Akademik Rexhep Ismajli, njëri prej gjuhëtarëve më të mëdhenj shqiptarë, në një intervistë ekskluzive për Gazetën Express, flet për gjuhën standarde dhe reagimet, në kohë të ndryshme ndaj tij si dhe nevojën për tejkalimin e atij ngërçi të mbjellë që në lindje të tij; për ndikimin dhe pasojat e zhvillimit të hovshëm teknologjik në gjuhë; për banalizmin e debatit në shoqërinë tonë, duke e zbriur në nivel sallonesh – që nuk i kemi pasur (odash); për paragjykimin e letërsisë shqipe të krijuar në Kosovë, etj.
I lindur në Preshevë më 1947. Studimet për gjuhë dhe letërsi i mbaroi në Prishtinë më 1971. Në vitet 1971-1973 specializoi për gjuhësi në Institut de linguistique générale et appliqué “René Descartes” (Sorbonne), Paris, nën drejtimin e André Martinet. Më vonë (1977/ 78) vazhdoi specializimin në Institut für Allgemeine und Vergleichende Sprachwissenschaft të Universitetit të Bochum-it. Doktoratën në shkencat filologjike e mbrojti në Universitetin e Prishtinës, më 1982.
Më 1972 filloi punën asistent, pastaj ligjërues, docent, profesor inordinar dhe profesor ordinar për lëndët Gjuhësi e përgjithshme dhe Histori e gjuhës shqipe në Degën e Gjuhës Shqipe të Fakultetit Filozofik/ Filologjik të Universitetit të Prishtinës. Gjatë kësaj kohe i ka drejtuar studimet e Gjuhësisë së përgjithshme dhe të Historisë së gjuhës shqipe në Studimet e shkallës III në Degën e gjuhësisë në Fakultetin Filologjik të Prishtinës.
Më 1997 ishte për një semestër profesor me ftesë (Gastprofessor) në Universitetin Ludwig-Maximilian të Münchenit për të mbajtur mësime për albanologji. Mësimdhënien si profesor për albanologji në München deri në vitin 2000. Në vitin 2000 u kthye në Prishtinë të vazhdonte mësimdhënien në Universitet deri në pensionim më 2011. Mësimet për historinë e gjuhës shqipe dhe gjuhësinë shqiptare i ka mbajtur për vjet me radhë dhe në Universitetin e Evropës Juglindore në Tetovë.
Më 1993 u zgjodh anëtar korrespondent i Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës. Tre vjet më vonë u zgjodh anëtar i rregullt. Në vitet 1996-1999 ka qenë Sekretar i Seksionit të Gjuhësisë dhe të Letërsisë, ndërsa në vitin 2000 u zgjodh Sekretar i përgjithshëm i kësaj akademie. Në vitin 2002 u zgjodh anëtar i Akademisë Evropiane të Shkencave dhe të Arteve me seli në Salzburg. Në vitin 2006 u zgjodh anëtar i jashtëm i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, ndërsa më 2010 anëtar nderi i saj. Si përfaqësues i ASHAK-ut është anëtar i Interacademic Human Rights Network, New York. Në tetor 2002 u zgjodh Kryetar i Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës. Më 2005 u rizgjodh Kryetar i ASHAK-ut. Në mandatin 2008-2011 Kuvendi i Republikës së Kosovës e zgjodhi Kryetar të Këshillit Kombëtar të Shkencës.
Përveç si profesor, ka qenë i angazhuar rreth botimit të revistave shkencore, si: Dituria, Recherches albanologiques 1-4, Prishtinë (frëngjisht), Studia humanistica, Prishtinë, Godišnjak društava za primenjenu lingvistiku Jugoslavije, Beograd, Studime, ASHAK, Filologji, Fakulteti i Filologjisë, Prishtinë, Thema, revistë e sociologjisë, Prishtinë, etj.; bashkëthemelues dhe redaktor i botimeve Fryma, (mbi 70 vëllime në fushën e dijeve shoqërore), Rozafa (letërsi), Dukagjini Balkan Books (frëngjisht, anglisht dhe gjermanisht), të shtëpisë botuese Dukagjini. Ka marrë pjesë prej fillimit në punën e Qendrës së Kulturës Shqiptare për të Huajt/ Seminarit Ndërkombëtar për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare, në fillim Sekretar, anëtar i Këshillit drejtues, ndërsa në vitet 1998-2002 Drejtor i Seminarit. Nga viti 2004 është bashkëkryetar i Këshillit Ndërakademik për Gjuhën Shqipe.
