Rezoluta që përplasi partitë opozitare: Çka ndodhi dje në Kuvendin e Kosovës - Gazeta Express
string(75) "rezoluta-qe-perplasi-partite-opozitare-cka-ndodhi-dje-ne-kuvendin-e-kosoves"

Lajme

Gazeta Express

13/02/2026 7:01

Rezoluta që përplasi partitë opozitare: Çka ndodhi dje në Kuvendin e Kosovës

Lajme

Gazeta Express

13/02/2026 7:01

Në seancën e parë pas konstituimit të legjislaturës së X-të, Kuvendi i Republikës së Kosovës miratoi me 90 vota për një rezolutë që kërkon nga Dhomat e Specializuara në Hagë të garantojnë proces gjyqësor të drejtë dhe në përputhje me standardet kushtetuese e ndërkombëtare për ish-udhëheqësit e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK).

Rezoluta, e prezantuar nga deputeti i Partia Demokratike e Kosovës (PDK), Përparim Gruda, sipas tij është hartuar nga ekspertë të pavarur dhe është depozituar në Kuvend si peticion me rreth 300 nënshkrime profesorësh. Dokumenti rikonfirmon përkushtimin e Kuvendit për respektimin e rendit kushtetues mbi bazën e të cilit janë themeluar Dhomat e Specializuara dhe Zyra e Prokurorit të Specializuar.

Në tekst theksohet se qëllimi i themelimit të këtyre institucioneve ka qenë adresimi i akuzave të dala nga raporti i Këshillit të Evropës i vitit 2011, ndërsa kërkohet zbatim rigoroz i Kushtetutës, transparencë, respektim i standardeve ndërkombëtare dhe mbrojtje e të drejtave të të akuzuarve, përfshirë ish-krerët e UÇK-së që po gjykohen në Hagë. Rezoluta konfirmon gjithashtu mbështetjen institucionale dhe financiare për mbrojtjen juridike të tyre.

Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) abstenoi në votim, pasi kërkoi që rezolutës t’i shtohej një pikë për zbardhjen e vrasjeve të pazbuluara gjatë dhe pas luftës. Sipas LDK-së, institucionet vendore dhe partnerët ndërkombëtarë duhet të intensifikojnë përpjekjet për të siguruar drejtësi për të gjitha viktimat.

Megjithatë, përfaqësuesit e PDK-së kundërshtuan ndryshimin e tekstit, duke argumentuar se rezoluta është dokument i ekspertëve dhe nuk mund të pësojë ndryshime. Amendamenti nuk u përfshi në tekstin përfundimtar.

Deputeti Fatos Geci nga Lëvizja Vetëvendosje (LVV) ishte i vetmi që votoi kundër rezolutës, duke e cilësuar atë si dokument që synon mbrojtjen e individëve dhe jo parimeve.

Partia Demokratike e Kosovës e vlerësoi miratimin e rezolutës si akt përgjegjësie shtetërore dhe uniteti institucional, duke theksuar se mbrojtja e një procesi të drejtë ligjor dhe respektimi i vlerave të luftës çlirimtare janë obligime që tejkalojnë përkatësitë partiake.

Advertisement
Advertisement
Advertisement