E ardhmja e Elvis Rexhbeçajt mund ta marrë sërish drejtimin e njohur.
Magazina gjermane “Kicker” raporton se mesfushori koosvar është pranë rikthimit te VfL Wolfsburg, klub ku u formua dhe ku i bëri hapat e parë në futbollin profesionist, përcjell “Gazeta Express”.
Sipas të njëjtit burim, lojtari i FC Augsburg është një nga emrat kryesorë në planet e Wolfsburgut për sezonin e ardhshëm.
Transferimi mund të realizohet gjatë verës, duke qenë se Rexhbeçaj është drejt largimit nga Augsburgu në përfundim të kontratës.
Mesfushori 28-vjeçar shihet si një element i rëndësishëm për rindërtimin e skuadrës, në një moment delikat për klubin gjerman, i cili synon ta hapë një cikël të ri dhe të rikthehet në nivele më të larta konkurruese.
Rexhbeçaj nuk është një emër i panjohur për Wolfsburgun: ai u rrit në akademinë e klubit dhe më pas arriti deri te skuadra e parë, përpara se të kalonte në disa aventura të tjera në Bundesliga.
Në sezonet e fundit ai është aktivizuar rregullisht me Augsburgun, duke qenë një nga mesfushorët më të qëndrueshëm të skuadrës dhe një profil me eksperiencë në elitën e futbollit gjerman.
Në rast se marrëveshja finalizohet, ky do të ishte një rikthim simbolik për lojtarin, i cili mund të bëhet një nga figurat kyçe në projektin e ri të Wolfsburgut. /Gazeta Express