Në fillim të vitit 2018 u zgjodh anëtar i Linguistic Society of America dhe në prill të atij viti u zgjodh International honorary membre (Anëtar i ndërkombëtar i nderit) i The American Academy of Arts and Sciences (Akademia Amerikane e Arteve dhe Shkencave).
Intervistoi: Dritan Dragusha
GazetaExpress: E ashtuquajtura profecia e standardit gjuhësor, e që duket se vazhdon edhe sot si një reminishencë ideologjike, duket sikur po e përndjek gjuhën shqipe dhe vazhdon ta konfrontojë edhe sot e kësaj dite shoqërinë shqiptare?
Rexhep Ismajli: Çështja e gjuhës standarde, e ekzistencës së një varieteti të përbashkët gjuhësor brenda një bashkësie ka qenë e rëndësishme në të gjitha kohët. Nga Renesansa (Rilindja europiane) e këndej ajo është bërë thelbësore në modelet e ndryshme të zhvillimit kulturor e qytetërues. Gjuha shqipe ka nisur të shkruhet, për aq sa kemi dëshmi deri sot, në sh. 15. Veprimtaria kulturore dhe letrare, e shkruar, në tërë kohën deri në fillim të sh. XX është zhvilluar në rrethana të mungesës së një pushteti të përqendruar vetanak dhe më shpesh të përndjekjes dhe të ndalesave. Shekuj me radhë përdorimi shkrimor dhe veprimtaritë përkatëse në këtë gjuhë janë zhvilluar në rrethana klandestine. Me themelimin e Shtetit të Shqipërisë më 1912 çështja e një gjuhe të përbashkët për të gjithë përkatësit e tij u shtrua me intensitet më të madh.
Standardizimi i tashëm i shqipes vjen nga vitet ’60-’70 të sh. XX, pas një përvoje jo të shkurtë përpjekjesh gjatë tërë sh. XX para dhe gjatë periudhës komuniste, si rezultat i një procesi të gjatë. Moment me rëndësi ka qenë ai i Komisisë letrare të Shkodrës, kur u bënë Rregullat mbi orthografín e gjuhës shqipe të shkrueme të vendosuna prej Komisís Letrare të Shkodrës 1916-17, që për bazë synonin varietetin e Elbasanit, në mënyrë që varieteti i gjuhës letrare për shqiptarët të ishte më i afërt me varietetin dialektor të jugut. Ajo bazë u zyrtarizua si gjuhë letrare e Shqipnisë pas Kongresit të Lushnjës dhe shërbeu si gjuhë letrare zyrtare e shtetit të Shqipnisë deri në fund të LDB-së, kur nisi përmbysja. Duan shënuar edhe zhvillime të tjera në fushën e standardizimit më 1927; përpjekjet e ndryshme të viteve ’30; më 1948 në Tiranë; po në Tiranë më 1951; në Prishtinë më 1952; në Tiranë më 1956; në Prishtinë më 1957; në Prishtinë më 1964; në Tiranë më 1967; në Prishtinë më 1968 dhe në Tiranë më 1973, sipas Kongresit të Drejtshkrimit të viti 1972. Pas LDB-së në Tiranë, sidomos nga viti 1951 veprimtaria standardizuese bëhej parësisht me bazë në varietetin e jugut, ndërsa deri më 1956 edhe me variante për gegnishten. Në Prishtinë në të tri rastet e standardizimit (1952, 1957, 1964) merrej parasysh një varietet i gegnishtes së përgjithshme. Pas Luftës II