vdekur të qetë, e lëre më të gjallët që të kenë sukses në ndërtimin e të ardhmës sl tyre dhe për të mos e lënë lirinë e tyre për të zënë rrënjë të forta, sepse liria në dioptrinë e etnonacionalistëve, i përket “vetëm shumicës”!?

Nëse vandalizimi i varrezave mund të përkasë në korpusin e luftrave të kontrolluara me efekte speciale, të armiqëve të Kosovës, në rastin e segregimit, kryrësit janë prodhim i kësaj shoqërie, prandaj kjo është plagë (patologji shoqërore) vështirë e shërueshme. 

Identifikimi dhe nxjerrja para drejtësisë e kujtdo që propagandon ose vet ndërmerr masa veçuese për tjerët, është e interesit kombëtar.

Vandalizimi i varrezave të tjerëve, është dhunë dhe armiqësi e hapur, sado simbolike, sepse përkon me zhbërjën e kujtesës, të kaluarës së një grupi, në këto hapësira, kurse segregimi përkufizohet me vulën e përjashtimit, nën kercënim të hapur si të padëshiruar, pra përkon me zhbërjën simbolike të së sotshmës dhe të ardhmës së atij grupi, etnik në hapësirat etnike të grupit më të madh.

4.

Sipas sociologut Arjun Appaduar në librin “Fear of Small Numbers” (Frika nga numrat e vegjël) veçimi para së gjithash është frikë e kulturës supremaciste se po vdiret dhe po i humbë cilësitë e dikurshme, lavdinë historike – dhe në ndërdije- e konstruktuar si frikë “se po bëhemi si ata”!?

Sëkëndejmi frikë e fashistit – nga numri i vogël – dhe mësymja predatore e njeriut të turmës, për asimilimin dhe zhbërjen e pakicave, që ndajnë përgjatë shekujve hapësirat e përbashkëta, dëshmon intencën e pastërtisë së racës.

Njeriun që vandalizon kultet e tjetrit ose që e veçon tjetrin nga vetja kolektive, priret nga mite e legjenda etnike, ideologjike e fetare, është ai “shpellari” i Bertrand Russell që hamendëson midis lirisë tribale të errësirës apo daljës në botë. 

“Por nëse ne duam që jeta jonë të jetë e mirëqenë dhe e lirë” – shkruan Russell – “duhet t’i shpëtojmë këtij burgu dhe kësaj grindjeje.”

Romët kosovarë dhe përgjithësisht komuniteti egjiptian e ashkanli, janë në shtëpi të tyre, të mbrojtur me Kushtetutë dhe ligje dhe të përfaqësuar në institucionet qendrore, porse qasja e tyre në ndarjën e të mirave kombëtare (punësim, arsimim, shëndetësi dhe segmente tjera të jetës) është e kufizuar. 

Ashiqare që janë të diskriminuar, sado në heshtje. Sëkëndejmi ata duhet mbrojtur institucionalisht prej sulmeve të tilla, që në thelb cënojnë themelet mbi të cilat është ngritur shteti kosovar.

5.

E dhimbshme kur sheh dhe dëgjon fyerje e paragjykime nga njerëzit e rinj, që kurrë nuk kanë këmbyër asnjë fjalë me një rom, nuk kanë bashkëpunuar për të mirën e komunitetit dhe nuk e dijnë se ata përgjithësisht janë besnikë të Republikës, duke dhënë më të çmuarën e tyre, edhe jetën, për ngritjen dhe progresin e saj.

Madje, duke qenë të çliruar nga ngarkesa nacionaliste, lojaliteti i tyre ndaj shtetit të Kosovës është i pashembullt, impresiv.

Bashkësia rome, egjiptiane e ashkanli e kanë fituar respektin e shoqërisë, jo pse është modë me folë mirë për pakicat, dhe me u shtirë kinse mbrojtës i të drejtave të tyre, as nga mëshira, por ata janë shtetas me të drejta të plota dhe është detyrim i shumicës mirëqenia e asaj pakice. Shumica, kombi si titullar i shtetit modern, e ka detyrim historik që me përkushtim e empati, t’i trajtojë të barabartë pakicat etnike deri në zhbërjen e raportit shumicë-pakicë në shtetin qytetar.

P.S.

Kosovarët me pamjen që erdhi nga Peja, janë të turpëruar. Nuk ka justifikim. Nuk ka pahiri!?

Indinjohem.