Trajneri Quique Setien po përballet me mungesa për shkak të lëndimeve dhe e ftoi sulmuesin shqiptar për ndeshjen e nesërme ndaj Getafes
Rey Manaj e ka marrë një lajm të madh sot, shkruan Gazeta Express.
Futbollisti shqiptar është ftuar nga trajneri Quique Setien për ndeshjen e nesërme ndaj Getafes.
Përfaqësuesi shqiptar është risia më e madhe e të ftuarve të gjigantit katalunas, i cili është i hendikepuar pas sulmuesit e lënduar, Luis Suarez e Ousmane Dembele.
Manaj ishte transferuar tek Barcelona B, por kohëve të fundit ka ushtruar kohë pas kohe me ekipin A të kampionit aktual spanjoll.
Setien kishte paralajmëruar së fundmi se mund ta ftonte ndonjë futbollist nga Barcelona B, sigurisht në raste emergjente si ky.
Barça e kishte transferuar Manajn nga Albacete në muajin maj për 700 mijë euro.
Lojtari ka nënshkruar deri në vitin 2023, ndërsa e ka një klauzolë prej 50 milionë eurosh.
22 vjeçari kishte kontratë me Albaceten deri në vitin 2024, por u largua prej aty pasi nuk e kishte gjetur veten.
Tash, ai është me fat të madh pasi u ftua në njërin prej ekipeve më të mira në botë.
Manaj i ka zhvilluar vetëm dy ndeshje me Barçën B deri tash. /Gazeta Express/