Botërore në Tiranë kemi 5 dokumente të tilla, ndërsa në Prishtinë 3, gjithsejtë 8. Kjo do të thotë se koha pas LDB-së e deri në fillim të viteve ’70 të sh. XX është shënuar si kohë me veprimtarinë më të ngjeshur në këtë fushë. Kjo është njëherësh koha kur zhvillimet e përgjithshme kulturore, sidomos në fushën e arsimit (për herë të parë kemi institucione të arsimit të lartë në Republikën e Shqipërisë dhe në Krahinën Autonome të Kosovës), ndërsa botimet, jeta teatrale, mediat e folura, jeta publike shoqërore arrijnë përmasa të gjera dhe synojnë gjithnjë zhvillime të mëtejme. Ideologjia komuniste në të dy versionet – stalinist në Shqipëri, dhe pak më të ndryshëm në Jugosllavi, ishte mbisunduese në hapësirat e organizuara shtetërore (të Shtetit të Pavarur të Shqipërisë, të shtetësisë në statusin e pakicës kombëtare në Jugosllavi, ndërsa në diasporën e shprishur gjithandej jetohej në sisteme kryesisht demokratike perëndimore, por edhe të tjera në Turqi, në Siri e Egjipt, etj. Do të ishte iluzore që në këto kohë të zhvillimeve më të gjera kulturore ndër shqiptarë, përtej ndarjeve të dhimbshme shtetërore e ideologjike, të mos kishim gjurmët e sistemeve përkatëse në fushën e gjuhës, të vlerave, ku puqen aspekte nga më të ndryshmet të qenies kombëtare, deri tek identiteti. Po ashtu është e kuptueshme që pas rënies së komunizmit dhe sidomos pas pavarësimit të Kosovës, pas ndryshimit të paradigmave të ndarjes në blloqe, kemi pasur reagime. Në këtë kohë janë vënë në sprovë të gjitha arritjet, pra edhe sistemet e vlerave, kjo domethënë edhe arritjet në fushën e gjuhës. Kuptohet, në këtë fushë ka gjurmë të sistemeve të mëparme të vlerave, por ka edhe rezultate të brezave të studiuesve e të veprimtarëve të kulturës që nuk lidhen vetëm me ‘meritat’ e atyre sistemeve dhe prandaj nuk është e mundshme të mënjanohen pa e prekur qenësisht tërë çështjen e synimit drejt një bashkësie të përbashkët. Në këto ‘shqyrtime’ ka jo shpesh nxitje që jodomosdo janë shkëputur nga ideologjitë e mëparshme e prodhimet e pasojat e tyre, po as nga ideologjizimet e reja. Është e qartë se anarkia e përgjithshme nuk është zgjidhje, por bërja e çështjes publike në kuptimin që tekstualisht çdokush mund ta shprehë lirshëm mendimin e vet i ka dhe pasojat që një bashkësi e pjekur në aspektin shoqëror lidhur me synimet e veta themelore duhet të gjejë rrugë t’i sublimojë. Ndërkaq, një ambient gjithëpolemizues jo çdo herë na ndihmon. Mund të jetë që në një atmosferë të tillë një numër ndihmuesish potencialisht të dobishëm dhe të thelluar do të abstenojnë të marrin pjesë në ‘debate’.
GazetaExpress: Që nga rënia e komunizmit në Shqipëri flitet për standardin, sidomos për ndryshimin e tij. Sipas jush, a duhet të ndryshohet dhe si duhet të bëhet?
Rexhep Ismajli: Kërkesat për diskutime lidhur me gjuhën standarde janë shprehur shumë herë para dhe pas vitit 1990, si shkrime të ndryshme në diasporë, të tjera në Shqipëri dhe në Kosovë, në Konferencën me rastin e 30-vjetorit të Kongresit të Drejtshkrimit në Tiranë më 2002, në Konferencën e Durrësit të vitit 2010, etj. Vetë kam pasur rastin të shpreh ndonjë qëndrim në studimet e botuara gjatë tërë kësaj kohe. Para LDB-së janë diskutuar mundësitë e përzgjedhjes së bazës dialektore sipas traditës së shkrimit më të hershëm si gegnishte, pastaj gjithnjë gegnisht por specifikisht si shkodranishte, apo si mbi bazë të elbasanishtes apo të gegnishtes së mesme, pastaj si toskërishte letrare. Përzgjedhja e vitit 1923, deri 1945 ka shërbyer si gjuhë zyrtare e shtetit shqiptar, por pastaj statusi i saj është vënë në dyshim në Republikën e Shqipërisë, ndërsa ka vazhduar të shërbejë si gjuhë letrare te shqiptarët e Jugosllavisë deri më 1968. Në këtë periudhë janë ndërmarrë planifikime të ndara, çka në perspektivat e atëhershme të ndarjes shtetërore (dhe ideologjike) me kohë do të ngurtësonte dy traditat me një historik përdorimi tashmë në frymën e policentrizmit planifikues. Përvojat dhe ritmet e zhvillimeve në periudhën pas vitit 1972, pra të planifikimit të shqipes së njësuar letrare, të përbashkët për të gjitha pjesët e bashkësisë gjuhësore shqipe, për arsye të ritmeve të ndryshme të zhvillimit dhe të raliteteve përdorimore e të sistemeve të ndryshme të zbatimit, jo çdo herë kanë dhënë rezultate të njësimit të vërtetë. Kontaktet e zgjeruara dhe të intensifikuara pas viteve ’90 e përtreguan tërë problematikën: gjendja në përdorimet gjuhësore në të gjitha pjesët e bashkësisë së folësve të shqipes ka ndryshuar ndërkohë dhe po ndryshon me ritme të përshpejtuara, kështu që në asnjë aspekt nuk duket reale të mbahet në mënyrë rigjide gjendja e ngurtësuar më 1972 (në rrethana dhe realitete krejt të tjera). Më duket se nuk ka kuptim kthimi te realitetet e mëhershme, po pikërisht perspektiva zhvillimore duhet të jetë ajo që mund të na ndihmojë të dalim nga ngërçet e tilla. Më duket e nevojshme të përzgjedhim një qasje më përfshirëse (inkluzive), gjithsesi më pak konfrontuese dhe përjashtuese të segmenteve të ndryshme brenda shqipes në raportet e standardit të përbashkët me varietetet normale brenda realiteteve shoqërore e të tjera që kemi ne.
GazetaExpress: Dikur Robert Elsie thoshte se: “Unë gëzohem shumë për dialektet e shqipes”. Mirëpo, ne këto dialekte jo rrallëherë i kemi përdorur si kundërvënie ndaj njëri-tjetrit. Si duhet realisht t’i trajtojmë këto dialekte dhe çka në fakt do të duhej të paraqesin apo për ne, e në veçanti për gjuhën shqipe?
Rexhep Ismajli: Po, Robert Elsie ishte albanolog me shumë informacion, dije dhe dashuri për botën shqiptare. Në botimin e versionit të shkurtë të Historisë së letërsisë shqiptare (2005), në përfundimet ai madje kishte shprehur edhe mendime lidhur me shprehjen gjuhësore të letërsisë (të gjuhës letrare) ‘nga Kosova’ dhe pasojat e saj për shkallën e leximit në hapësirën e Shqipërisë. Manifestime të atilla ka pasur dhe vazhdon të ketë dhe ato më duken më shumë reflekse refuzimesh ideologjike, paragjykuese, që do të harrohen me kohë. Çështja e raportit të gjuhës standarde me dialektet, çështja e raportit midis varieteteve të shqipes së gjallë, të folur në rrethana të ndryshme jetësore në botën e sotme të shprishjes dhe shpërndarjes nëpër botë, është më komplekse se kurrë ndonjëherë më parë. Kuptohet, dialektet dhe varietetet e tjera të një gjuhe me histori jo aq të gjatë standardizimi dhe me përvoja që nuk i kanë dhënë shumë kohë ngulitjes së përzgjedhjeve, përfaqësojnë edhe gjuhën e gjallë në situata dhe përdorime ku nuk hyn standardi, prandaj edhe një potencial begatimi për gjuhën standarde. Në raste ku tradita normativizuese ka ecur më gjatë, brenda rregullave për përdorimin e gjuhës standarde parashikohen edhe kërkesa për mbrotjen e varieteteve të tjera (të dialekteve përfshirë). Gjithsesi, edhe atje, si kudo, nevoja për selitjen dhe begatimin e gjuhës standarde nga të gjitha burimet brenda gjuhës përkatëse shihen si normale. Varietetet e ndryshme brenda shqipes – shoqërore, hapësinore, të stilit, etj. duan parë si diçka normale në jetën e një gjuhe dhe si burim për begatimin e mëtejmë të mjetit standard. Varietetet e tilla shpesh shihen vetëm si varietete stilistike të gjuhës përkatëse, ndërsa përfaqësimi i gjuhës shqipe lidhet me gjuhën në plotninë e saj dhe jo vetëm me një aspekt.
GazetaExpress: Çka e zhvillon, e pasuron një gjuhë. Cilët janë ata vektor që asaj i japin fuqi, thellësi dhe shtrirje?
Rexhep Ismajli: Gjuha jeton në përdorimin e saj. Aty i ka burimet e lëngjeve të jetës, aty sprovohet, aty funksionon në plotninë e saj, aty zhvillohet dhe begatohet. Të gjitha gjuhët që sot konsiderohen ‘të zhvilluara’ dikur kanë qenë në një gjendje tjetër, që është konsideruar dialektore, lokale, ‘e pazhvilluar’, etj. Përdorimi dhe selitja e vazhdueshme nëpër hapësirat gjithnjë e të reja e kanë ndihmuar ‘rritjen’ e tyre drejt gjendjes që kanë ato sot. Në gjuhën shqipe sot kemi sprova përdorimesh në hapësirat më të ndryshme, çlirimi nga shtrëngesat e dikurshme ideologjike e ka vënë përdorimin e saj para hapësirave që nuk janë marrë me mend më parë, tash kemi përkthime në fushat më të ndryshme të dijes dhe të përvojës njerëzore, kemi horizonte të reja përdorimore falë zhvillimeve teknologjike të kohës, përdorimet e shqipes po hyjnë dhe në zhvillimet e reja edhe për gjuhë që janë konsideruar ‘të zhvilluara’, kështu që është për t’u pritur të kemi shtrirje, begatim, lulëzim dhe stërhollim të shprehjes. Kuptohet, të gjitha këto ndërlidhen edhe me rrafshet e përdorimit dhe hetohen më qartë kur shkohet përtej lajmit të ditës apo të çastit.
GazetaExpress: Giovanni Sartori thotë se njeriu sot ka kaluar nga qenia që mendon (homo-sapiens) në qenie që shikon (homo-videns). Marrë në këtë kontekst, sa e rrezikon ose sa e dobëson “gjuha digjitale” gjuhën shqipe?
Rexhep Ismajli: Kohët moderne me zhvillimet e mëdha në fushat e ndryshme të dijes kanë sjellë edhe fokusime të reja në format dhe mënyrat e perceptimit, kanë sjellë fenomene të reja. Në qytetin e sotëm njeriu e ka më të lehtë të informohet për lëvizjet e tij në saje të shenjave të ndryshme që jo domosdoshmërisht parakuptojnë njohjen e alfabetit, apo edhe të gjuhës që flitet në atë qytet. Kjo është një shtresë e komunikimit, por ka dhe të tjera që e bëjnë komunikimin njëherësh më të lehtë, por edhe më kompleks, sepse të gjitha këto ndërlidhen me përdorimet gjuhësore. Kultura e sotme ka gjerësi tjetër dhe sa më inkluzivë të jemi për këto hapësira, aq më të përmbushur do ta kemi komunikimin. Digjitalizimi ka sjellë revolucion të vërtetë në komunikime dhe tashmë ka rrjedhojat e tij në përdorimet gjuhësore në të gjitha rrfashet. Përvetësimi sa më i gjerë i kësaj kulture të komunikimit nuk e dobëson gjuhën shqipe, po përkundrazi, sjell hapësira dhe mundësi të reja. Madje del si mundësi e pazëvendësueshme për ruajtjen dhe përdorimin e shqipes në distanca kaq universale që na janë krijuar me shpërnguljet e jashtëzakonshme.
GazetaExpress: Meqenëse, ju jeni akademik dhe keni udhëhequr Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës për dy mandate dua t’ju pyes se çka në fakt është Akademia? Cili është roli i saj në shoqëri? Dhe, çfarë Akademie na duhet, sepse shpesh kërkesa dhe kritikat e publikut janë që Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës duhet të ketë rol më aktiv në jetën shoqërore, e sidomos atë politike në vend?
Rexhep Ismajli: Kryetar i Akademisë kam qenë në një kohë tjetër dhe në rrethana të tjera për Akademinë (2002-2008), kohë kur ka pasur probleme të mbijetesës, kur është dashur të luftohet për sigurimin e statusit të saj ligjor, për integrimin ndërkombëtar, për sigurimin e shtëpisë ku mund të punohej, për realizimin e projekteve në rrethana të vështirësive buxhetore, për stabilizimin e botimeve dhe të revistave, për përtëritjen dhe zgjerimin, etj. Nuk e di çka do të thotë ‘rol më aktiv në jetën shoqërore’, por mendoj se një institucioni si akademia duhet t’lihet ta caktojë vetë rolin që do të luajë brenda përcaktimeve të obligueshme ligjore. Në rrethanat kur kemi dhe pretendojmë të kemi sistem të zhvilluar të jetës demokratike, me parti politike, me institucione shtetërore e të tjera, me rrathë të përdegëzuar të veprimtarive shoqërore, Akademia s’ka pse të kërkojë rol tjetër pos atij që ia ka atribuar ligji. Nëse ia del të përmbushë funksionet e saj të shoqërisë së dijes dhe të arteve mendoj se i ka përmbushur të gjitha pritjet prej saj. Më 1989 Akademia ka luajtur një rol në proceset e formulimit të kërkesave për statusin e mëtejmë të vendit, edhe më vonë në momente të caktuara ka shprehur dhe qëndrime lidhur me zhvillimet aktuale, ndërsa anëtarët e saj, si qytetarë të këtij vendi, shumë shpesh janë implikuar në role shoqërore.
GazetaExpress: Kadare thoshte se në gjuhën e përditshme janë politikanët dhe aktorët ata që kanë rol në gjuhë për t’u imituar nga të tjerët. Marrë në këtë aspekt: cili është raporti i politikës dhe politikanëve kosovarë me gjuhën.
Rexhep Ismajli: Më duket se kanë ndryshuar dukshëm kohët. Që aktorët ta kenë rolin e tyre sa i përket ndikimit në mënyrën e të folurit, duhet të kemi jetë të zhvilluar dhe të frekuentuar teatrale, prodhime teatrale televizive, etj. Edhe po ta kenë krijuar modelin gjuhësor për t’u imituar, aktorët tanë nuk po duket se e kanë hapësirën për ta manifestuar atë. Nga ana tjetër, e tëra lidhet dhe me një veprimtari shkollore ku selitet gojëtaria, të folurit, oratoria. Sa di kjo mungon ndër ne. Politikanët, është e vërtetë, në vlerësimin e tyre të përgjithshëm në raport me pëlqyeshmërinë nga zgjedhësit, duhet të kenë dhe një paraqitje të pranueshme, në mos të përzgjedhur shprehjore. Ashtu siç i përzgjedhin kravatat apo modelet e veshjes, së paku, duhet të kenë dhe kujdesin për shprehjen gjuhësore. Duhet, për më tepër, ta kenë aftësinë që t’i bëjnë sa më të pranueshme idetë e tyre risimtare për zhvillimet në shoqëri, kuptohet, në një rrafsh të pëlqimit nga mjedisi shoqëror, nga zgjedhësit potencialë. Në hapësirat tona publike përhapen dhe imponohen shprehje gjuhësore nga më të ndryshmet nga politikanët, më së shpeshti që nuk e kalojnë rrafshin e bisedimeve të zakonshme nëpër mjediset joformale të vendbanimeve të Kosovës. Përdorimi i ndonjë termi të huaj apo koncepti ekonomiko-shoqëror të huazuar nga interneti nuk i bën ata më tërheqës në këtë drejtim, përkundrazi, vetëm sa e thekson sipërfaqësinë. Këtu nuk është fjala vetëm dhe në radhë të parë për shprehjen standarde, po thejsht për një shprehje normale gjuhësore në çfarëdo varieteti. Paritë politike kanë nevojë të kenë shkolla gojtarie.
GazetaExpress: Siç e kemi tanimë të njohur ashtu sikurse individi, dhe shoqëritë, kultura në përgjithësi, e edhe gjuha në veçanti zhvillohen nëpërmes ballafaqimit të argumenteve, përmes një kritike të mirëfilltë. Pse nuk ka një debat të tillë? A nuk po dimë apo nuk po duam?
Rexhep Ismajli: Çështja e debateve sikur është zbritur në rrafshe të bisedave nëpër sallone, ashtu siç i mendojmë, por nuk i kemi pasur (kemi pasur oda). Bëhen ‘debate’ për çdo lloj çështjesh, me njerëz të cilësuar për të gjitha dhe përfundimisht me pak ose aspak vend për të cilësuarit. Debatet e mirëfillta për çështje të tilla bëhen nëpër tribunat përkatëse, të cilat jemi kujdesur që, edhe ashtu të pakta, t’i heqim qafe dhe sot nuk kemi organe të shtypura, ku mund të argumentohen në mënyrë të qetë çështjet pas një reflektimi të argumentuar që kërkon kohën e vet dhe nuk është refleks i çastit.
GazetaExpress: Kur flasim për gjuhën, për standardin, për bashkëpunimet ndërshtetërore Kosovë-Shqipëri, vërehet një problem thelbësor në këtë raport. Letërsia shqipe e Kosovës është shumë pak e pranishme në Shqipëri, madje është shumë e vështirë për tu futur në tregun shqiptar. Duket sikur ka njëfarë përjashtimi gati averziv me letërsinë e Kosovës, kurse letërsia që vjen prej andej e dominon gati në mënyrë brutale tregun e Kosovës. Çka mendoni ju për këtë fenomen?
Rexhep Ismajli: Po flasim për tregun, që i ka ligjësitë e veta. Për të depërtuar në një treg është e nevojshme që si mjedis të jesh i organizuar në shkallën që të kesh së pari brenda vetes të funksionalizuar tregun, që nënkupton edhe mekanizmat e reklamimit dhe të përhapjes së informacionit. Kur është fjala për tregun e librit dhe të mjeteve të tjera të komunikimit publik, të shkruar a të folur, e në raport me hapësirën brenda Republikës së Shqipërisë dhe nga ajo në hapësirat e tjera, ka shumë aspekte për të diskutuar. Së pari do vënë në pah raporti ndaj vlerave, krijimi i sistemit të vet të vlerave në të cilat besohet dhe të cilat seliten në mënyrë autentike, pa pasur nevojë për qëndrime serviliteti ndaj mjediseve të tjera. Së dyti, i tërë ky kompleksitet çështjesh është i mbushur me paragjykime, ideologjike, të shtresës, të prejardhjes, të prestigjit (të vërtetë apo të rremë), të dirigjimit pushtetor, në të dy anët. Cila është hapësira e depërtimit të prodhimeve nga Kosova në Shqipëri që mund të quhet normale dhe e suksesshme, pos turizmit? Ka pasur ide që letërsia e Kosovës nuk depërton në Shqipëri për shkak të shprehjes gjuhësore, të varietetit që përdoret. Le të pyesim: a është shprehja e të gjithë letërsisë së Kosovës e njëjtë në këtë kuptim? Më tej, le të pyesim: si ndodh që shprehja gjuhësore e Migjenit të mos përbëjë problem për lexuesin e Shqipërisë, as shprehja, ta zëmë, krejtësisht moderne e letërsive perëndimore në përkthimet jo gjithnjë të përsosura, ndërsa përbëka problem shprehja stilistikisht e përsosur e Anton Pashkut apo Azem Shkrelit? Është e qartë, kemi të bëjmë me paragjykime në fushën letrare, në fushën gjuhësore, në fushën ideologjike, etj. Në vitet ’90 te Dukagjini u botua një roman i njohur i një shkrimtari shumë të lexuar në Shqipëri dhe në Kosovë. U dërgua një kontingjent më pak se 100 kopjesh për tregun e atjeshëm. Pas një kohe jo të shkurtë u kthyen diku rreth 70 kopje. Pse nuk shitej? Paragjykimi binte mbi prejardhjen gjeografike, mbase. Kemi të bëjmë edhe me një fenomen të prodhuar nga ajo që njihet si ‘arsye e Shtetit’ (raison d’Etat) në tërë sh. XX. Ndërkohë edhe pjesa tjetër e botës shqiptare ka zhvilluar fenomene jetësore të përbashkëta, apo edhe pak më të ndryshme, me ritme të tjera, por që janë po ashtu shqiptare. Jemi në rrethana të reja.
GazetaExpress: Në raporte ndërsociale, kulturore e sidomos gjuhësore kush është shqiptari sot? Si përkufizohet ai, nëse do të mund të përkufizohej?
Rexhep Ismajli: Nuk jam shumë i bindur se mund të sjell ndonjë mendim të mbështetur sa u përket raporteve sociale, sepse ato i studiojnë sociologët, madje as nuk kam lexuar ndonjë interpretim gjithëpërfshirës dhe sintetizues për shqiptarët në këtë drejtim. Më duket se vorbulli jetësor i shqiptarëve sot është më kompleks se ndonjëherë. Me organizime shtetërore në Republikën e Shqipërisë, në Republikën e Kosovës, në Republikën e Maqedonisë së Veriut, në Malin e Zi, në Serbi, me pamjaftueshmëri evidente për realizimin e vetes shoqërore në të gjitha këto mjedise shoqërore, prandaj me nevoja të mëdha për dalje jashtë tyre dhe për pasojë shprishje me përmasa dhe nëpër hapësira që nuk janë parë ndonjëherë historikisht, me lëvizje të shënueshme drejt integrimeve sipas dimensioneve të qytetërimeve të sotme (dhe pushteteve të tyre) bashkësia gjuhësore e shqiptarëve sot më duket shumë komplekse, për të mos thënë për ndonjë aspekt edhe kaotike. Më duket se shkalla e përvetësimit të rezultateve dhe të orientimit të revolucionit informatik dhe teknologjik mund të ndikojë ndjeshëm në formësimin dhe realizimin e synimeve që ka përfytyruar brezi im, mbase edhe ato para nesh. Më duket se jemi në lëvizje, me mundësi dhe rreziqe. Në këtë kohë të globalizimit flitet shpesh për rreziqet ekzistenciale për shumë gjuhë në botë. Më duket se shqipja dhe bashkësia gjuhësore e shqipes me tërë kaosin në zhvillimet aktuale do të ketë të ardhme, gjithsesi me begatime e zhvillime që hëpërhë nuk mund t’i dimë. Shpërnguljet e dekadës së fundit duken shumë të dhimbshme dhe shqetësuese në raport me këtë horizont ekzistencial për bashkësinë gjuhësore dhe për identitetin. Shqipja sot është gjuha e të gjithë folësve të saj në të gjitha rrafshet e komunikimit dhe në raport me tërë gamën e nevojave për të. Përdorimi i saj, ndërkaq, kurrë nuk ka qenë më intensiv dhe më i gjerë, kështuqë zhvillimet brenda saj kurrë më të nevojshme dhe më të përbashkëta se tash. Njëherësh, duhet të jemi syçelë për proceset në të cilat pjesë të diasporës së hershme ndodhen në gjendje moribonde dhe se diçka e tillë mund të ndodhë në diasporën e re shpesh në brezin e ardhshëm.
Sunny Hill Festival po afron dhe banka ProCredit, si sponsor gjeneral i festivalit, të sjell më afër skenës magjike...